Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/14/2016 4:47:43 PM

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës priti sot në takim Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, ka pritur në takim njoftues, Shkëlqesinë e tij z. Per Strand Sjaastad, Ambasador i Norvegjisë në Kosovë.

Auditori i Përgjithshëm e ka informuar ambasadorin Sjaastad, me aktivitetet audituese si dhe objektivat e tij strategjike, të Zyrës Kombëtare të Auditimit, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të qeverisjes dhe llogaridhënies në institucionet publike të Kosovës. .  Po ashtu, z. Osmani e ka uruar Ambasadorin për detyrën e marrë dhe i ka shprehur vullnetin dhe dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin.

Ambasadori Sjaastad,  ka shprehur gatishmërinë e tij dhe vendit të tij, për të përkrahur  Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit.  Ai ka theksuar përkushtimin që Qeveria e Norvegjisë ka në mbështetjen e Kosovës në sigurimin e qeverisjes së mirë dhe forcimin e mëtutjeshëm të menaxhimit të mirë dhe kontrollit të financave publike.

 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Përfundon punimet Kongresi i 22-të i ONISA-s në të cilin për herë të parë mori pjesë edhe Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës

Përfundon punimet Kongresi i 22-të i ONISA-s në të cilin për herë të parë mori pjesë edhe Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës

Dr. Harib Saeed Al Amimi dhe Z. Besnik Osmani

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, me bashkëpunëtorë, mori pjesë në punimet e Kongresit të 22-të të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (ONISA).  Kongresi i 22-të i ONISA-s u mbajt në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe nga data 7-11 dhjetor 2016. Tema kryesore e këtij Kongresi ishte: "Si Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit mund të kontribuojë në agjendën e OKB-së 2030 për zhvillim të qëndrueshëm, qeverisje të mirë dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit?".

Kongresi mori një sërë vendimesh, miratoi plotësim-ndryshimin e një numri standardesh të auditimit, zgjodhi kryetarin dhe anëtarët e Bordit drejtues si dhe miratoi Deklaratën e Abu Dhabit.

Gjatë zhvillimit të punimeve të Kongresit, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Osmani ka zhvilluar takime me drejtues të ONISA-s dhe homologë nga vende të ndryshme të botës. Me këtë rast ai takoi kryetarin e ri të Bordit drejtues të ONISA-s Dr. Harib Saeed Al Amimi, i cili është njëkohësisht edhe President i Institucionit Shtetëror të Auditimit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sekretaren e përgjithshme të ONISA-s Dr. Margit Kraker, njëkohësisht edhe Presidente e  Gjykatës së Auditorëve të Republikës së Austrisë, anëtarin e Bordit drejtues të ONISA-s, z. Krzysztof Kwiatkowski, njëkohësisht edhe President i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, Presidentin e Gjykatës Evropiane të Auditorëve, z. Klaus-Heiner Lehne, ish-Presidentin e Gjykatës Evropiane të Auditorëve dhe Presidentin e Gjykatës së Auditorëve të Portugalisë, z. Vitor Caldeira, Drejtorin e përgjithshëm të Iniciativës për Zhvillim të ONISA-s, z. Einar Gorrissen, Presidentin e Zyrës Shtetërore të Auditimit të Hungarisë z. László Domokos, Kryetarin e Këshillit të Lartë Shtetëror të Shqipërisë, z. Bujar Leskaj, Zëvendës Auditorin e Përgjithshëm të Suedisë, z. Magnus Lindell.

Gjatë këtyre takimeve z. Osmani ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave specifike bilaterale me organizatat simotra si dhe për përfshirjen e Zyres Kombëtare të Auditimit në aktivitetet e ONISA-s, programet e Iniciativës për Zhvillim të ONISA-s, si dhe projektet e Gjykatës Evropiane të Auditorëve. Në këto takime, bashkëbiseduesit e z. Osmani kanë treguar një gatishmëri të plotë për të ndihmuar Zyrën Kombëtare të Auditimit që të integrohet në projekte të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e auditimit.

Kjo është hera e parë që Zyra Kombëtare e Auditimit merr pjesë në një Kongres të ONISA-s, anëtare e së cilës aspiron të bëhet në të ardhmen. ONISA është një organizatë autonome, e pavarur dhe jo-politike me status special konsultativ në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara dhe përfaqëson 194 institucione supreme të auditimit nga mbarë bota. Sekretariati i përgjithshëm i ONISA-s ka selinë në Vjenë.

 

 

Lexo më shumë
Performanca Financiare në ofrimin e shërbimeve dhe llogaridhënies në nivel lokal

Performanca Financiare në ofrimin e shërbimeve dhe llogaridhënies në nivel lokal

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës bashkë me Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, sot kanë organizuar punëtorinë për vlerësimin e performancës financiare në ofrimin e shërbimeve dhe llogaridhënies në nivel lokal. Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, në fjalën e tij në hapje të kësaj punëtorie, foli për procesin e auditimit dhe rëndësinë e diskutimit dhe adresimit të rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit. Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, z. Qerkin Morina,  në mënyrë të detalizuar ka prezantuar sfidat kryesore të raportimit financiar, sfidat buxhetore dhe sfidat e prokurimit publik me të cilat janë përballur komunat gjatë vitit 2015. Pjesë e trajtimit ishin edhe opinionet e auditimit dhe niveli i zbatimit të rekomandimeve në vitet paraprake. Përveç kësaj, në mënyrë analitike janë prezantuar edhe treguesit kyç të performancës financiare nga tetë fushat kryesore: Investimet kapitale, Të hyrat vetjake, Shpenzimet e reprezentacionit, telefonisë dhe derivateve, Donacionet e jashtme, Kontratat për shërbime të veçanta, Detyrimet e pa paguara dhe Llogaritë e arkëtueshme, Lejet ndërtimore dhe Subvencionimi i studentëve. Krahas gjetjeve të auditimit për vitin 2015, janë dhënë edhe rekomandimet adekuate për masa përmirësuese në vitet e ardhme Kjo punëtori ka për qëllim diskutimin e çështjeve që ndërlidhen me funksionimin e institucioneve komunale, performancën e tyre financiare dhe llogaridhënien ndaj qytetarëve, me fokus të veçantë zbatimin e rekomandimeve që dalin nga raportet e auditimit për komunat. Në këtë punëtori, përfaqësues të pushtetit lokal dhe atij qendror si dhe të Asociacionit të Komunave dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, patën rastin të diskutojnë për përparimin e shënuar dhe sfidat me të cilat ballafaqohen Komunat.
Lexo më shumë