Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/17/2017 8:31:48 AM

Marrëveshjet për Shërbimet e Veçanta dhe Kontratat e Punës për Detyra Specifike

Zyra e Kombëtare e Auditimit  ka publikuar raportin e auditimit të pajtueshmërisë dhe performancës “Marrëveshjet për Shërbime të Veçanta  dhe Kontrata Pune për Detyra Specifike. Përmes këtij auditimi, ne synojmë të promovojmë transparencën dhe rrisim llogaridhënien tek autoritetet përgjegjëse lidhur me menaxhimin e Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta/ Kontratave për Punë Specifike dhe t? ofrojmë rekomandime për përmirësim. Organet e administratës publike për kryer punët në mënyrë më efektive në drejtim të përmbushjes së objektivave institucionale dhe kërkesave të qytetarëve përveç numrit të lejuar të punonjësve, mund të angazhojnë edhe zyrtarë tjerë me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta /Kontrata Pune për Detyra Specifike. Angazhimi i zyrtarëve duhet të bëhet në bazë të një planifikimi të mirëfilltë të nevojave si dhe monitorimit të rezultateve. Raporti përmban informata mjaft të rëndësishme për të cilat duhet diskutuar, dhe Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar mangësi dhe ka nxjerrë këto konkluzione të përgjithshme: Ministritë dhe Komunat e audituara kishin angazhuar punonjës me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta /Kontrata Pune për Detyra Specifike pa ndonjë planifikim të mirëfilltë dhe monitorim lidhur me performancën e tyre. Raportimi për stafin e angazhuar me nuk ishte i plotë dhe i saktë. Angazhimi i punonjësve me marrëveshje/kontrata në 2016 ishte rritur krahasuar me vitin 2015, e me këtë janë rritur edhe kostot e financimit të këtyre marrëveshjeve. Për vitet 2015/2016 vetëm nga institucionet e audituara për këtë lloj marrëveshje janë shpenzuar 3,903,597€. Krahasuar me vitin 2015, shpenzimet për këtë lloj angazhimi në 2016 në nivelin qendror ishin rritur për 55%, ndërsa në nivelin lokal ishin rritur për 76%. Me gjithë zhvillimet në drejtim të një menaxhimi më të mirë të burimeve njerëzore ngecjet janë evidente në zbatimin e Marrëveshje/kontrata pune për detyra specifike. Mos vlerësimi i nevojave, mos planifikimi dhe mos zbatimi i kërkesave ligjore gjatë lidhjes së marrëveshjeve të tilla nuk e kanë siguruar administratën publike që angazhimet e tilla kanë përmirësuar performancën dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët. Ministria e Administratës Publike nuk kishte hartuar legjislacionin sekondar/procedurat për këtë lloj angazhimi. Në mungesë të këtyre procedurave, Organizatat buxhetore kanë lidhur marrëveshje për shërbime të veçanta pa ndonjë kriter apo procedurë unike e cila do të siguronte se menaxhimi i tyre është bërë në pajtim me parimin e transparencës, barazisë dhe konkurrencës. Angazhimi përmes marrëveshjeve në shumicën e rasteve nuk është bërë në pajtueshmëri me kërkesat ligjore. Shumica e të angazhuarve ishin për mbulimin e pozitave të rregullta dhe për shërbimet/punët të cilat duhej t’i kontraktoheshin përmes procedurave të prokurimit e jo për punë  apo detyra specifike. Raportin e plotë mund ta lexoni në ueb faqen tonë: www.zka-rks.org

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvillon vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvillon vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Në datat 8 dhe 9 nëntor 2017 një grup prej 12 auditorësh të Kontrollit të Lartë të Shqipërisë, kanë zhvilluar vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Vizita është zhvilluar në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të dyja institucioneve dhe për qëllim kishte njohjen më për së afërmi me bazën ligjore dhe funksionimin e ZKA-së, marrëdhëniet me Parlamentin si dhe mënyrën dhe praktikat e auditimit që nga faza e planifikimit e deri te zbatimi i rekomandimeve. Gjatë kësaj vizite janë mbajtur takime ku  pjesëmarrësit nga të dyja institucionet kanë zhvilluar diskutime interaktive mbi bazën e argumenteve profesionale duke  shpalosur shembuj dhe praktika konkrete të hasura gjatë punës audituese.
Lexo më shumë
Procedurat dhe kontrollet në Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale

Procedurat dhe kontrollet në Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Procedurat dhe kontrollet në Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale” Përmes këtij auditimi ne kemi vlerësuar mënyrën e funksionimit të Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale (SMPK) në përgjithësi dhe me fokus të veçantë në procedura dhe kontrolle për të konstatuar nëse sistemi prodhon të dhëna  të sakta, pra kemi vlerësuar aktivitetet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe të gjashtë komunave të ndryshme për nga madhësia dhe përbërja etnike (Pejë, Ferizaj, Obiliq, Graçanicë, Junik dhe Mamushë) lidhur me krijimin e parakushteve për funksionimin e duhur të SMPK-së. Që nga viti 2009 Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka filluar zbatimin e SMPK-së i cili ka adresuar performancën e komunave nga fushat e kompetencave vetanake të Komunave. Matja e performancës së komunave ka për qëllim që vetë komunat, MAPL, qytetarët dhe të gjitha palët e interesit ta kuptojnë se deri në çfarë shkallë komunat kanë arritur të ofrojnë shërbime në kohën dhe cilësinë e duhur, në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve. Ne kemi konstatuar se Komunat kanë vështirësi në aplikimin e procedurave dhe kontrolleve të parapara me sistem. Në Komunat  e audituara procedura e mbledhjes së të dhënave nuk ishte e duhur dhe kontrolli nga koordinatori komunal nuk kishte qenë efektiv. Të gjeturat tregojnë se probleme ka në mënyrën e mbledhjes, raportimit dhe verifikimit të të dhënave. Gjithashtu  ka probleme lidhur me sigurimin e qasjes në të dhëna nga njësitë komunale. Si rrjedhojë e kësaj vetëm 51% e të dhënave të raportuara ishin mbështetur në dokumente ndërsa 32% e të dhënave të raportuara nuk ishin mbështetur në dokumente të fushave përkatëse. Pjesa tjetër e të dhënave nuk ishte raportuar saktë ose nuk ishte raportuar fare. Ne kemi rekomanduar që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal sa më parë të miratojë rregulloren e rishikuar për SMPK-në  dhe të hartojë një procedurë për menaxhim të ndryshimeve të sistemit e cila do të specifikojë qartë se kush është përgjegjës për inicimin, zhvillimin, aprovimin dhe zbatimin e ndryshimeve në sistem. Kjo për të evituar mangësitë që mund të lindin nga ndryshimet e mundshme të ardhme të sistemit. Ndërsa Kryetarëve të komunave u rekomandojmë që t’ua komunikojë të gjitha njësive organizative të komunës obligimin që ka Komuna lidhur me procesin e raportimit për Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale në mënyrë që të jenë të përgatitura për të ofruar të dhënat e kërkuara. Po ashtu, i rekomandojmë që të sigurojnë bashkëpunim të ngushtë mes zyrtarëve përgjegjës për raportim dhe drejtorive komunale si dhe të sigurohet se koordinatori komunal dhe zyrtarët përgjegjës për raportim i kanë kuptuar drejtë  procedurat e  mbledhjes, raportimit dhe verifikimit të të dhënave si dhe të njëjtat i kanë ushtruar. Raportin e plotë mund ta lexoni në ueb faqen tonë: www.zka-rks.org
Lexo më shumë