Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
7/22/2024 4:25:00 PM

Auditorja e Përgjithshme pret në takim Komisioneren për Informim dhe Privatësi

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të hënën priti në takim Komisioneren për Informim dhe Privatësi (AIP), Krenare Sogojeva Dermaku, ku diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).

Znj. Spanca dhe znj. Sogojeva Dermaku e vlerësuan tejet të rëndësishëm bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve me qëllim të forcimit të  llogaridhënies dhe transparencës në institucionet publike,  me theks të veçantë në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Në këtë kontekst palët u dakorduan për shkëmbimin e informatave dhe përvojave duke përfshirë këtu edhe sigurinë e informacionit në sistemet shtetërore të teknologjisë së informacionit. 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditimi i performancës për fuqizimin e grave nga zonat rurale dhe përfshirjen e tyre në tregun e punës prezantohet në nivel rajonal

Auditimi i performancës për fuqizimin e grave nga zonat rurale dhe përfshirjen e tyre në tregun e punës prezantohet në nivel rajonal

Nën organizimin e UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore, në Shkup të Maqedonisë së Veriut u mbajt tryeza për prezantimin e rezultateve nga auditimi i përbashkët rajonal i performancës i Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale nëpërmjet përfshirjes së tyre në tregun e punës”.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca në fjalën e saj të hapjes u shpreh se ky auditim është i një rëndësie të madhe pasi u mundëson të tri vendeve të bashkëpunojnë dhe të adresojnë sfida specifike me të cilat përballen.

“Si auditorë, ne luajmë rol thelbësor në mbajtjen e qeverive përgjegjëse për angazhimet e tyre ndaj barazisë gjinore. Auditimet tona ofrojnë vlerësim të pavarur dhe objektiv për planifikimin dhe zbatimin e buxhetit, si dhe shqyrtojnë nëse qeveritë tona përkatëse kishin qasje të përgjegjshme ndaj barazisë gjinore. Përmes auditimit ne mund të identifikojmë pabarazitë, joefikasitetin dhe mundësitë e humbura për fuqizimin e grave dhe grupeve të margjinalizuara”, u shpreh znj. Spanca.

Më tutje ajo theksoi se përmes punës së përbashkët, qeveritë, institucionet dhe shoqëria civile mund të krijojnë një mjedis më gjithëpërfshirës dhe të barabartë për gratë nga zonat rurale. Gjetjet nga auditimi dhe diskutimet e kësaj tryeze paraqesin një udhërrëfyes të vlefshëm për zhvillimin e politikave dhe programeve që fuqizojnë gratë për të qenë plotësisht pjesë e ekonomive të tyre.

Mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në procesin e auditimit foli edhe Auditori i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut Maksim Acevski. “Pjesëmarrja në auditime bashkëpunuese me institucionet e tjera supreme të auditimit është me rëndësi jetike për Zyrën e Auditimit. Ne përditë shohim dallimin në mes mjediseve rurale dhe atyre urbane, ku kushtet nuk janë të barabarta, prandaj, duhet përpjekur të sigurojmë qasje të barabartë, për shembull, në kujdesin ndaj fëmijëve, arsimimin dhe shërbimet publike në zonat rurale sikurse në ato urbane. Ky aktivitet synon të promovojë gjetjet dhe rekomandimet e rëndësishme nga raportet e auditimit, të mbështesë përpjekjet për arritjen e barazisë gjinore, si dhe t’i bëjë gratë nga komunitetet rurale akterë kryesorë në betejën për barazi gjinore dhe pavarësi ekonomike”, tha z. Acevski.

Ndërsa Alfred Zylfi, Drejtor i Auditimit të Performancës në Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë tha se “Rezultatet e këtij auditimi na ndihmojnë të kuptojmë më mirë se ku ndodhemi, cilat janë sfidat kryesore dhe si mund të përmirësojmë qasjen tonë për të arritur një barazi gjinore të qëndrueshme dhe një fuqizim të vërtetë të grave në komunitetet rurale”.

Znj. Elisa Fernandez Saenz, Zëvendës drejtoreshë rajonale e UN Women për Evropen dhe Azinë Qendrore, z. Lusien Egerten, Zëvendës Ambasador i Zvicrrës në Maqedoninë e Veriut dhe z. Mikael Aterhog, Udhëheqës për bashkëpunim zhvillimor në Ambasadën e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, po ashtu mbajtën fjalë rasti si mbështetës për realizimin e kësaj iniciative rajonale.

Nga Zyra Kombëtare e Auditimit në tryezë morën pjesë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, z. Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme znj. Myrvete Gashi Morina, auditorja e performancës znj. Ardiana Miftari, e cila prezantoi raportin si dhe auditoret seniore znj. Ylfete Osmani dhe znj. Arlinda Mustafa.

Lexo më shumë
Njoftim lidhur me kufizimin në fushëveprim të Auditorit të Përgjithshëm nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në kryerjen e auditimit të performancës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”

Njoftim lidhur me kufizimin në fushëveprim të Auditorit të Përgjithshëm nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në kryerjen e auditimit të performancës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) njofton opinionin publik lidhur me veprimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të kufizuar fushëveprimin e Auditorit të Përgjithshëm që të ushtrojë mandatin e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin me nr.05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Në përputhje me Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2023-2024, me datë 16 prill 2024, Auditori i Përgjithshëm, përmes Letër Angazhimit të auditimit e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës për fillimin e auditimit përcjellës lidhur me vlerësimin e zbatimit të rekomandimeve të dala nga auditimi paraprak “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”, i realizuar në vitin 2017.

Fokusi i auditimit përcjellës i filluar në vitin 2024 ishte të vlerësohen masat e ndërmarra për zbatimin e rekomandimeve lidhur me procesin e menaxhimit të lëndëve civile nga ana e gjykatave themelore, monitorimin e progresit të gjykatave dhe krijimin e mekanizmave për t’i mbështetur ato në menaxhimin e duhur të lëndëve. Subjekte të këtij auditimi ishin Gjykata Themelore e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit si dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në lidhje me këtë angazhim, njoftoheni se pas disa komunikimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe përpjekjeve për të realizuar këtë auditim, me datë 10 qershor 2024, Zyra Kombëtare e Auditimit, ka pranuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës të datës 06 qershor 2024, përmes së cilit Këshilli kishte vendosur për mos lejimin e  kryerjes së auditimit përcjellës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”.

E gjendur në këtë situatë të pa precedent, e cila ndodh për herë të parë që nga themelimi i Institucionit të Auditorit të Përgjithshëm, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca e ka njoftuar Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe tri komisionet parlamentare: Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere si dhe Komisionin për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete.

Po ashtu, si anëtare me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), bazuar në detyrimet që ka Auditori i Përgjithshëm si Institucion Suprem i Auditimit të Kosovës për të përmbushur kërkesat e standardeve ndërkombëtare të INTOSAI-it, znj. Spanca i ka njoftuar organet kompetente të kësaj organizate. Gjithashtu, ajo ka kërkuar njëkohësisht aktivizimin e mekanizmit të avokatisë së shpejtë (SIRAM) në kuadër të INTOSAI-it për të trajtuar çështjen lidhur me kufizimin në fushëveprim.  

Mekanizmi i avokatisë së shpejtë është duke analizuar dhe vlerësuar faktorët, shkaqet dhe rrezikun potencial nga veprimet e deritanishme kundrejt ZKA-së në përmbushje të mandatit kushtetues dhe ligjor.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenet 136,137 dhe 138 si dhe Ligji nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, e vendosin Auditorin e Përgjithshëm si institucionin më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar. Këto akte i japin mandat dhe kompetencë të plotë dhe të vetme të kryej auditime të jashtme në veprimtarinë ekonomike të institucioneve publike dhe të personave të tjerë juridik shtetëror pa përjashtim; si dhe të auditojë përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve publike nga organet e pushtetit qendror dhe lokal.

Për më tepër, neni 19 i Kushtetutës së Republikës se Kosovës bën të zbatueshme drejtpërdrejtë standardet ndërkombëtare të auditimit të sektorit publik, si standardet e INTOSAI-t, Deklaratën e Limës dhe Deklaratën e Meksikës, të cilat mbështesin kryerjen e auditimeve të performancës nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Rikujtojmë se neni 97 i MSA-së portretizon se auditimi i jashtëm (lexo: Auditori i Përgjithshëm) duhet të jetë në përputhje me standardet e pranuara, dhe MSA si instrument i ratifikuar ndërkombëtar është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 19 të Kushtetutës, duke pasur parasysh parimet kushtetuese të sundimit të ligjit, supremacisë së ligjit dhe hierarkisë së normave (referuar përshtashmërisht paragrafit 297 të Aktgjykimit të GJK-së në rastet nr. KO216/22 dhe KO220/22 ku flitet për zbatimin e MSA-së).

Auditori i Përgjithshëm është plotësisht i vetëdijshëm lidhur me mandatin, kompetencat dhe pavarësinë që sistemi gjyqësorë ka në shtetin tonë dhe në asnjë rrethanë nuk ndërhyn dhe nuk vlerëson performancën e gjykatësve, nuk kryen inspektimin gjyqësor, administrativ apo aktivitete tjera brenda gjyqësorit dhe as nuk vlerëson meritokracinë e vendimeve gjyqësore. 

Auditori i Përgjithshëm është i vetmi Institucion shtetëror i mandatuar të kryej auditime të jashtme në të gjitha institucionet publike në mënyrë të pavarur nga pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor si tri pushtete të ndara shtetërore dhe nuk ndikohet nga asnjëri prej tyre në kryerjen e auditimit.

 

Lexo më shumë