Kthehu te lista
16 Dhjetor 2022

Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë partner kyç për zhvillimin institucional të ZKA-së

Vizita ne SNAO1

Me ftesën e Auditores së Përgjithshme të Suedisë, Helena Lindberg, Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, Qerkin Morina, Emine Fazliu, Naser Arllati, Zukë Zuka, Myrvete Gashi; ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Safet Berisha; drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj, si dhe Fjoralba Kokonozi, udhëheqëse e Njësisë së Përkthimit, kanë zhvilluar vizitë zyrtare në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë, në Stokholm.

Kjo vizitë është realizuar në kuadër të projektit “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023”. Gjatë qëndrimit në Stokholm, delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKA) së bashku me homologët e tyre suedez, kanë analizuar dhe diskutuar për të arriturat dhe sfidat me të cilat ZKA-ja ballafaqohet. Në fokus të agjendës së takimeve ishin tema me interes për ZKA-në siç janë: mjetet dhe praktikat më të mira të udhëheqjes; menaxhimi i ndryshimit i bazuar në besim dhe të qenurit organizatë e hapur; planifikimi strategjik; kontrolli i cilësisë dhe sigurimi i cilësisë; procesi i auditimit dhe standardet, si dhe integrimi ndërkombëtar dhe komunikimi.

Qëllimi i këtyre diskutimeve ishte identifikimi i nevojave të ZKA-së për mbështetje dhe planifikimi i aktiviteteve për vitin 2023 në kuadër të projektit.

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, dhe Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Helena Lindberg, kanë zhvilluar një takim bilateral, me ç’rast, znj.  Spanca, e ka falënderuar znj. Lindberg për përkrahjen e vazhdueshme për ZKA-në duke theksuar se kjo ndihmë është shumë e rëndësishme për zhvillimin profesional dhe ngritjen e kapaciteteve të institucionit. Falë edhe bashkëpunimit dhe përkrahjes nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë, ZKA-ja ka arritur rezultate të kënaqshme në përgjithësi në punën e vet, dhe ato janë janë mëse të dukshme dhe lirisht mund të shprehem e kënaqur me nivelin e arritur, u shpreh Spanca.

Nga ana e saj znj. Lindberg ka shprehur angazhimin e saj për të vazhduar mbështetjen për ZKA-në dhe zbatimin e projektit të bashkëpunimit.

Në kuadër të kësaj vizite, gjithashtu janë zhvilluar takime në mes të dy menaxhmenteve të institucioneve si dhe një vizitë në Parlamentin e Suedisë përkatësisht në sekretariatin e Komisionit për Financa.

 Auditorja e Përgjithshme u prit në takim nga ambasadorja e Kosovës në Suedi

Në kuadër të vizitës në Suedi, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj janë pritur në takim edhe nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Suedi, Sh. S. Shkendije Geci Sherifi. Me këtë rast znj. Spanca e ka njoftuar Ambasadoren për punën audituese, sfidat dhe rezultatet e auditimit. Diplomatja kosovar ka falënderuar znj. Spanca për vizitën, si dhe ka përgëzuar për punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit për një menaxhimin më të mirë  të parasë publike përmes auditimeve, respektivisht zbatimit të rekomandimeve të auditimit.

Të ngjashme