Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
2/6/2017 8:38:31 AM

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës merr pjesë në programin e EUROSAI - Takim i auditimit të përbashkët "Cilësia e Ajrit"

Në datat 26 dhe 27 janar 2017, në Krakov të Polonisë, përfaqësues të Zyrës Kombëtare të Auditimit morën pjesë në takimin e parë të programit të auditimit të përbashkët "Cilësia e Ajrit". Ky auditim është paraparë të kryhet në kuadër të aktiviteteve të programit të Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI) e cila aktualisht përbëhet nga 50 anëtarë. Nikoqir i këtij takimi ishte Institucioni Suprem i Auditimit të Polonisë , ndërsa bashkë me Gjykatën Holandeze të Auditimit janë koordinatorë të këtij auditimi të përbashkët. Në këtë takim u prezantuan auditime të cilësisë së ajrit me përvoja të vendeve të ndryshme si Polonia, Izraeli dhe Spanja. Agjencia Evropiane e Mjedisit gjithashtu prezantoi një raport përmbledhës mbi cilësinë e ajrit në Evropë. Gjykata Evropiane e Auditorëve dhanë kontributin e tyre mbi përcaktimin e kritereve dhe pyetjeve të auditimit. Auditorët e performancës Drilon Shala dhe Labinot Sadiku do të jenë pjesë e këtij auditimi të përbashkët, i cili pritet të finalizohet në tre mujorin e parë të vitit 2018. Për këtë qëllim gjatë takimit u diskutuan edhe afatet kohore të realizimit të auditimeve individuale si dhe kontributi i secilit shtet pjesëmarrës në raportin e përbashkët që pritet të përpilohet në fund të këtij auditimi. Përveç Kosovës, pjesëmarrës ishin përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit të Shqipërisë, Spanjës, Gjeorgjisë, Bullgarisë, Estonisë, Hungarisë, Izraelit, Maqedonisë, Moldavisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe  Zvicrës. Tjerë përfaqësues ishin edhe Gjykata Evropiane e Auditorëve dhe Agjencia Evropiane e Mjedisit. Fakti që Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës merr pjesë në një auditim të përbashkët të organizuar në nivel Evropian është një hap i suksesshëm drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të zyrës dhe stafit të saj si dhe krijon mundësinë e krijimit të kontakteve të cilat do të shërbejnë për bashkëpunim të mëtutjeshme.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike zhvilloi një vizitë pune në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike zhvilloi një vizitë pune në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka zhvilluar një vizitë pune në  Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) me qëllim të njohjes më për së afërmi me ambientin e punës së auditorëve të jashtëm si dhe kapacitetet dhe burimet që Zyra Kombëtare e Auditimit ka në dispozicion për të përmbushur detyrat dhe mandatin e vet kushtetues. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka informuar anëtarët e Komisionit për aktivitetet audituese në kuadër të realizimit të planit vjetor të auditimit, objektivat strategjike të ZKA-së, zhvillimin e kapaciteteve audituese të ZKA-së si dhe përgatitjet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit si ONISA dhe EUROSAI. Z. Osmani ka theksuar edhe një herë që Zyra Kombëtare e Auditimit, përmes auditimeve profesionale,  do t'i ofrojë Kuvendit informata të sakta dhe të qarta lidhur me përdorimin e parasë publike nga administrata e shtetit dhe do të ndihmojë Qeverinë në përmirësimin e efikasitetit të ofrimit të shërbimeve publike në nivel kombëtar dhe lokal. Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike kanë vlerësuar lartë punën e Zyres Kombëtare të Auditimit dhe kanë përgëzuar auditorët e jashtëm për profesionalizimin që kanë treguar në vazhdimësi. Ata kanë theksuar se puna e Zyrës Kombëtare të Auditimit i ndihmon Kuvendit për të marrë vendime të drejta dhe për të mbajtur Qeverinë llogaridhënëse. Anëtarët e Komisionit kanë shprehur interesimin që të kenë takime më të shpeshta me ZKA-në gjatë këtij viti në mënyrë që të rritet cilësia e punës së Komisionit në rishikimin e raporteve të auditimit dhe në këtë mënyrë të rritet llogaridhënia dhe përgjegjësia në administratën publike. Gjatë takimit u zhvillua diskutim i hapur në mes të anëtarëve të Komisionit dhe menaxhmentit të ZKA-së, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit, koordinimit të dorëzimit të raporteve të auditimit në Kuvend dhe shqyrtimin e tyre me kohë nga Komisioni.
Lexo më shumë
Administrimi i Programit për Trajtim të Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike

Administrimi i Programit për Trajtim të Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të performancës me titull "Administrimi i Programit për Trajtim të Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike". Për të ndihmuar pacientët në nevojë, të cilëve nuk mund tu ofrohet shërim brenda Institucioneve Shëndetësore Publike, Ministria e Shëndetësisë ka krijuar Programin për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, përmes të cilit subvencionon trajtimin mjekësor brenda dhe jashtë vendit. Për të rregulluar këtë çështje Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë udhëzimin administrativ UA 15/2013. Përmes këtij programi dhe bazuar në UA, sipas mundësive financiare me kompensim nga Buxheti i Republikës së Kosovës, MSH subvencionon trajtimin mjekësor të qytetarëve të Kosovës, të diagnostikuar me sëmundje të cilat nuk mund të trajtohen në Institucionet Publike Shëndetësore. Programi parasheh që qytetarëve tu ofrohet trajtim mjekësor në institucione shëndetësore private në vend dhe në institucione shëndetësore publike dhe private jashtë vendit.  Për këtë qëllim, për vitin 2015 ishin alokuar 7.8 mln.€ dhe për vitin 2014 ishin alokuar 7.9 mln.€. Objektivë e jona gjatë auditimit ishte të vlerësohet nëse akterët përgjegjës brenda Ministrisë së Shëndetësisë janë duke e administruar programin në mënyrën e duhur dhe nëse Ministria po përmbush qëllimin për të cilin është krijuar ky program. Gjatë procesit auditues ne kemi konstatuar se: nuk ekziston një bazë e sigurt e të dhënave e cila do të shmangte ndërhyrjet në radhën e aplikimit; Bordi Ekzekutiv nuk evidenton nëse aplikacionet shqyrtohen sipas prioriteteve; nuk ka mënyrë të definuar për të monitoruar rrjedhën e shpenzimit të mjeteve financiare të alokuara për trajtim të pacientëve. Një gjendje e tillë mund të shpie deri te krijimi i borxheve, mjeteve të mbetura në këto klinika si dhe eventualisht shfrytëzimin e mjeteve për qëllime tjera e jo sipas destinimit. Bazuar në të gjeturat e auditimit, ne kemi përfunduar se ka hapësirë dhe mundësi për të përmirësuar mënyrën aktuale të menaxhimit të këtij programi. Ne kemi rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë që në bashkëpunim me akterët tjerë përgjegjës të sigurojë:
  • Vendosjen e një aplikacioni softverik për regjistrimin, menaxhimin dhe përpunimin e të dhënave të aplikuesve;
  • Komisioni për Vlerësim Mjekësor pas shqyrtimit të aplikacioneve, të përpiloj dhe zyrtarizoj një listë me emra sipas datës së aplikimit/ shqyrtimit;
  • Përpilimi i një liste të institucioneve Shëndetësore ku pacientët e kryejnë trajtimin. Lidhur me këtë MSH duhet të vendos një linjë komunikimi me të gjitha këto institucione shëndetësore, ofruese të shërbimeve dhe të zhvillojë forma për të monitoruar rrjedhën e shpenzimit të mjeteve financiare.
Raportin e plotë mund ta lexoni në uebfaqen tonë: www.zka-rks.org  
Lexo më shumë