Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/17/2017 1:07:38 PM

Drejtuesit e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike vizituan Zyrën Kombëtare të Auditimit

Sot, në Zyrën Kombëtare të Auditimit kanë zhvilluar vizitë pune Driton Selmanaj, kryetar dhe Mërgim Lushtaku, zëvendëskryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qëllimi i vizitës ishte njohja më për së afërmi me ambientin e punës së auditorëve të jashtëm si dhe kapacitetet dhe burimet që Zyra Kombëtare e Auditimit ka në dispozicion për të përmbushur detyrat dhe mandatin e vet kushtetues. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, i informoi drejtuesit e Komisionit për objektivat strategjike të ZKA-së, aktivitetet audituese dhe  planin vjetor të punës, zhvillimin e kapaciteteve audituese dhe sfidat aktuale me të cilat ballafaqohet ZKA. Z. Osmani i informoi drejtuesit e Komisionit edhe me gjetjet kryesore të raporteve të auditimit dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të auditimit, që aktualisht nuk janë në një shkallë të kënaqshme. Driton Selmanaj, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike theksoi përkushtimin e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike për thellimin e bashkëpunimit me Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe vlerësoi rolin e ZKA-së në përkrahje të Kuvendit të Kosovës për të mbajtur Qeverinë llogaridhënëse.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori i Përgjithshëm merr pjesë në takimet e krerëve të Institucioneve Supreme të Auditimit

Auditori i Përgjithshëm merr pjesë në takimet e krerëve të Institucioneve Supreme të Auditimit

Nga 11-13 tetor 2017, në Luksemburg, nën organizimin e Gjykatës Evropiane të Auditorëve, janë mbajtur takimet e drejtuesve të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve anëtare, kandidate dhe kandidate potenciale të Bashkimit Evropian, ku po merr pjesë edhe delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit i kryesuar nga Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani. Me datën 11 tetor, është mbajtur takimi i krerëve të ISA-ve të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate potenciale për në BE, me përfaqësues nga Kosova, Shqipëria, Turqia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia si dhe përfaqësues nga Gjykata Evropiane e Llogarive, SIGMA dhe Grupi Punues i Komitetit të Kontaktit për Auditime të Përbashkëta, përfaqësuar nga Institucioni Suprem i Auditimit të Suedisë dhe Rumanisë. Në këtë takim krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit kanë miratuar raportin e implementimit të aktiviteteve sipas planit 2014-2017 si dhe kanë diskutuar planin e punës për vitet vijuese 2018-2020 e më tutje. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, ka ofruar gatishmërinë e tij dhe të Zyrës Kombëtare të Auditimit që Kosova të jetë nikoqire e aktivitetit të parë, që do të zhvillohet në pjesën e parë të vitit 2018. Zyra Kombëtar e Auditimit po ashtu do të jetë pjesë e disa grupeve punuese përgaditore të këtyre aktivitete. Gjatë dy ditëve në vijim, më 12 e 13 tetor, është mbajtur edhe takimi vjetor i Komitetit të Kontaktit të Institucioneve Supreme të Auditimit të Bashkimit Evropian. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës dhe drejtues të ISA-ve nga vendet jo anëtare të BE-së, në cilësinë e vëzhguesit. Organizatore e takimeve të këtij viti ka qenë Gjykata Evropiane e Auditorëve, institucion ky që ka shënuar 40 vjetorin e themelimit të saj. Me këtë rast me datë 12 tetor është mbajtur ceremonia zyrtare në praninë e zyrtarëve të lartë të institucioneve evropiane, në mesin e të cilëve edhe Presidenti Parlamentit Evropian, z. Antonio Tajani dhe Presidenti i Komisionit Evropian, z. Jean Claude Juncker. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, ishte i ftuar nderi në ceremoninë zyrtare nga Presidenti i Gjykatës Evropiane të Auditorëve, z. Klaus – Heiner Lehne.  
Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm priti në takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë

Auditori i Përgjithshëm priti në takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë

Auditor i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, ka pritur sot në takim, Shkëlqesinë e tij z. Ruari O’Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë. Auditori i Përgjithshëm, ka informuar ambasadorin O’Connell me objektivat strategjike të Zyrës Kombëtare të Auditimit si dhe aktivitetet audituese për sezonën 2017/2018. Me këtë rast z. Osmani theksoi marrëdhëniet shumë të mira që Zyra Kombëtare e Auditmit të Kosovës ka me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Britanisë së Madhe dhe shprehi interesimin e tij që bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy institucioneve të intensifikohet edhe më shumë përmes projekteve të veçanta për shkëmbim të përvojave dhe praktikave të mira në auditim. Ambasadori O’Connell nga ana tij tha:  E përgëzoj Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës për  punën e mirë,  e cila konfirmohet edhe në Raportin e BE-së për Kosovën. Ne i inkurajojmë të vazhdojnë me punën e mirë dhe në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës që të analizojë me vëmendje rekomandimet e këtyre raporteve.  Adresimi i raportit të auditimit është pjesë themelore e demokracisë dhe llogaridhënies. Prandaj, inkurajojmë Kuvendin të kërkoj përgjegjësi dhe llogaridhënie nga institucionet për çështje të ngritura në raportet e Auditorit të Përgjithshëm.” Gjatë takimit nga të dyja palët u theksua rëndësia e auditimit të jashtëm,  në veçanti ndikimi që ka në përmirësimin e vazhdueshëm në menaxhimin e mirë të financave publike, rritjen e transparencës në administratë publike dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët. Ambasadori O’Connell takoi edhe grupin menaxhues dhe auditues senior në ZKA, ku është njoftuar më për së afërmi me objektivat dhe qasjen në auditim si dhe ka bashkëbiseduar me ta lidhur me rëndësinë që ka institucioni suprem i auditimit dhe puna audituese për një vend në zhvillim siç është Kosova.
Lexo më shumë