Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
2/14/2018 9:04:01 AM

Delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit vizitë zyrtare në Zyrën e Auditimit të Polonisë

Në datat 13 – 14 shkurt 2018, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës ka zhvilluar vizitë zyrtare në Zyrën Supreme të Auditimit të Polonisë. Gjatë qëndrimit në Varshavë, z. Osmani ka takuar Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, z. Krzysztof Kwiatkowski, Zëvendës Presidentin e kësaj Zyre, z. Wojciech Kutyla si dhe zyrtarë të tjerë. Qëllimi i vizitës ishte fuqizimi dhe bashkëpunimi bilateral ndërmjet dy institucioneve dhe  aktivitetet konkrete në kuadër të realizimit të Projektit të Binjakëzimit në mes të Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë. Projekti ka dy komponentë kryesore që përqendrohen në qasjen dhe metodologjinë e auditimit të Ndërmarrjeve Publike, të zhvilluara dhe me mbështetje të Divizionit për Menaxhimin e Cilësisë në Auditim dhe atij të auditimit të Ndërmarrjeve Publike. Përveç kësaj bashkëbiseduesit u pajtuan që bashkëpunimi në fusha të ndryshme të auditimit të forcohet më tutje me qëllim të shkëmbimit të informatave, përvojave dhe praktikave të mira në interes të ngritjes së nivelit të cilësisë së auditimit të jashtëm në të dyja vendet.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Filloi cikli i trajnimeve kundër mashtrimit në prokurimin publik

Filloi cikli i trajnimeve kundër mashtrimit në prokurimin publik

Sot ka filluar trajnimi për zyrtarët e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) me temën kundër mashtrimit në prokurimin publik dhe projektet e BE-së, ky trajnim organizohet në kuadër të projektit “Komunat transparente, efektive dhe llogaridhënëse”, i iniciuar dhe financuar nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ndërsa DAI është partner implementues i këtij projekti. Në hapjen e këtij aktiviteti, fjalë rasti ka mbajtur z. Valbon Bytyqi, Ndihmës Auditor i Përgjithshëm, i cili shprehu mirënjohje dhe falënderim për USAID-in dhe partnerët e tyre që në vazhdimësi e kanë përkrahur Zyrën Kombëtare të Auditimit në ngritje të kapaciteteve, me theks të veçantë në kontributin për edukim të vazhdueshëm profesional. Ai shtoi se kjo temë është shumë e rëndësishme ngase ndërlidhet me rritjen e njohurive kundër mashtrimit në prokurimin e publik sipas praktikave më të mira ndërkombëtare. Ai e vlerësoi lartë bashkëpunimin me USAID dhe tha se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë edhe në të ardhmen për të fuqizuar edhe më shumë institucionin e Zyrës Kombëtare të Auditimit i cili kontribuon në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies të institucioneve të Republikës së Kosovës. Ndërsa Zëvendës Drejtoresha e projektit nga DAI, znj. Afërdita Mekuli, e cila poashtu vlerësoi lartë bashkëpunimin me ZKA-në, ajo tha se projekti i tyre i ka tre komponenta, e para lidhet me ngritjen e kapaciteteve të komunave, e dyta me adresimin e sfidave që kanë komunat në nivelin qendror dhe e treta me detektimin e mashtrimit në prokurim publik. Znj. Mekuli më tej shtoi se ZKA është një partner kyç i tyre për përmbushjen e objektivave të projektit të tyre. Në fund të ceremonisë hapëse, për objektivat e trajnimit foli znj. Iva Todorova nga organizata KPMG që është partnere në zbatim të këtij projekti. Trajnimi do të mbahet gjatë këtij muaji, në total do të zgjasë nëntë ditë në tre grupe dhe do të marrin pjesë rreth 60 auditorë të ZKA-së.  
Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm mori pjesë në Konferencën Vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë

Auditori i Përgjithshëm mori pjesë në Konferencën Vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë

Me 15 shkurt 2018, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, mori pjesë në Konferencën Vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, ku është prezantuar veprimtaria e Institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2017, të arriturat, sfidat dhe ndikimin që auditimet kanë pasur në përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike. Auditori i Përgjithshëm, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, ka uruar homologun e tij për të arriturat  e KLSH-së gjatë vitit 2017, cilësinë në auditim dhe ndikimin në forcimin e llogaridhënies dhe transparencës së institucioneve publike. Z. Osmani tha – “Misioni i institucioneve supreme të auditimit dhe puna e auditorëve është sa fisnike aq edhe sfiduese. Zbatimi i standardeve ndërkombëtare në fushën e auditimit dhe kontabilitetit kërkon përpjekje dhe angazhim të vazhdueshëm profesional si nga institucionet audituese ashtu edhe nga entitetet e audituara. Prandaj, ne mund ta shpallim të suksesshëm misionin tonë, vetëm atëherë kur arrijmë që integritetin dhe kredibilitetin e institucioneve tona ta bartim efektivisht edhe tek administrata publike” Ai, ka shprehur falënderimin e tij për Kryetarin Leskaj për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me dy institucioneve duke theksuar se një praktikë e tillë duhet tu shërbejë si shembull mekanizmave tjerë institucionalë të dy vendeve tona. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, Kseanela Sotirofski, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë Naser Ademi, Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave Anastas Angjeli, dhe përfaqësues nga komuniteti ndërkombëtar në Shqipëri, shoqëris civile dhe mediat.  
Lexo më shumë