Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
7/11/2016 1:18:23 PM

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës priti në vizitë pune delegacionin nga Kontrolli i Lartë i Shtetit të Republikës së Shqipërisë

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani ka pritur sot në vizitë pune Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj me bashkëpunëtorë.

Z. Osmani i ka njoftuar mysafirët nga Shqipëria lidhur me aktivitetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në funksion të rritjes së efikasitetit të administratës publike, menaxhimit të mirë dhe kontrollit në shpenzimin e parasë publike. Ai po ashtu ka njoftuar mysafirët për partneritetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit me Kuvendin dhe Qeverinë si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe mediat me qëllim të rritjes së llogaridhënies në administratën publike të Kosovës. Ai shtoi se është i interesuar që këtë partneritet ta ngris në një nivel edhe më të lartë, përfshirë edhe institucionet akademike në mënyrë që puna e auditorëve të jetë sa më profesionale.

Z. Osmani, ka shprehur zotimin e tij institucional për të thelluar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve supreme të auditimit, përmes zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta në fushën e auditimit dhe implementimit të programeve për zhvillimin e vazhdueshëm profesional. Ai ka falënderuar drejtuesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë për përkrahjen e vazhdueshme për Zyren e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës dhe ka shprehur bindjen që një përkrahje e tillë nuk do të mungojë edhe për anëtarësimin e institucionit të Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar të auditimit: INTOSAI dhe EUROSAI.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj ka uruar z. Osmani për detyrën e re si Auditor i Përgjithshëm i Kosovës duke i dëshiruar punë të mbarë në arritjen e rezultateve të synuara në përmbushjen e mandatit që i ka besuar Kuvendi i Kosovës. Z. Leskaj, ka shprehur dëshirën dhe gatishmërinë e tij për mundësitë reale të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve për të ndihmuar Qeverinë dhe organizatat e audituara në menaxhimin e mirë të parasë publike.

Krerët e të dyja institucioneve u pajtuan se jo vetëm auditimi por edhe ofrimi i këshillave për organizatat e audituara është një mekanizëm i rëndësishëm në rritjen e efikasitetit në adresimin e rekomandimeve që dalin nga Institucionet Supreme të Auditimit.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që të hartohet një kalendar i aktiviteteve të përbashkëta me qëllim të shkëmbimit të përvojave reciproke.

 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Konferenca e 8-të Vjetore e Zyrës Kombëtare të Auditimit

Konferenca e 8-të Vjetore e Zyrës Kombëtare të Auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit sot ka filluar punimet e Konferencës së 8-të Vjetore e cila do mbahet në datat 7 dhe 8 korrik 2016, në Hotel Amazona, ku temë diskutimi do të jetë  "Roli i Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyres Kombëtare të Auditimit në përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies në Kosovë".

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani hapi punimet e Konferencës në të cilën ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa, deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave.

Z. Osmani ka vënë në pah se kjo konferencë është një mekanizëm i rëndësishëm për të vlerësuar sezonin e sapo përfunduar të auditimit. Ai ka treguar se për sezonën e auditimit 2015/16, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer mbi 90 auditime të rregullsisë dhe 6 auditime të perfomancës, të gjitha të finalizuara sipas afatit ligjor.

Z. Osmani ka theksuar se raportimi, qeverisja dhe menaxhimi financiar dhe i kontrolleve në përgjithësi kanë shënuar progres dhe lajmi i mirë është se këtë drejtim kemi marrë në shkallë vendi. Megjithatë shqetësim mbetet implementimi i ulët i rekomandimeve të dhëna në raportet paraprake si dhe ngecjet në disa fusha të rëndësishme siç janë planifikimi i buxhetit; menaxhimi i shpenzimeve; menaxhimi i kontratave të punësimit dhe menaxhimi i pasurive jo financiare.

Ai ka falënderuar Kuvendin dhe Qeverinë për gatishmërinë që kanë treguar për trajtimin e gjetjeve të prezantuara në raportet e auditimit për rritjen e llogaridhënies në administratën publike. Ai më tej ka ftuar mediat dhe shoqërinë civile që të marrin për bazë raportet e auditimit në punën e tyre dhe të prezantojnë ato në mënyrë korrekte.

Auditori i Përgjithshëm ka ftuar të gjithë partnerët që të përvetësojmë nga shembujt e mirë rreth nesh se si mund të maksimizojmë përfitimet shtetërore nga puna audituese.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, ka shprehur kënaqësinë e tij që Kuvendi i Kosovës, bashkë me ligjin e ri për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit ka emëruar edhe auditorin e parë vendor, duke theksuar se kjo është edhe një dëshmi për pjekurinë institucionale dhe shtetformuese të popullit të Kosovës.

Z. Mustafa, është shprehur se Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet fuqishëm institucionin e Auditorit të Përgjithshëm dhe se si Kryeministër i vendit ka ritheksuar se do të respektohet plotësisht pavarësia funksionale, financiare dhe operative e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Ai ka vlerësuar Zyrën Kombëtare të Auditimit si një institucion të rëndësishëm të Kosovës, që po ndihmon institucionet qendrore dhe ato komunale në përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies. Z. Mustafa ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që t'i marr seriozisht rekomandimet e Auditorit dhe t'i implementojë ato në plotni.

Punimet e Konferencës kanë vazhduar me seancë tematike "Roli i Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyres Kombëtare të Auditimit në përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies në Kosovë", me panelin në përbërje të së cilit ishin Artan Venhari, Zëvendës Auditor i Përgjithshëm, z. Faton Topalli, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike në Kuvendin e Kosovës, Shkëlqim Hysenaj, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve dhe Florina Ujupi përfaqësuese nga BIRN.

Konferenca ka vazhduar me diskutime nga stafi i Zyrës Kombëtare të Auditimit në lidhje me përvojat dhe sfidat nga sezoni i kaluar i auditimit, me ç'rast janë dhënë rekomandime për rritjen e efikasitetit dhe  përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së procesit të auditimit.

Konferenca do të vazhdojë punimet edhe gjatë datës 8 korrik, ku do të ketë seanca informuese për punonjësit e Zyrës Kombëtare të Auditimit rreth orientimeve strategjike të zyrës, azhurnimin dhe hartimin e rregulloreve të brendshme dhe akteve nënligjore për implementimin e ligjit të ri për Zyrën Kombëtare të Auditimit.

 

Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm ka Pritur në takim z. Murati, Ministrër i Diasporës

Auditori i Përgjithshëm ka Pritur në takim z. Murati, Ministrër i Diasporës

Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm i Kosovës, ka pritur sot në takim Ministrin e Diasporës, Valon Murati.

Gjatë këtij takimi është biseduar për raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare të vitit 2015, çështjet e ngritura në raport dhe rekomandimet e dhëna nga Auditori i Përgjithshëm.

Z. Osmani është njoftuar nga Ministri Murati, për përgatitjen e planit të veprimit nga Ministria e Diasporës për të adresuar të gjeturat e prezantuara në raport dhe implementimin e rekomandimeve të dhëna.

Z. Murati ka  vlerësuar auditimin si një mekanizëm të rëndësishëm në avancimin e menaxhimit të mirë dhe kontrollit në Ministrinë e Diasporës.

 

Lexo më shumë