Me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit për sezonën 2022/2023, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të mërkurën ka mbajtur konferencë për media ku ka prezantuar gjetjet kryesore dhe rekomandimet për tri raportet e performancës: “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”; “Mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA”; si dhe “Sistemet e Informacionit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina”.
Znj. Spanca ka bërë me dije se rezultatet e auditimit për “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”, tregojnë se MMPHI-ja në vitin 2021 kishte kontraktuar me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë afër gjashtë milionë euro përmes 26 kontratave aneks. 13 prej tyre janë audituar dhe vlera e tyre është mbi 4 milionë euro apo afër 70% e vlerës së kontratave të lidhura me këtë procedurë. Ndërsa për katër prej këtyre projekteve, kosto shtesë e përllogaritur përtej vlerës së kontratave aneks është mbi 4.3 milionë euro. Ky auditim ka vënë në pah se përdorimi i procedurës së negociuar, në rastet e lartcekura nuk ishte i arsyeshëm pasi që katër nga 13 kontratat aneks nuk mbulonin plotësisht kostot e projekteve në fjalë, prandaj MMPHI-ja në këto raste do të duhej që të shmangte përdorimin e procedurës së negociuar, dhe për këto katër projekte do të duhej të zbatonte procedurën e hapur. Po ashtu nga 13 kontrata për ndërtimin e rrugëve në 10 prej tyre nuk janë zbatuar afatet e përcaktuara dhe punët ende janë të pa përfunduara.
Për të siguruar se projektet që inicion Ministria janë në përputhje me kushtet në terren, zbatohen plotësisht dhe pa sfida të mëdha si dhe përfundohen me kohë e cilësinë e kontraktuar, ZKA-ja ka dhënë 11 rekomandime, ka theksuar Auditorja e Përgjithshme.
Sa i përket auditimit “Mbështetja e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë /KIESA” që përfshin periudhën 2019-2022, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se MINT-i/KIESA nuk kanë arritur efektet e duhura në përkrahjen dhe ngritjen e kapaciteteve të NVM-ve dhe Zonave Ekonomike. Po ashtu Zonat Ekonomike të themeluara nuk arrijnë t’i përmbushin nevojat e ndërmarrjeve në vend, duke i lënë investitorët të presin me vite për zgjerimin e hapësirave të biznesit dhe rritje të prodhimit dhe të punësimit.
Gjithashtu znj. Spanca ka deklaruar se MINT-i nuk ka zhvilluar strategji dhe politika për NMV dhe orientimin e tyre drejt transformimit dhe ngritjes së cilësisë dhe eksportit të produkteve të tyre drejt tregjeve të BE-së.
Nga viti 2005 deri në dhjetor të vitit 2022 kur është realizuar procesi i auditimit janë të themeluara 10 Zona Ekonomike prej të cilave katër funksionojnë si: Parku i Biznesit në Drenas, Parku i Biznesit në Mitrovicë, Parku Teknologjik në Shtime, si dhe Parku Industrial në Suharekë. Me qëllim të rregullimit të sistemit të përkrahjes së NMV-ve dhe zhvillimin e Zonave Ekonomike, ZKA-ja ka dhënë një rekomandim për qeverinë dhe shtatë për MINT/KIESA.
Kurse sa i përket auditimit të “Sistemeve të Informacionit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina“ i cili është zhvilluar si projekt paralel me Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë (KLSH), Auditorja e Përgjithshme ka thënë se KRU Prishtina nuk ka mjedis efektiv të kontrollit për të ruajtur integritetin dhe vazhdimësinë e sistemeve të TI-së, duke ndikuar kështu në mos arritjen e plotë të qëllimeve të ndërmarrjes dhe zbehur besueshmërinë e sistemeve të saj. Gjetjet e auditimit ndërlidhen me qeverisjen e teknologjisë së informacionit në KRU Prishtina, sigurinë e informacionit, vazhdimësinë e proceseve/sistemeve të TI-së, si dhe kontrollet e aplikacionit.
Për sa i përket qeverisjes se teknologjisë së informacionit në KRU Prishtina, ZKA-ja ka vërejtur se mungon planifikimi strategjik i TI-së,si dhe politikat dhe procedurat që e rregullojnë këtë fudshë. Ndërmarrja nuk ka të vendosur strukturë adekuate dhe të plotë organizative të TI-së, duke rrezikuar kështu mos përdorimin efektiv të burimeve për arritjen e objektivave.
Në fushën e Sigurisë se Informacionit, mangësitë e identifikuar ndërlidhen me vlerësimin e rrezikut, politikat e sigurisë së informacionit, menaxhimin e aseteve, burimet njerëzore dhe sigurinë e TI-së, si dhe kontrollet e qasjeve.
Në aspektin e Kontrolleve të aplikacionit është vërejtur se në aplikacionet që përdorë Kompania kishte mungesë të kontrolleve të vlefshmërisë gjatë vendosjes së të dhënave.
Me qëllim të adresimit të këtyre çështjeve të identifikuara ZKA-ja ka dhënë 18 rekomandime për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina.
Më tutje Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka njoftuar gazetarët edhe për zbatimin e Planit Vjetor të Auditimit për sezonin 2022/23 i cili ka paraparë realizimin e 134 auditime financiare, të pajtueshmërisë, performancës, prokurimit dhe Teknologjisë se Informacionit.
Znj. Spanca ka bërë me dije se aktualisht ZKA-ja është në proces të punës në teren dhe finalizimit të raporteve dhe gjatë këtij muaji do të publikohen dhjetëra sosh si: Ministria e Drejtësisë, Universiteti i Prishtinës, Komuna e Prishtinës, Komuna e Deçanit, Komuna e Vushtrrisë, Komuna e Ferizajt, Ndërmarrja Publike “Trainkos”, Ndërmarrja Publike “Uniteti” – Mitrovicë, “Ndikimi i investimeve kapitale në zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe përmirësimin e shërbimeve në KRU”, “Efektiviteti dhe ekonomia në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit (riatdhesimit)”, “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencia e Shoqërisë së Informacionit MPB” si dhe raporte të tjera për institucionet e pavarura, nivelit qendror dhe atij lokal.
Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës gjatë vitit 2022 i është nënshtruar procesit të vetëvlerësimit të performancës për vitet 2020-2021, për të ofruar një pasqyrë të saktë mbi ...
Përfitimet rreth metodologjisë së përbashkët kanë qenë temë e diskutimit në takimin e tretë rajonal në mes të Institucioneve Supreme të Auditimit të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë ...
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, dhe Ud. Drejtorit të Departamentit për Çështje Juridike dhe kundër Mashtrimeve, Natyra Kasumaj Ahmeti, të premten kanë pritur në takim ...
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shqipëri, ku ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të shënimit të 98-vjetorit të themelimit të ...