Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/2/2017 12:07:09 PM

Procesi i rishikimit të teksteve shkollore

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të performancës me titull "Procesi i rishikimit të teksteve shkollore". Arsimi cilësor është e vetmja mënyrë për të rritur mundësitë e nxënësve për arsimim të mëtejshëm dhe për punësim më të mirë. Cilësia në arsim është një çështje komplekse dhe është e lidhur edhe me qeverisjen dhe udhëheqjen, si dhe me infrastrukturën, përgatitjen dhe trajnimin e mësimdhënësve si dhe cilësinë e kurrikulave dhe teksteve shkollore. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në vitin 2015 ka iniciuar procesin e rishikimit të teksteve shkollore me qëllim të përmirësimit të tyre. Përmes këtij auditimi, kemi vlerësuar aktivitetet e ndërmarra nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, respektivisht Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore me qëllim të arritjes së objektivave të synuara gjatë procesit të rishikimit të teksteve shkollore. Ne vlerësojmë se aktivitetet e kryera nga Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore gjatë procesit të rishikimit të teksteve shkollore, nuk kanë arritur qëllimet e synuara. Procesi i rishikimit ka rezultuar me tekste shkollore të përmirësuara në përqindje të vogla dhe përgjithësisht të natyrës teknike. Objektiva lidhur me lehtësimin e çantës shkollore nuk është prekur fare, ndërkohë që vendimi për të botuar të gjithë tirazhin e teksteve shkollore, përfshirë ato që nuk i janë nënshtruar rishikimit, ka krijuar shpenzime të mëdha e jo kursime siç ishte synuar fillimisht. Iniciativa për të rishikuar tekstet shkollore ishte e qëlluar dhe e domosdoshme.  Mirëpo, ne vlerësojmë se do të duhej të lejohej më shumë kohë në dispozicion si dhe komunikim e bashkërenditje të aktiviteteve në mes të pjesëmarrësve të përfshirë në proces. Këshilli do të duhej të kishte kritere më të qarta në bazë të të cilave do kryente rishikimet si dhe duhet të ishin më të kujdesshëm në marrjen e vendimeve se cilat tekste duhet të ribotohen duke pasur parasysh përqindjen e ulët të ndryshimeve, natyrën e ndryshimeve dhe faktin se disa prej teksteve nuk ishin rishikuar fare. Gjithashtu, nuk është bërë ndonjë analizë e mirëfilltë nga Këshilli apo Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lidhur me implikimet financiare të ribotimit të teksteve shkollore. Me qëllim të krijimit të mekanizmave të duhur dhe të qëndrueshëm të rishikimit të teksteve shkollore, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duhet që përmes një udhëzimi administrativ apo ndonjë rregulloreje të brendshme, të definojë qartë përgjegjësitë e të gjithë akterëve të përfshirë në proces të rishikimit si dhe të jetë transparente në emërimin e recensentëve dhe monitorimin e punës së tyre apo të çfarëdo subjekti tjetër që ka rolin e rishikimit të teksteve shkollore.  Gjithashtu, Këshilli duhet të angazhojë ekspertë të fushave të ndryshme, të bëjë planifikim të arsyeshëm kohor për të finalizuar rishikimet e teksteve shkollore, dhe të ndërmerr  një analizë të duhur dhe të detajuar financiare përpara se të merret një vendim për ribotim të teksteve shkollore. Raportin e plotë mund ta lexoni në ueb faqen tonë: www.zka-rks.org

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës mori pjesë në Konferencën Vjetore  të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës mori pjesë në Konferencën Vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani mori pjesë në punimet e Konferencës Vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) të Republikës së Shqipërisë.

Në hapje të punimeve të Konferencës, z. Osmani përgëzoi drejtuesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit për arritjet dhe punën e bërë gjatë vitit 2016 dhe prezantoi aspekte të performancës institucionale të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Z. Osmani u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin në mes të dy institucioneve më të larta supreme të auditimit të Shqipërisë dhe Kosovës në realizimin e aktiviteteve sipas Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar në nëntor 2016, si dhe falënderoi kryetarin e KLSH-së z. Leskaj, për mbështetjen që KLSH po i jep ZKA-së në proceset e integrimit në organizatat ndërkombëtare.
Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm i Kosovës vizitoi Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës vizitoi Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi

Me datë 15 mars 2017, Auditori i Përgjithshëm,  Besnik Osmani, ka zhvilluar vizitë bilaterale në Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi. Z. Osmani gjatë kësaj vizite ka zhvilluar takim me z. Milan Dabovic, President i Senatit dhe Nikola N. Kovacevic, Branislav Radulovic dhe Zoran Jelic anëtarë të Senatit të këtij institucioni. Në këtë takim z. Dabovic e ka njoftuar z. Osmani për kompetencat e Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, dokumentet strategjike dhe bashkëpunimin që ky institucion ka me Parlamentin dhe Qeverinë e Malit të Zi. Nga ana e tij, z. Osmani, ka shprehur vlerësimin për punën dhe arritjet e këtij institucioni dhe ka konfirmuar edhe një herë gatishmërinë dhe interesimin që bashkëpunimi ndërmjet të dyja institucioneve të thellohet tutje siç ishte biseduar gjatë vizitës së z. Dabovic, në qershor të vitit të kaluar në Prishtinë. Krerët e të dyja institucioneve kanë arritur në pajtim të plotë  për fushat, oraret dhe çështjet tjera të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Podgoricë, Auditori i Përgjithshëm ka zhvilluar takime me kryetarin e komisionit parlamentar për ekonomi, financa dhe buxhet të Malit të Zi, Vujica Lazovic, dhe anëtarë tjerë, si dhe Drejtoren e përgjithshme të Drejtorisë për Harmonizimin Qendror të Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Financave, znj. Ana Krsmanovic.

Bashkë me Auditorin e Përgjithshëm në këtë vizitë ishin edhe Imri Semetishti, Drejtor i Departamentit Ligjor dhe Mirlinda Ahmeti, Drejtore për Auditimet e Performancës në Zyrën Kombëtare të Auditimit.
Lexo më shumë