Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
7/23/2024 2:26:00 PM

Njoftim lidhur me kufizimin në fushëveprim të Auditorit të Përgjithshëm nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në kryerjen e auditimit të performancës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) njofton opinionin publik lidhur me veprimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të kufizuar fushëveprimin e Auditorit të Përgjithshëm që të ushtrojë mandatin e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin me nr.05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Në përputhje me Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2023-2024, me datë 16 prill 2024, Auditori i Përgjithshëm, përmes Letër Angazhimit të auditimit e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës për fillimin e auditimit përcjellës lidhur me vlerësimin e zbatimit të rekomandimeve të dala nga auditimi paraprak “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”, i realizuar në vitin 2017.

Fokusi i auditimit përcjellës i filluar në vitin 2024 ishte të vlerësohen masat e ndërmarra për zbatimin e rekomandimeve lidhur me procesin e menaxhimit të lëndëve civile nga ana e gjykatave themelore, monitorimin e progresit të gjykatave dhe krijimin e mekanizmave për t’i mbështetur ato në menaxhimin e duhur të lëndëve. Subjekte të këtij auditimi ishin Gjykata Themelore e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit si dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në lidhje me këtë angazhim, njoftoheni se pas disa komunikimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe përpjekjeve për të realizuar këtë auditim, me datë 10 qershor 2024, Zyra Kombëtare e Auditimit, ka pranuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës të datës 06 qershor 2024, përmes së cilit Këshilli kishte vendosur për mos lejimin e  kryerjes së auditimit përcjellës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”.

E gjendur në këtë situatë të pa precedent, e cila ndodh për herë të parë që nga themelimi i Institucionit të Auditorit të Përgjithshëm, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca e ka njoftuar Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe tri komisionet parlamentare: Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere si dhe Komisionin për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete.

Po ashtu, si anëtare me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), bazuar në detyrimet që ka Auditori i Përgjithshëm si Institucion Suprem i Auditimit të Kosovës për të përmbushur kërkesat e standardeve ndërkombëtare të INTOSAI-it, znj. Spanca i ka njoftuar organet kompetente të kësaj organizate. Gjithashtu, ajo ka kërkuar njëkohësisht aktivizimin e mekanizmit të avokatisë së shpejtë (SIRAM) në kuadër të INTOSAI-it për të trajtuar çështjen lidhur me kufizimin në fushëveprim.  

Mekanizmi i avokatisë së shpejtë është duke analizuar dhe vlerësuar faktorët, shkaqet dhe rrezikun potencial nga veprimet e deritanishme kundrejt ZKA-së në përmbushje të mandatit kushtetues dhe ligjor.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenet 136,137 dhe 138 si dhe Ligji nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, e vendosin Auditorin e Përgjithshëm si institucionin më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar. Këto akte i japin mandat dhe kompetencë të plotë dhe të vetme të kryej auditime të jashtme në veprimtarinë ekonomike të institucioneve publike dhe të personave të tjerë juridik shtetëror pa përjashtim; si dhe të auditojë përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve publike nga organet e pushtetit qendror dhe lokal.

Për më tepër, neni 19 i Kushtetutës së Republikës se Kosovës bën të zbatueshme drejtpërdrejtë standardet ndërkombëtare të auditimit të sektorit publik, si standardet e INTOSAI-t, Deklaratën e Limës dhe Deklaratën e Meksikës, të cilat mbështesin kryerjen e auditimeve të performancës nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Rikujtojmë se neni 97 i MSA-së portretizon se auditimi i jashtëm (lexo: Auditori i Përgjithshëm) duhet të jetë në përputhje me standardet e pranuara, dhe MSA si instrument i ratifikuar ndërkombëtar është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 19 të Kushtetutës, duke pasur parasysh parimet kushtetuese të sundimit të ligjit, supremacisë së ligjit dhe hierarkisë së normave (referuar përshtashmërisht paragrafit 297 të Aktgjykimit të GJK-së në rastet nr. KO216/22 dhe KO220/22 ku flitet për zbatimin e MSA-së).

Auditori i Përgjithshëm është plotësisht i vetëdijshëm lidhur me mandatin, kompetencat dhe pavarësinë që sistemi gjyqësorë ka në shtetin tonë dhe në asnjë rrethanë nuk ndërhyn dhe nuk vlerëson performancën e gjykatësve, nuk kryen inspektimin gjyqësor, administrativ apo aktivitete tjera brenda gjyqësorit dhe as nuk vlerëson meritokracinë e vendimeve gjyqësore. 

Auditori i Përgjithshëm është i vetmi Institucion shtetëror i mandatuar të kryej auditime të jashtme në të gjitha institucionet publike në mënyrë të pavarur nga pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor si tri pushtete të ndara shtetërore dhe nuk ndikohet nga asnjëri prej tyre në kryerjen e auditimit.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

50

50

Auditorja e Përgjithshme pret në takim Komisioneren për Informim dhe Privatësi
Lexo më shumë
30

30

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media
Lexo më shumë