Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/21/2024 3:38:00 PM

Delegacionet nga ZKA-ja dhe KMFP-ja për vizitë zyrtare në Parlamentin suedez dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj me bashkëpunëtorë, si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Arta Bajralija, Mirlinda Tishukaj – Sadiku, Rashit Qalaj dhe Albana Bytyqi, më 19 dhe 20 mars 2024 qëndruan për vizitë zyrtare në Stokholm të Suedisë.

Delegacionet kosovare janë pritur në takim të veçantë nga Auditorja e Përgjithshme e Suedisë Helena Lindberg, e cila vlerësoi lartë bashkëpunimin shumëvjeçar në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë (ZKAS) dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKAK). Ajo njoftoi mysafirët për mandatin, rolin dhe punën e institucionit që drejton si dhe për  rëndësinë e bashkëpunimit me Parlamentin e Suedisë dhe Komisionet parlamentare.

Takimet vazhduan edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të ZKAS-së ku është bashkëbiseduar lidhur me rolet dhe përgjegjësitë e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) ndaj Parlamentit dhe në procesin e llogaridhënies, auditimet financiare, auditimet e performancës si dhe për çështje të tjera me interes të përbashkët.  

Përfaqësuesit e ZKA-së dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës zhvilluan takime edhe në Parlamentin e Suedisë, me deputetët Hans Ekström, Zëvendës Kryesues i Këshillit për ZKAS-në dhe anëtar i Komisionit Kushtetues, David Peres, anëtar i Komisionit për Financa, si dhe anëtarë të tjerë të kabineteve nga këto komisione. Në këto takime delegacionet nga Kosova bashkëbiseduan për rritjen e bashkëpunimit si dhe ndikimin për zbatimin e rekomandimeve me qëllim të funksionimit më të mirë të zinxhirit të llogaridhënies. Poashtu, deputetët nga Kosova janë njoftuar për së afërmi nga homologët e tyre suedezë, se si ata trajtojnë raportet e auditimit dhe marrëdhëniet me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë.

Gjatë qëndrimit në Stokholm, drejtuesit e ZKA-së dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës zhvilluan vizitë edhe në Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA). Pjesë e delegacionit të Kosovës në Stokholm ishin edhe Drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Ramadan Gashi, zyrtarja për Bashkëpunim me Kuvend, Driada Thaçi, auditori Armin Bushati si dhe koordinatorja e KMFP-së, Antigona Ibraj. 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditimit të ZKA-së i nënshtrohet edhe Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking”

Auditimit të ZKA-së i nënshtrohet edhe Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për sezonin auditues 2023/2024 është duke e kryer auditimin e perfomancës  “Menaxhimi i parkingjeve publike në qytetin e Prishtinës nga Ndërmarrja Publike Lokale ‘Prishtina Parking’”. Procesit të këtij auditimi do t’i nënshtrohet Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria për Inspektim dhe Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” e cila ka  rol të rëndësishëm në organizimin, rregullimin dhe menaxhimin parkimeve publike në qytetin e Prishtinës.

Auditimi do të vlerësojë efikasitetin dhe efektivitetin e shërbimeve për qytetarët, ofruar nga NPL “Prishtina Parking”, si dhe masat dhe veprimet në menaxhimin e parkingjeve dhe bashkëpunimin me Inspektoratin e Komunës së Prishtinës dhe Policinë e Kosovës.

Fokusi i këtij auditimi do të jetë:

-Nëse “Prishtina Parking” ka bërë shënjimin e parkingjeve për qytetarët dhe ka informuar ata për mënyrat dhe format e parkimit në qytet, si dhe ka siguruar disponueshmëri të parkingjeve, qasje të barabartë për të gjithë duke vendosur në prioritetet banorët rezidentë; 

-Nëse “Prishtina Parking” ka siguruar forma të duhura të informimit të qytetarëve, të nevojshme dhe të lehta për të paguar qytetarët për shfrytëzimin e këtyre parkimeve, si dhe nëse ka siguruar një sistem të mirëfilltë dhe të sigurtë të pagesave të parkimeve me laura duke shmangur keqpërdorimet nga zyrtarët e ndërmarrjes;   

-Nëse ka një bashkëpunim të duhur me Komunës e Prishtinës, më konkretisht me Inspektoratin për përcjelljen dhe inspektimin e parkimeve të cilat shfrytëzohen nga qytetarët; si dhe 

-Nëse ka arritur të ndërtojë një sistem bashkëpunimi edhe me Policinë e Kosovës për mbarëvajtjen e parkimit të veturave në qytet duke synuar një organizim më të mirë.

Duke marr parasysh rëndësinë e menaxhimit të parkimeve në qytetin e Prishtinës, të stërngarkuar nga veturat, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij auditimi synon të bëjë vlerësimin e gjendjes, nëse “Prishtina Parking” në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kanë sistem të mirëfilltë të ofrimit të parkimeve për qytetarët dhe janë duke e menaxhuar atë në mënyrën e duhur dhe efektive.

 

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme pret në takim përfaqësuesin e misionit të FMN-së

Auditorja e Përgjithshme pret në takim përfaqësuesin e misionit të FMN-së

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca priti sot në takim përfaqësuesin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) z. Javier Kapsoli, Ekonomist i Lartë nga Departamenti Evropian. Ky mision ndërlidhet me rishikimin e dytë të Marrëveshjes së kujdesit paraprak Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF) që Kosova ka me FMN-në.

Palët biseduan mbi procesin e auditimit, rezultatet kryesore të Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2022, si dhe rezultatet e auditimit që ndërlidhen me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Pas informimit të përfaqësuesit të FMN-së lidhur me mandatin, rolin dhe fushëveprimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) si dhe rezultatet e auditimit, Auditorja e Përgjithshme theksoi rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e auditimit duke nënvizuar edhe nevojën për vlerësime gjithëpërfshirëse dhe objektive.

Përfaqësuesi i misionit, duke vlerësuar punën e ZKA-së, e njoftoi Auditoren e Përgjithshme në lidhje me misionin e FMN-së, duke theksuar rëndësinë e mbikëqyrjes efektive në institucione publike. Ai gjithashtu vuri në pah ndikimin e auditimit në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike.

Në takim të pranishëm ishin edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Zukë Zuka dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit Faruk Rrahmani.

Lexo më shumë