Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
2/2/2017 2:30:11 PM

Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike zhvilloi një vizitë pune në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka zhvilluar një vizitë pune në  Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) me qëllim të njohjes më për së afërmi me ambientin e punës së auditorëve të jashtëm si dhe kapacitetet dhe burimet që Zyra Kombëtare e Auditimit ka në dispozicion për të përmbushur detyrat dhe mandatin e vet kushtetues. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka informuar anëtarët e Komisionit për aktivitetet audituese në kuadër të realizimit të planit vjetor të auditimit, objektivat strategjike të ZKA-së, zhvillimin e kapaciteteve audituese të ZKA-së si dhe përgatitjet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit si ONISA dhe EUROSAI. Z. Osmani ka theksuar edhe një herë që Zyra Kombëtare e Auditimit, përmes auditimeve profesionale,  do t'i ofrojë Kuvendit informata të sakta dhe të qarta lidhur me përdorimin e parasë publike nga administrata e shtetit dhe do të ndihmojë Qeverinë në përmirësimin e efikasitetit të ofrimit të shërbimeve publike në nivel kombëtar dhe lokal. Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike kanë vlerësuar lartë punën e Zyres Kombëtare të Auditimit dhe kanë përgëzuar auditorët e jashtëm për profesionalizimin që kanë treguar në vazhdimësi. Ata kanë theksuar se puna e Zyrës Kombëtare të Auditimit i ndihmon Kuvendit për të marrë vendime të drejta dhe për të mbajtur Qeverinë llogaridhënëse. Anëtarët e Komisionit kanë shprehur interesimin që të kenë takime më të shpeshta me ZKA-në gjatë këtij viti në mënyrë që të rritet cilësia e punës së Komisionit në rishikimin e raporteve të auditimit dhe në këtë mënyrë të rritet llogaridhënia dhe përgjegjësia në administratën publike. Gjatë takimit u zhvillua diskutim i hapur në mes të anëtarëve të Komisionit dhe menaxhmentit të ZKA-së, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit, koordinimit të dorëzimit të raporteve të auditimit në Kuvend dhe shqyrtimin e tyre me kohë nga Komisioni.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Fillojnë trajnimet profesionale të auditorëve në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Fillojnë trajnimet profesionale të auditorëve në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Në kuadër të investimit në edukimin e vazhdueshëm të auditorëve në ZKA kanë filluar trajnimet profesionale, nga data 24 janar deri me 15 shkurt 2017, auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit do të ndjekin trajnimet profesionale, sipas planit vjetor të trajnimeve. Qëllimi i trajnimeve është freskimi dhe azhurnimi i njohurive dhe zhvillimi i shkathtësive teknike dhe shkathtësive të buta dhe menaxheriale. Përveç tjerash në fokus të trajnimeve do të jetë trajtimi i temave  për njohjen e entitetit dhe vlerësimi i rrezikut të vetvetishëm, ndryshimet në bazën ligjore dhe rregullative, kontabiliteti akrual dhe qasja e auditimit të ndërmarrjeve publike si dhe auditimi i pajtueshmërisë dhe materialiteti. Zyra Kombëtare e Auditimit, për nevoja të veta dhe mirëmbajtje të zhvillimit të vazhdueshëm profesional, zhvillon planin vjetor të trajnimeve. Trajnimet realizohen në dy faza, e para gjatë muajve janar - shkurt dhe e dyta korrik - shtator të çdo viti.  Përveç trajnerëve vendor, trajnimet mbahen edhe nga ekspertë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë.  
Lexo më shumë
Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës merr pjesë në programin e EUROSAI - Takim i auditimit të përbashkët "Cilësia e Ajrit"

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës merr pjesë në programin e EUROSAI - Takim i auditimit të përbashkët "Cilësia e Ajrit"

Në datat 26 dhe 27 janar 2017, në Krakov të Polonisë, përfaqësues të Zyrës Kombëtare të Auditimit morën pjesë në takimin e parë të programit të auditimit të përbashkët "Cilësia e Ajrit". Ky auditim është paraparë të kryhet në kuadër të aktiviteteve të programit të Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI) e cila aktualisht përbëhet nga 50 anëtarë. Nikoqir i këtij takimi ishte Institucioni Suprem i Auditimit të Polonisë , ndërsa bashkë me Gjykatën Holandeze të Auditimit janë koordinatorë të këtij auditimi të përbashkët. Në këtë takim u prezantuan auditime të cilësisë së ajrit me përvoja të vendeve të ndryshme si Polonia, Izraeli dhe Spanja. Agjencia Evropiane e Mjedisit gjithashtu prezantoi një raport përmbledhës mbi cilësinë e ajrit në Evropë. Gjykata Evropiane e Auditorëve dhanë kontributin e tyre mbi përcaktimin e kritereve dhe pyetjeve të auditimit. Auditorët e performancës Drilon Shala dhe Labinot Sadiku do të jenë pjesë e këtij auditimi të përbashkët, i cili pritet të finalizohet në tre mujorin e parë të vitit 2018. Për këtë qëllim gjatë takimit u diskutuan edhe afatet kohore të realizimit të auditimeve individuale si dhe kontributi i secilit shtet pjesëmarrës në raportin e përbashkët që pritet të përpilohet në fund të këtij auditimi. Përveç Kosovës, pjesëmarrës ishin përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit të Shqipërisë, Spanjës, Gjeorgjisë, Bullgarisë, Estonisë, Hungarisë, Izraelit, Maqedonisë, Moldavisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe  Zvicrës. Tjerë përfaqësues ishin edhe Gjykata Evropiane e Auditorëve dhe Agjencia Evropiane e Mjedisit. Fakti që Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës merr pjesë në një auditim të përbashkët të organizuar në nivel Evropian është një hap i suksesshëm drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të zyrës dhe stafit të saj si dhe krijon mundësinë e krijimit të kontakteve të cilat do të shërbejnë për bashkëpunim të mëtutjeshme.
Lexo më shumë