Kthehu te lista
22 Korrik 2022

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës më e besuara ndër institucionet e auditimit në rajon

BB+

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, ka publikuar Barometrin  Ballkanik për vitin 2022  ku janë prezantuar të dhënat nga hulumtimi i opinionit publik për qëndrimet e qytetarëve dhe bizneseve të vendeve të rajonit për çështjet socio-ekonomike dhe shoqërore që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme si dhe nivelin e besueshmërisë në institucionet publike dhe pavarësinë e tyre.

Në kuadër të indikatorit matës për nivelin e besueshmërisë në institucionet publike, rezulton se Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës gëzon besimin më të lartë në nivel rajonal. Afërsisht tri të katërtat apo 74% e të anketuarve janë shprehur se i besojnë këtij institucioni krahasuar me 36% sa ka qenë në vitin 2020 sipas këtij Barometri.

Ky është niveli më i lartë i besueshmërisë krahasuar me institucionet supreme të auditimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Të dhënat e Barometrit Ballkanik, poashtu tregojnë se 67% e qytetarëve të Republikës së Kosovës e perceptojnë Zyrën Kombëtare të Auditimit si institucion të pavarur nga ndikimi politik nga 32% sa ishte në vitin 2020.

Barometri i Ballkanit ka matur gjithashtu përceptimin e qytetarëve në aspektin se sa institucionet publike përgjegjëse kanë shqyrtuar punën e Qeverisë për ta mbajtur atë përgjegjëse para qytetarëve. Edhe në këtë aspekt, ZKA-ja është vlerësuar mjaft pozitivisht nga të anketuarit.

“Nga ana pozitive, Kosova kryeson edhe në këtë aspekt: 68% e të anketuarve (22% më shumë se në 2020) mendojnë se ZKA-ja është në gjendje të shqyrtojë punën e qeverisë”, është theksuar në raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit është e përkushtuar dhe në vazhdimësi angazhohet në përmbushjen e mandatit të saj kushtetues e ligjor për të rritur transparencën, efikasitetin dhe llogaridhënien e administratës publike.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.

Të ngjashme