Kthehu te lista
14 Nëntor 2022

ZKA-ja dhe KLSH-ja vazhdojnë aktivitetet lidhur me auditimin paralel në fushën e teknologjisë së informacionit

KLSH1

Një delegacion i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës në përbërje të Ndihmës Auditores së Përgjithshme për auditime të performancës, Myrvete Gashi Morina, drejtorit të Departamentit të Auditimit të Teknologjisë së Informacionit, Samir Zymberi, si dhe auditoret Saranda Husaj Baraliu, Arbërore Sheremeti dhe Arlinda Mustafa, kanë qëndruar për vizitë studimore dy ditore në Kontrollin e Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë (KLSH).

Kjo vizitë ka qenë vazhdimësi e aktiviteteve në kuadër të auditimit paralel të Teknologjisë së Informacionit për sistemet e informacionit të ujësjellësit në Tiranë dhe Prishtinë.

Ekipet e auditimit nga të dyja institucionet kanë prezantuar rezultatet e fazës së parastudimit lidhur me auditimin paralel që është duke u zhvilluar, si dhe kanë diskutuar për fazat vijuese të këtij procesi të auditimit në mes të KLSH-së dhe ZKA-së.

Në kuadër të kësaj vizite ekipet e auditimit kanë zhvilluar një vizitë pune në  Ujësjellësin e Tiranës, ku janë informuar rreth procesit auditues dhe detajeve të tjera nga drejtuesit e këtij institucioni.

Auditimi paralel në mes të KLSH-së dhe ZKA-së përveç që forcon bashkëpunimin në mes të dy institucioneve, ka rol në shkëmbimin e përvojave në fushën e auditimeve të teknologjisë së informacionit si dhe ndikon në përmirësimin e menaxhimit të sistemeve të informacionit për ujësjellësit në Shqipëri dhe Kosovë.

Të ngjashme