Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/28/2016 2:01:57 PM

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës priti në vizitë bilaterale Presidentin e Senatit të Institucionit Suprem të Auditimit të Malit të Zi

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka pritur sot në vizitë bilaterale, z. Milan Dabovic, President i Senatit dhe bashkëpunëtorët e tij, z. Nikola Kovaçeviç, anëtar i Senatit dhe znj. Marija Zugic, udhëheqëse e Divizionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të  Institucionit Suprem të Auditimit të Malit të Zi.

Z. Osmani, i ka njoftuar mysafirët për mandatin dhe aktivitetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në funksion të rritjes së efikasitetit të administratës publike, menaxhimit të mirë dhe kontrollit në shpenzimin e parasë publike. Ai po ashtu i ka njoftuar mysafirët nga Mali i Zi për përkrahjen institucionale dhe raportet me Parlamentin dhe Qeverinë si partnerët kryesorë të Zyrës Kombëtare të Auditimit si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe mediat me qëllim të rritjes së llogaridhënies në administratën publike të Kosovës.

Z. Osmani ka shprehur interesimin e tij për forcimin e bashkëpunimit bilateral dhe shkëmbimin e përvojave me institucionin e auditimit të Malit të Zi si dhe thellimin e bashkëpunimit me institucionet simotra të vendeve fqinje.

Presidenti i Senatit të Institucionit Suprem të Auditimit të Malit të Zi, z. Milan Dabovic uroi z.Osmani për detyrën e re si Auditor i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës dhe rikonfirmoi interesimin e tij për të vazhduar dhe thelluar edhe më tej bashkëpunimin me Zyren Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Ai shprehu bindjen që të dy institucionet mund të mësojnë shumë nga përvojat reciproke dhe ofroi mbështetjen e plotë të Institucionit Suprem të Auditimit të Malit të Zi për shkëmbime institucionale.

Me theks të veçantë janë diskutuar modalitetet e përkrahjes së Kosovës për pjesëmarrje dhe anëtarësim në strukturat e INTOSAI dhe EUROSAI.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Kryetari Veseli takoi Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani, dhe pranoi raportin e Auditimit për Kuvendin

Kryetari Veseli takoi Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani, dhe pranoi raportin e Auditimit për Kuvendin

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, Besnik Osmani dhe njëherësh, pranoi Raportin e Auditimit të Pasqyrave Financiare të Kuvendit, për vitin 2015, si dhe raportet e gjashtë institucioneve të tjera.

Duke uruar Auditorin e ri të Kosovës, me rastin e fillimit të punës në krye të këtij institucioni, kryeparlamentari Veseli e cilësoi shumë të rëndësishme për Kosovën që tani Zyrën e Auditorit e udhëheq një vendor.

Pasi pranoi raportet, kryetari Veseli ftoi të gjithë të interesuarit që t'i lexojnë dhe analizojnë ato, pasi që, nëpërmjet tyre, vërtetohet mënyra e menaxhimit dhe e shpenzimit të parave të taksapaguesve, nga ana e institucioneve publike.

"Transparenca është përgjegjësi dhe mirëqeverisja e parasë publike është detyrim yni, andaj këto raporte duhet t'i nënshtrohen vlerësimit të opinionit publik dhe të dihet mënyra e shpenzimit të parasë publike. Ftojmë institucionet gjegjëse që të bëjnë vlerësimin e këtyre raporteve dhe konform të gjeturave të tyre të ndërmarrin veprime ligjore. Ftoj, po ashtu, institucionet që kanë marrë rekomandimet, të zbatojnë rekomandimet e parealizuara edhe nga viti i shkuar dhe rekomandimet e këtij viti", theksoi kryetari Veseli.

Kreu i Kuvendit i ofroi Auditorit të Përgjithshëm mbështetje të plotë në realizimin e detyrave ligjore, duke qenë i bindur se udhëheqja e këtij institucioni është sfidë që do mbështetjen e të gjitha institucioneve.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, nga ana e tij, bëri të ditur se së shpejti do të bëhet publikimi i 104 raporteve të auditimit për institucione të ndryshme të vendit. Ai konfirmoi zotimin e tij e të institucionit që drejton, për punë profesionale dhe të paanshme, konform standardeve ndërkombëtare të auditimit.

 

Lajmi është huazuar nga uebfaqja e Kuvendit të Kosovës, http://www.kuvendikosoves.org/?cid=1,128,8018

 

 

Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm hapi punimet e punëtorisë rajonale: "Auditimi paralel i performancës në fushën e prokurimit publik"

Auditori i Përgjithshëm hapi punimet e punëtorisë rajonale: "Auditimi paralel i performancës në fushën e prokurimit publik"

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, z. Besnik Osmani, hapi sot punimet e punëtorisë rajonale: "Auditimi paralel i performancës në fushën e prokurimit publik", që po mbahet për herë të parë në Prishtinë dhe do të zhvilloj punimet nga sot deri më 30 qershor 2016. Ky organizim ka për qëllim koordinimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të punëve lidhur me auditimin paralel të performancës në fushën e prokurimit publik".

Auditori i Përgjithshëm u ka uruar mirëseardhje pjesëmarrësve nga vendet e rajonit dhe shprehu kënaqësinë që Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës është nikoqire e këtij aktiviteti. Ai me këtë rast ka theksuar se organizimi i kësaj punëtorie është një mundësi reale për të thelluar më tej bashkëpunimin regjional, për të përmirësuar cilësinë e auditimit në funksion të rritjes së llogaridhënies së zyrtarëve publik dhe për të përmirësuar qeverisjen në vendet tona.

Përvojat e përbashkëta në fushën e prokurimit, paraqesin një mundësi të shkëlqyeshme për të avancuar auditimet tona dhe për të forcuar besimin në përdorimin e fondeve publike.

Ekipe të auditimit nga Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve të rajonit si: Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Turqia dhe Kosova janë pjesëmarrës në këtë aktivitet, ndërsa i gjithë procesi i auditimit për këtë projekt deri në finalizimin e raporteve do të mbështetet nga ekspertë të Gjykatës Evropiane të Auditorëve dhe të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë.

 

Lexo më shumë