Zyra Kombëtare e Auditimit sot ka filluar punimet e Konferencës së 8-të Vjetore e cila do mbahet në datat 7 dhe 8 korrik 2016, në Hotel Amazona, ku temë diskutimi do të jetë "Roli i Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyres Kombëtare të Auditimit në përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies në Kosovë".
Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani hapi punimet e Konferencës në të cilën ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa, deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave.
Z. Osmani ka vënë në pah se kjo konferencë është një mekanizëm i rëndësishëm për të vlerësuar sezonin e sapo përfunduar të auditimit. Ai ka treguar se për sezonën e auditimit 2015/16, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer mbi 90 auditime të rregullsisë dhe 6 auditime të perfomancës, të gjitha të finalizuara sipas afatit ligjor.
Z. Osmani ka theksuar se raportimi, qeverisja dhe menaxhimi financiar dhe i kontrolleve në përgjithësi kanë shënuar progres dhe lajmi i mirë është se këtë drejtim kemi marrë në shkallë vendi. Megjithatë shqetësim mbetet implementimi i ulët i rekomandimeve të dhëna në raportet paraprake si dhe ngecjet në disa fusha të rëndësishme siç janë planifikimi i buxhetit; menaxhimi i shpenzimeve; menaxhimi i kontratave të punësimit dhe menaxhimi i pasurive jo financiare.
Ai ka falënderuar Kuvendin dhe Qeverinë për gatishmërinë që kanë treguar për trajtimin e gjetjeve të prezantuara në raportet e auditimit për rritjen e llogaridhënies në administratën publike. Ai më tej ka ftuar mediat dhe shoqërinë civile që të marrin për bazë raportet e auditimit në punën e tyre dhe të prezantojnë ato në mënyrë korrekte.
Auditori i Përgjithshëm ka ftuar të gjithë partnerët që të përvetësojmë nga shembujt e mirë rreth nesh se si mund të maksimizojmë përfitimet shtetërore nga puna audituese.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, ka shprehur kënaqësinë e tij që Kuvendi i Kosovës, bashkë me ligjin e ri për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit ka emëruar edhe auditorin e parë vendor, duke theksuar se kjo është edhe një dëshmi për pjekurinë institucionale dhe shtetformuese të popullit të Kosovës.
Z. Mustafa, është shprehur se Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet fuqishëm institucionin e Auditorit të Përgjithshëm dhe se si Kryeministër i vendit ka ritheksuar se do të respektohet plotësisht pavarësia funksionale, financiare dhe operative e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Ai ka vlerësuar Zyrën Kombëtare të Auditimit si një institucion të rëndësishëm të Kosovës, që po ndihmon institucionet qendrore dhe ato komunale në përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies. Z. Mustafa ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që t'i marr seriozisht rekomandimet e Auditorit dhe t'i implementojë ato në plotni.
Punimet e Konferencës kanë vazhduar me seancë tematike "Roli i Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyres Kombëtare të Auditimit në përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies në Kosovë", me panelin në përbërje të së cilit ishin Artan Venhari, Zëvendës Auditor i Përgjithshëm, z. Faton Topalli, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike në Kuvendin e Kosovës, Shkëlqim Hysenaj, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve dhe Florina Ujupi përfaqësuese nga BIRN.
Konferenca ka vazhduar me diskutime nga stafi i Zyrës Kombëtare të Auditimit në lidhje me përvojat dhe sfidat nga sezoni i kaluar i auditimit, me ç'rast janë dhënë rekomandime për rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së procesit të auditimit.
Konferenca do të vazhdojë punimet edhe gjatë datës 8 korrik, ku do të ketë seanca informuese për punonjësit e Zyrës Kombëtare të Auditimit rreth orientimeve strategjike të zyrës, azhurnimin dhe hartimin e rregulloreve të brendshme dhe akteve nënligjore për implementimin e ligjit të ri për Zyrën Kombëtare të Auditimit.