Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/26/2024 5:26:00 PM

Auditorja e Përgjithshme pret në takim përfaqësuesin e misionit të FMN-së

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca priti sot në takim përfaqësuesin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) z. Javier Kapsoli, Ekonomist i Lartë nga Departamenti Evropian. Ky mision ndërlidhet me rishikimin e dytë të Marrëveshjes së kujdesit paraprak Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF) që Kosova ka me FMN-në.

Palët biseduan mbi procesin e auditimit, rezultatet kryesore të Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2022, si dhe rezultatet e auditimit që ndërlidhen me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Pas informimit të përfaqësuesit të FMN-së lidhur me mandatin, rolin dhe fushëveprimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) si dhe rezultatet e auditimit, Auditorja e Përgjithshme theksoi rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e auditimit duke nënvizuar edhe nevojën për vlerësime gjithëpërfshirëse dhe objektive.

Përfaqësuesi i misionit, duke vlerësuar punën e ZKA-së, e njoftoi Auditoren e Përgjithshme në lidhje me misionin e FMN-së, duke theksuar rëndësinë e mbikëqyrjes efektive në institucione publike. Ai gjithashtu vuri në pah ndikimin e auditimit në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike.

Në takim të pranishëm ishin edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Zukë Zuka dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit Faruk Rrahmani.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Delegacionet nga ZKA-ja dhe KMFP-ja për vizitë zyrtare në Parlamentin suedez dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë

Delegacionet nga ZKA-ja dhe KMFP-ja për vizitë zyrtare në Parlamentin suedez dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj me bashkëpunëtorë, si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Arta Bajralija, Mirlinda Tishukaj – Sadiku, Rashit Qalaj dhe Albana Bytyqi, më 19 dhe 20 mars 2024 qëndruan për vizitë zyrtare në Stokholm të Suedisë.

Delegacionet kosovare janë pritur në takim të veçantë nga Auditorja e Përgjithshme e Suedisë Helena Lindberg, e cila vlerësoi lartë bashkëpunimin shumëvjeçar në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë (ZKAS) dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKAK). Ajo njoftoi mysafirët për mandatin, rolin dhe punën e institucionit që drejton si dhe për  rëndësinë e bashkëpunimit me Parlamentin e Suedisë dhe Komisionet parlamentare.

Takimet vazhduan edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të ZKAS-së ku është bashkëbiseduar lidhur me rolet dhe përgjegjësitë e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) ndaj Parlamentit dhe në procesin e llogaridhënies, auditimet financiare, auditimet e performancës si dhe për çështje të tjera me interes të përbashkët.  

Përfaqësuesit e ZKA-së dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës zhvilluan takime edhe në Parlamentin e Suedisë, me deputetët Hans Ekström, Zëvendës Kryesues i Këshillit për ZKAS-në dhe anëtar i Komisionit Kushtetues, David Peres, anëtar i Komisionit për Financa, si dhe anëtarë të tjerë të kabineteve nga këto komisione. Në këto takime delegacionet nga Kosova bashkëbiseduan për rritjen e bashkëpunimit si dhe ndikimin për zbatimin e rekomandimeve me qëllim të funksionimit më të mirë të zinxhirit të llogaridhënies. Poashtu, deputetët nga Kosova janë njoftuar për së afërmi nga homologët e tyre suedezë, se si ata trajtojnë raportet e auditimit dhe marrëdhëniet me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë.

Gjatë qëndrimit në Stokholm, drejtuesit e ZKA-së dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës zhvilluan vizitë edhe në Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA). Pjesë e delegacionit të Kosovës në Stokholm ishin edhe Drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Ramadan Gashi, zyrtarja për Bashkëpunim me Kuvend, Driada Thaçi, auditori Armin Bushati si dhe koordinatorja e KMFP-së, Antigona Ibraj. 

 

Lexo më shumë
ZKA-ja auditon shitjet direkte të AKP-së

ZKA-ja auditon shitjet direkte të AKP-së

 

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke realizuar auditimin e performancës “Vlerësimi i Procedurave të Shitjes Direkte të Aseteve nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, për periudhën 2019-2021. Shitjet direkte të realizuara që nga viti 2006 (dhe në vazhdim) i takojnë natyrave të ndryshme si: objekte, toka dhe asete të luajtshme, të cilat gjenden në lokacione të ndryshme dhe kanë vlera të ndryshme.

Ky auditim do të vlerësojë nëse procedurat e shitjes direkte të aseteve nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) janë realizuar në mënyrën e duhur, përkatësisht nëse AKP-ja ka qenë efikase në trajtimin e kërkesave për shitje direkte, në trajtimin dhe klasifikimin e aseteve për shitje direkte, si dhe në mënyrën se si është bërë përzgjedhja e vlerësuesve për përcaktim të vlerës së aseteve.

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, rëndësinë që ka ky proces për përmbylljen e likuidimit të ndërmarrjeve si dhe mjedisin në përgjithësi, ZKA-ja vlerëson se është me interes për publikun të bëhet një vlerësim nëse procedurat lidhur me shitjet direkte janë realizuar si duhet.   AKP-ja vazhdon të përballet me kërkesa për blerje të aseteve të cilat janë apo mund të jenë në shfrytëzim të palëve të treta, dhe në këtë rast pamundësohet shitja e tyre përmes procedurës së tenderimit publik.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij auditimi synon të bëjë vlerësimin e gjendjes si dhe nëse AKP-ja ka qenë efektive në menaxhimin e shitjeve direkte, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, interesin publik si dhe ndikimin e tyre në mjedisin shoqëror dhe ekonomik.

 

 

Lexo më shumë