Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/10/2017 2:14:44 PM

Delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar

Me ftesë të homologut të tij, Auditorit të Përgjithshëm të Uellsit, Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës z.Besnik Osmani, ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Zyrën e Auditimit të Uellsit të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit bilateral që Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka me Zyrën e Auditimit të Uellsit të Mbretërisë së Bashkuar. Gjatë qëndrimit në Uells, më 7 e 8 nëntor 2017, z. Osmani ka takuar Auditorin e Përgjithshëm të Uellsit, z. Huw Vaughan Thomas dhe zyrtarë të tjerë dhe auditorë të Zyrës së Auditimit të Uellsit me të cilët ka biseduar për aktivitetet konkrete në kuadër të realizimit të marrëveshjes së bashkëpunimit që ishte nënshkruar në mes të dyja institucioneve supreme të auditimit, në maj të këtij viti në Prishtinë. Bashkëbiseduesit u pajtuan që bashkëpunimi në fusha të ndryshme të auditimit të vazhdoj me qëllim të shkëmbimit të informatave, përvojave dhe praktikave të mira në interes të ngritjes së nivelit të cilësisë së auditimit të jashtëm në të dyja vendet. Gjatë vizitës së tij në Uells, Auditori i Përgjithshëm u takua edhe me zyrtarë të lartë të Qeverisë së Uellsit dhe të qytetit të Kardifit, z.David Richards, drejtor për qeverisje si dhe z.Paul Orders, shef ekzekutiv i Këshillit të qytetit të Kardifit, me të cilët bisedoi për marrëdhëniet ndërinstitucionale me Zyren e Auditimit të Uellsit si dhe zbatimin e rekomandimeve të auditimit. Në kuadër të kësaj vizite, z. Osmani ka zhvilluar takime pune edhe me drejtuesit e Zyres Kombëtare të Auditimit të Mbretërisë së Bashkuar, në Londër, si dhe ka takuar deputeten e Parlamentit Britanez, znj. Rt Hon Margaret Hodge dhe përfaqësues të Universitetit të Kembrixhit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës z. Besnik Osmani dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës z. Marjan Dema janë takuar sot dhe kanë biseduar lidhur me aktivitetet konkrete të bashkëpunimit. Me këtë rast, është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit në mes të dy institucioneve përmes së cilës janë përcaktuar fushat konkrete që kanë të bëjnë me shkëmbimet e ndihmës profesionale dhe akademike si dhe të angazhimit në punë praktike të studentëve të nivelit master të Universitetit të Prishtinës në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani tha se e vlerëson lartë bashkëpunimin me Universitetin e Prishtinës dhe se ky bashkëpunim profesional është shumë i rëndësishëm për faktin që na mundësohet të praktikojmë edukimin e vazhdueshëm për personelin tonë përmes aktiviteteve arsimore, programeve të trajnimit dhe shkëmbimit të njohurive, në disa fusha që kanë të bëjnë me politikat publike, administratën publike e veçmas në fushën e kontabilitetit dhe auditimit. Nga ana e tij, rektori Dema tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje të bashkëpunimit me Zyrën Kombëtare të Auditimit është një akt shumë i rëndësishëm për UP-në, meqë me këtë do përfitojnë më së shumti studentët tanë. Dema në këtë takim foli edhe për punën që ky menaxhment është duke bërë duke krijuar standarde transparente në UP, në mënyrë që të krijohet një ambient edhe më cilësor për studim. Marrëveshja e nënshkruar sot, parasheh që të dy institucionet t’i ofrojnë ndihmë reciproke profesionale njëra-tjetrës për realizimin e konferencave, seminareve sidomos në fushën e auditimeve të përformancës dhe synon animimin e opinionit publik lidhur me rëndësinë e auditimeve dhe përfitimet e institucioneve dhe publikut nga raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, ditët një vijim do të hartohet plani i veprimit dhe do të filloj zbatimi praktik i Marrëveshjes.  
Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm kërkon vëmendjen e Kryeministrit Haradinaj në zbatimin e rekomandimeve të Auditorit

Auditori i Përgjithshëm kërkon vëmendjen e Kryeministrit Haradinaj në zbatimin e rekomandimeve të Auditorit

Me kërkesën e Auditorit të Përgjithshëm, z. Besnik Osmani sot në ambientet e Qeverisë është realizuar takimi me Kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj. Në këtë takim, z. Osmani ka informuar Kryeministrin Haradinaj për punën e Auditorit të Përgjithshëm, si institucion suprem i kontrollit ekonomik dhe financiar në Republikën e Kosovës. Auditori i Përgjithshëm ka theksuar përkushtimin e tij dhe të auditorëve të Zyrës Kombëtare të Auditimit për të përmbushur mandatin kushtetues e ligjor, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të qeverisjes e të llogaridhënies në institucionet publike të Kosovës në menaxhimin e fondeve publike si dhe të përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve. Auditori i Përgjithshëm ka prezantuar çështjet kryesore lidhur me pasqyrat vjetore financiare dhe dobësitë e evidentuara në lidhje me pajtushmërinë e vendimeve dhe veprimeve të zyrtarëve publik në raport me legjislacionin përkatës. Rekomandimet e dala nga raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit vënë  theksin në çështje të rëndësishme që kanë të bëjmë me menaxhimin e pasurisë jofinanciare, menaxhimin e prokurimit publik, menaxhimin e llogarive të arkëtushme dhe të obligimeve, theksoi Auditori i Përgjithshëm. Z. Osmani e ka njoftuar Kryeministrin edhe me auditimet e performancës si vlerësim i arritjes së vlerës për para nga përdorimi i fondeve publike dhe theksoi rëndësinë që të përmirësohet edhe më tej efikasiteti dhe efektiviteti në shpenzimin e parasë publike. Gjatë bashkëbisedimit, vëmendje e veçantë i është kushtuar nivelit të ulët të zbatimit të rekomandimeve dhe mungesës së një plani sistematik për adresimin e tyre, nga ana e organizatave buxhetore. Auditori i Përgjithshëm, i ka rekomanduar Kryeministrit Haradinaj që Qeveria të aplikoj një proces sistematik të monitorimit të zbatimit të rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit dhe të kërkojë nga organet e Qeverisë që të zbatojnë dhe raportojnë mbi progresin e arritur. Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar punën e Auditorit të Përgjithshëm dhe të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe ka shprehur interesimin e tij për një komunikim më proaktiv ndërinstitucional për të reaguar në kohën e duhur për mbarëvajtjen e proceseve dhe përmirësimin e qeverisjes. Ai ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë për të ruajtur pavarësinë institucionale të Zyres Kombëtare të Auditimit dhe ka theksuar zotimin e tij për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit në mënyrë që të forcohet kontrolli i brendshëm dhe të përmirësohet qeverisja në institucionet publike.  
Lexo më shumë