Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/17/2016 8:23:28 PM

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës viziton Kontrollin e Lartë të Shtetit, takon Presidentin e Republikës dhe personalitete të tjera të vendit

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani zhvilloi sot më datë 17 tetor 2016 një vizitë pune në Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Në takimin me Kryetarin e KLSH, z. Bujar Leskaj, z. Osmani, duke vlerësuar partneritetin e ngushtë të dy institucioneve supreme të auditimit të Kosovës dhe Shqipërisë, të nisur me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në shkurt të vitit 2012, bëri një prezantim të punës dhe rezultateve të institucionit të tij pas emërimit të tij si Auditor i Përgjithshëm në mars 2016, si dhe të riorganizimit dhe ndryshimeve thelbësore të fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të Kosovës, duke fituar një qasje më efektive në auditim, e orientuar nga auditime më cilësore dhe më pranë qytetarit kosovar, si dhe me informacione më të drejtpërdrejta për Kuvendin e Kosovës.

Z. Leskaj prezantoi punën e institucionit të KLSH gjatë vitit 2016, rezultatet dhe auditimet më të rëndësishme, si dhe kontributin e institucionit për përmirësimin e mirëqeverisjes publike, nëpërmjet thellimit te luftës kundër korrupsionit.

Më tej, të dy drejtuesit e institucioneve supreme të auditimit të Kosovës dhe Shqipërisë diskutuan për planin e ardhshëm të aktiviteteve, si në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh dhe në atë më të gjerë të bashkëpunimit rajonal dhe mbarë evropian mes institucioneve anëtare të organizatës EUROSAI. Aktivitetet do të jenë të larmishme, nga shkëmbimi i përvojave në nivel praktik dhe teknik për zbatimin e plotë të standardeve ndërkombëtare të auditimit publik dhe praktikave të mira evropiane, nëpërmjet seminareve dhe konferencave vjetore individuale ose të përbashkëta, e deri tek auditime të përbashkëta për tema me rëndësi si për ekonominë dhe administrimin publik të Kosovës, ashtu dhe të Shqipërisë. Për këtë qëllim, do të rinovohet marrëveshja e lidhur mes dy institucioneve në vitin 2012, duke zgjeruar gamën e aktiviteteve të përbashkëta dhe duke përfshirë Planin e Veprimit KLSH-ZKA të vitit 2017.

Z. Osmani u takua dhe me Prof. Dr. Lindita Lati, Kryetaren e Autoritetit të Konkurrencës së Shqipërisë. Zj. Lati e njohu Kryeaudituesin e Kosovës me eksperiencën e një partneriteti të suksesshëm me KLSH, të nisur që në vitin 2012, me shkëmbimin e informacioneve dhe të rasteve kur aktiviteti i strukturave publike sillte deformimin e konkurrencës në treg.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës u takua në mesditë me Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe të Konfliktit të Interesave z. Shkëlqim Ganaj. Z. Ganaj i paraqiti z. Osmani rezultatet e bashkëpunimit me KLSH dhe praktikën efiçiente të deritanishme të shkëmbimit të indicieve mes të dyja institucioneve të kontrollit.

Në mjediset e KLSH, z. Besnik Osmani u takua dhe me deputetin e Kuvendit z. Florjon Mima, një nga themeluesit e sistemit modern fiskal të Shqipërisë dhe personalitet i mendimit ekonomik shqiptar. Z. Osmani dhe z. Mima kanë dhënë kontribut të përbashkët në ndërtimin e sistemit fiskal të Kosovës. Z. Mima e njohu Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës me raportet e frytshme të punës që Komisioni për Ekonominë dhe Financat ku ai bën pjesë, ka me institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Z. Osmani nga ana e tij solli praktikën shumë pozitive dhe efektive të bashkëpunimit mes Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës.

Në orën 16.00, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës takoi Presidentin e Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani. Presidenti  vlerësoi kontributin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në mirëqeverisjen publike të shtetit më të ri të Evropës.

 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori i Përgjithshëm ka vizituar Komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës Veriore

Auditori i Përgjithshëm ka vizituar Komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës Veriore

Auditori i Përgjithshëm, z. Osmani, i shoqëruar nga Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Qerkin Morina dhe Drejtori i Departamentit për auditimin e Komunave Qendër Veri, Zukë Zuka, dje gjatë ditës, 5 tetor 2016, kanë vizituar Komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës Veriore, ku janë takuar me Kryetarët e këtyre komunave.

Me këtë rast kanë biseduar për raportet individuale të auditimit dhe mundësitë për implementimin e rekomandimeve. Me theks të veçantë është diskutuar për kapacitetet administrative për përpilimin e pasqyrave nëntë mujore financiare. Kryetarët e komunave janë informuar me planin vjetor të auditimit si dhe janë prezantuar ekipet auditues që dje kanë filluar audimin e këtyre komunave.

Auditori i Përgjithshëm, i ka inkurajuar krerët komunal që të përkushtohen  në ngritjen e strukturave administrative komunale të qëndrueshme dhe profesionale në mënyrë që të sigurohet cilësia e shërbimeve publike lokale për qytetarët dhe të forcohen mekanizmat e kontrollit të brendshëm.

Kjo vizitë është realizuar në kuadër të planit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, për të sensibilizuar institucionin dhe publikun për përfshirje më serioze në implementimin e rekomandimeve dhe do të vazhdojë me institucionet tjera që janë subjekt i auditimit.

 

 

Lexo më shumë
Drejtori i AKK-së Shaip Havolli priti sot në takim Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani

Drejtori i AKK-së Shaip Havolli priti sot në takim Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, z. Shaip Havolli, ka pritur sot në takim  Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës z.  Besnik Osmani. Në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në kuadër të kompetencave ligjore përkatëse.

Krerët e të dy institucioneve u pajtuan se në përpjekjen e përbashkët për të rritur transparencën dhe llogaridhënien dhe për të përmirësuar qeverisjen në administratën publike, nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë në mes të Zyres Kombëtare të Auditimit dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Auditori i përgjithshëm, z. Besnik Osmani duke i uruar detyrën e re z.Havolli, shprehu interesimin e tij për të vendosur një komunikim të rregullt me Agjencinë Kundër Korrupsionit në mënyrë që të bashkërëndohen aktivitetet për rritjen e efikasitetit në implementimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e Auditorit të Përgjithshëm për organizatat buxhetore.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, z. Shaip Havolli theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Zyren e Auditorit të Përgjithshëm, me fokus në shfrytëzimin e raporteve të Zyres Kombëtare të Auditimit, si burim i besueshëm i informatave, me qëllim të trajtimit të rasteve të natyrës administrative.

 

 

Lexo më shumë