Kthehu te lista
21 Prill 2022

ZKA-ja dhe USAID-i avancojnë bashkëpunimin përmes projektit të ri ‘Integriteti i Komunave të Kosovës’

Takimi me USAID 1

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pritur sot në takim Zëvendës Drejtorin e Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje të USAID-it, Jamie Evans Butler, për të diskutuar modalitetet e bashkëpunimit në mes të ZKA-së dhe USAID-it përmes zbatimit të projektit të ri  nga USAID “Integriteti i Komunave të Kosovës”.

Fillimisht Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e deritanishëm të ZKA-së me USAID-in, si dhe ka shprehur përkushtimin e saj për avancimin e këtij bashkëpunimi në kuadër të projektit të ri.

Në veçanti znj. Spanca, ka përmendur bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të dy organizatave në kuadër të projektit “Komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse” përmes të cilit ZKA-ja ka përfituar shumë në fushën e prokurimit publik dhe të performancës.

“Një përfitim i cili i ka shtuar vlerë institucionit tonë është ndihma që kemi marrë nga USAID-i në themelimin e njësisë kundër mashtrimit, ofrimin e trajnimeve në fushën e mashtrimit dhe korrupsionit që kanë ndikuar në avancimin e kapaciteteve tona profesionale, si dhe hartimin e udhëzuesit kundër mashtrimit. ZKA, përmes kësaj njësie bën filtrimin shtesë të rezultateve të auditimit duke selektuar çështjet me elemente të mashtrimit dhe duke i dërguar tek Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. Ndërlidhur më këtë, deri më tani janë raportuar mbi 193 raste të tilla”, ka deklaruar Auditorja e Përgjithshme.

Sa i përket projektit të ri nga USAID “Integriteti i Komunave të Kosovës” Auditorja e Përgjithshme ka theksuar se është një mundësi për përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimit financiar në institucionet e pushtetit lokal.

Ky projekt ka për qellim që të nxisë: angazhimin e agjencive të qeverisë qendrore në mbikëqyrjen më efektive të financave publike dhe llogaridhënies; angazhimin e komunave për planifikim buxhetor, prokurim publik dhe menaxhim të kontratave;  aplikimin e praktikave të mira që ofrojnë një auditim të brendshëm llogaridhënës; si dhe angazhimin e shoqërisë civile, sektorit privat dhe mediave për përmirësimin e integritetit në sektorin publik dhe privat në prokurimin publik.

Të pranishëm në këtë takim bashkë më Auditoren e Përgjithshme kanë qenë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, dhe u.d i Ndihmës Auditorit të Përgjithshëm, Zukë Zuka, ndërsa nga USAID-i, Jeton Cana menaxher i projektit,  Aferdita Mekuli u.d i drejtorit të projektit “Integriteti i Komunave të Kosovës” dhe Ruzhdi Zeqiri udhëheqësi i objektives së parë të projektit.

Të ngjashme