Auditor i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, ka pritur sot në takim, Shkëlqesinë e tij z. Ruari O’Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë.
Auditori i Përgjithshëm, ka informuar ambasadorin O’Connell me objektivat strategjike të Zyrës Kombëtare të Auditimit si dhe aktivitetet audituese për sezonën 2017/2018. Me këtë rast z. Osmani theksoi marrëdhëniet shumë të mira që Zyra Kombëtare e Auditmit të Kosovës ka me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Britanisë së Madhe dhe shprehi interesimin e tij që bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy institucioneve të intensifikohet edhe më shumë përmes projekteve të veçanta për shkëmbim të përvojave dhe praktikave të mira në auditim.
Ambasadori O’Connell nga ana tij tha: “E përgëzoj Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës për punën e mirë, e cila konfirmohet edhe në Raportin e BE-së për Kosovën. Ne i inkurajojmë të vazhdojnë me punën e mirë dhe në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës që të analizojë me vëmendje rekomandimet e këtyre raporteve. Adresimi i raportit të auditimit është pjesë themelore e demokracisë dhe llogaridhënies. Prandaj, inkurajojmë Kuvendin të kërkoj përgjegjësi dhe llogaridhënie nga institucionet për çështje të ngritura në raportet e Auditorit të Përgjithshëm.”
Gjatë takimit nga të dyja palët u theksua rëndësia e auditimit të jashtëm, në veçanti ndikimi që ka në përmirësimin e vazhdueshëm në menaxhimin e mirë të financave publike, rritjen e transparencës në administratë publike dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
Ambasadori O’Connell takoi edhe grupin menaxhues dhe auditues senior në ZKA, ku është njoftuar më për së afërmi me objektivat dhe qasjen në auditim si dhe ka bashkëbiseduar me ta lidhur me rëndësinë që ka institucioni suprem i auditimit dhe puna audituese për një vend në zhvillim siç është Kosova.