Dr. Harib Saeed Al Amimi dhe Z. Besnik Osmani
Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, me bashkëpunëtorë, mori pjesë në punimet e Kongresit të 22-të të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (ONISA). Kongresi i 22-të i ONISA-s u mbajt në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe nga data 7-11 dhjetor 2016. Tema kryesore e këtij Kongresi ishte: "Si Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit mund të kontribuojë në agjendën e OKB-së 2030 për zhvillim të qëndrueshëm, qeverisje të mirë dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit?".
Kongresi mori një sërë vendimesh, miratoi plotësim-ndryshimin e një numri standardesh të auditimit, zgjodhi kryetarin dhe anëtarët e Bordit drejtues si dhe miratoi Deklaratën e Abu Dhabit.
Gjatë zhvillimit të punimeve të Kongresit, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Osmani ka zhvilluar takime me drejtues të ONISA-s dhe homologë nga vende të ndryshme të botës. Me këtë rast ai takoi kryetarin e ri të Bordit drejtues të ONISA-s Dr. Harib Saeed Al Amimi, i cili është njëkohësisht edhe President i Institucionit Shtetëror të Auditimit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sekretaren e përgjithshme të ONISA-s Dr. Margit Kraker, njëkohësisht edhe Presidente e Gjykatës së Auditorëve të Republikës së Austrisë, anëtarin e Bordit drejtues të ONISA-s, z. Krzysztof Kwiatkowski, njëkohësisht edhe President i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, Presidentin e Gjykatës Evropiane të Auditorëve, z. Klaus-Heiner Lehne, ish-Presidentin e Gjykatës Evropiane të Auditorëve dhe Presidentin e Gjykatës së Auditorëve të Portugalisë, z. Vitor Caldeira, Drejtorin e përgjithshëm të Iniciativës për Zhvillim të ONISA-s, z. Einar Gorrissen, Presidentin e Zyrës Shtetërore të Auditimit të Hungarisë z. László Domokos, Kryetarin e Këshillit të Lartë Shtetëror të Shqipërisë, z. Bujar Leskaj, Zëvendës Auditorin e Përgjithshëm të Suedisë, z. Magnus Lindell.
Gjatë këtyre takimeve z. Osmani ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave specifike bilaterale me organizatat simotra si dhe për përfshirjen e Zyres Kombëtare të Auditimit në aktivitetet e ONISA-s, programet e Iniciativës për Zhvillim të ONISA-s, si dhe projektet e Gjykatës Evropiane të Auditorëve. Në këto takime, bashkëbiseduesit e z. Osmani kanë treguar një gatishmëri të plotë për të ndihmuar Zyrën Kombëtare të Auditimit që të integrohet në projekte të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e auditimit.
Kjo është hera e parë që Zyra Kombëtare e Auditimit merr pjesë në një Kongres të ONISA-s, anëtare e së cilës aspiron të bëhet në të ardhmen. ONISA është një organizatë autonome, e pavarur dhe jo-politike me status special konsultativ në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara dhe përfaqëson 194 institucione supreme të auditimit nga mbarë bota. Sekretariati i përgjithshëm i ONISA-s ka selinë në Vjenë.