Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/11/2017 5:50:26 PM

Auditori i Përgjithshëm kërkon vëmendjen e Kryeministrit Haradinaj në zbatimin e rekomandimeve të Auditorit

Me kërkesën e Auditorit të Përgjithshëm, z. Besnik Osmani sot në ambientet e Qeverisë është realizuar takimi me Kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj. Në këtë takim, z. Osmani ka informuar Kryeministrin Haradinaj për punën e Auditorit të Përgjithshëm, si institucion suprem i kontrollit ekonomik dhe financiar në Republikën e Kosovës. Auditori i Përgjithshëm ka theksuar përkushtimin e tij dhe të auditorëve të Zyrës Kombëtare të Auditimit për të përmbushur mandatin kushtetues e ligjor, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të qeverisjes e të llogaridhënies në institucionet publike të Kosovës në menaxhimin e fondeve publike si dhe të përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve. Auditori i Përgjithshëm ka prezantuar çështjet kryesore lidhur me pasqyrat vjetore financiare dhe dobësitë e evidentuara në lidhje me pajtushmërinë e vendimeve dhe veprimeve të zyrtarëve publik në raport me legjislacionin përkatës. Rekomandimet e dala nga raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit vënë  theksin në çështje të rëndësishme që kanë të bëjmë me menaxhimin e pasurisë jofinanciare, menaxhimin e prokurimit publik, menaxhimin e llogarive të arkëtushme dhe të obligimeve, theksoi Auditori i Përgjithshëm. Z. Osmani e ka njoftuar Kryeministrin edhe me auditimet e performancës si vlerësim i arritjes së vlerës për para nga përdorimi i fondeve publike dhe theksoi rëndësinë që të përmirësohet edhe më tej efikasiteti dhe efektiviteti në shpenzimin e parasë publike. Gjatë bashkëbisedimit, vëmendje e veçantë i është kushtuar nivelit të ulët të zbatimit të rekomandimeve dhe mungesës së një plani sistematik për adresimin e tyre, nga ana e organizatave buxhetore. Auditori i Përgjithshëm, i ka rekomanduar Kryeministrit Haradinaj që Qeveria të aplikoj një proces sistematik të monitorimit të zbatimit të rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit dhe të kërkojë nga organet e Qeverisë që të zbatojnë dhe raportojnë mbi progresin e arritur. Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar punën e Auditorit të Përgjithshëm dhe të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe ka shprehur interesimin e tij për një komunikim më proaktiv ndërinstitucional për të reaguar në kohën e duhur për mbarëvajtjen e proceseve dhe përmirësimin e qeverisjes. Ai ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë për të ruajtur pavarësinë institucionale të Zyres Kombëtare të Auditimit dhe ka theksuar zotimin e tij për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit në mënyrë që të forcohet kontrolli i brendshëm dhe të përmirësohet qeverisja në institucionet publike.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar

Delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar

Me ftesë të homologut të tij, Auditorit të Përgjithshëm të Uellsit, Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës z.Besnik Osmani, ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Zyrën e Auditimit të Uellsit të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit bilateral që Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka me Zyrën e Auditimit të Uellsit të Mbretërisë së Bashkuar. Gjatë qëndrimit në Uells, më 7 e 8 nëntor 2017, z. Osmani ka takuar Auditorin e Përgjithshëm të Uellsit, z. Huw Vaughan Thomas dhe zyrtarë të tjerë dhe auditorë të Zyrës së Auditimit të Uellsit me të cilët ka biseduar për aktivitetet konkrete në kuadër të realizimit të marrëveshjes së bashkëpunimit që ishte nënshkruar në mes të dyja institucioneve supreme të auditimit, në maj të këtij viti në Prishtinë. Bashkëbiseduesit u pajtuan që bashkëpunimi në fusha të ndryshme të auditimit të vazhdoj me qëllim të shkëmbimit të informatave, përvojave dhe praktikave të mira në interes të ngritjes së nivelit të cilësisë së auditimit të jashtëm në të dyja vendet. Gjatë vizitës së tij në Uells, Auditori i Përgjithshëm u takua edhe me zyrtarë të lartë të Qeverisë së Uellsit dhe të qytetit të Kardifit, z.David Richards, drejtor për qeverisje si dhe z.Paul Orders, shef ekzekutiv i Këshillit të qytetit të Kardifit, me të cilët bisedoi për marrëdhëniet ndërinstitucionale me Zyren e Auditimit të Uellsit si dhe zbatimin e rekomandimeve të auditimit. Në kuadër të kësaj vizite, z. Osmani ka zhvilluar takime pune edhe me drejtuesit e Zyres Kombëtare të Auditimit të Mbretërisë së Bashkuar, në Londër, si dhe ka takuar deputeten e Parlamentit Britanez, znj. Rt Hon Margaret Hodge dhe përfaqësues të Universitetit të Kembrixhit.
Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm i Kosovës priti në vizitë bilaterale Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës priti në vizitë bilaterale Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, z.Besnik Osmani, ka pritur sot në vizitë bilaterale, z. Krzysztof Kwiatkowski, President i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, me bashkëpunëtorë. Z. Osmani, i ka njoftuar mysafirët për mandatin kushtetues e ligjor dhe aktivitetet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në funksion të rritjes së efikasitetit të administratës publike, menaxhimit të mirë dhe kontrollit në shpenzimin e parasë publike. Ai po ashtu i ka njoftuar mysafirët nga Polonia për pavarësinë institucionale dhe raportet formale me Parlamentin dhe Qeverinë, si partnerët kryesorë të Zyrës Kombëtare të Auditimit si dhe bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet e zbatimit të ligjit, me shoqërinë civile dhe mediat me qëllim të rritjes së llogaridhënies në administratën publike të Kosovës. Z. Osmani ka shprehur interesimin e tij për forcimin e bashkëpunimit bilateral dhe shkëmbimin e përvojave me institucionin e auditimit të Polonisë dhe theksoi përkushtimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për zbatimin e suksesshëm të projektit të binjakëzimit që ka për fokus zhvillimin e kapaciteteve profesionale në ZKA për auditimin e Ndërmarrjeve publike, e që do të realizohet me Zyrën Supreme të Auditimit të Polonisë, me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian. Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, z. Kwiatkowski, shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e tij të parë në Kosovë dhe i uroi suksese z.Osmani si Auditori i Përgjithshëm i parë vendor i Republikës së Kosovës. Ai rikonfirmoi interesimin e tij për të vazhduar dhe thelluar edhe më tej bashkëpunimin me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe shprehu kënaqësinë që ky bashkëpunim po konkretizohet përmes një projekti të binjakëzimit, përmes të cilit të dy institucionet mund të mësojnë shumë nga përvojat reciproke me adutimin e Ndërmarrjeve publike. Z. Kwiatkowski  ofroi mbështetjen e plotë të Zyres Supreme të Auditimit të Polonisë për shkëmbime profesionale edhe në fusha të tjera të auditimit. Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për tema të tjera me interes të përbashkët dhe theksuan rëndësinë e zbatimit të standardeve ndërkombëtare të auditimit dhe bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare profesionale të auditimit, në të cilat synohet integrimi edhe i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.
Lexo më shumë