Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/24/2018 12:10:06 PM

Sistemi Informativ i Tatimit në Pronë nuk funksionon në mënyrë efektive

Raporti i fundit i auditimit të performancës, i publikuar sot tregon se sistemi informativ i tatimit në pronë (SITP) nuk është efektiv në mbledhjen e të hyrave nga tatimi në pronë. Sistemi është zhvilluar me ndihmën e Agjencisë Suedeze të Tatimeve dhe financim të Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, por Ministria e Financave ka dështuar në plotësimin e kushteve të dakorduara të marrëveshjes. Tatimi në pronë është e hyrë kryesore komunale dhe përbënë rreth 30% të hyrave vetanake. Për mbledhjen sa më efektive të tatimit në pronë është thelbësore që shkëmbimi i informatave, përditësimi i të dhënave, dhe qasja në to të funksionojë përmes një sistemi informativ të tatimit në pronë, të mirë organizuar, i cili do t’i siguroj qasje të gjithë palëve dhe institucioneve pjesëmarrëse të përfshira në këtë proces. Ky sistem  i  ofron qytetarëve marrjen e informatave  për obligimet e tyre për tatimin në pronë, pavarësisht nga cila komunë kërkohet shërbimi, si dhe i mundëson qasje në formë elektronike përmes  e-faturës në bazë të cilës mund të bëhet edhe pagesa e këtij tatimi. Në mos efektivitetin e këtij sistemi kanë ndikuar mangësitë në qeverisjen dhe menaxhimin e mirëfilltë të teknologjisë informative. Ministria e Financave ka dështuar në hartimin e strategjisë, politikave dhe procedurave të TI-së, duke rrezikuar adresimin e burimeve të nevojshme për mbështetjen e veprimtarisë së sistemit. Edhe mbarëvajtja e sistemit nuk është duke u realizuar sipas praktikave të mira. Ministria e Financave  nuk ka arritur të ofroj përkrahjen e duhur për shfrytëzuesit. Gjithashtu, nuk është bërë matja efektive e sistemit, duke pamundësuar planifikimin e kapaciteteve të nevojshme për operimin e duhur në të ardhmen. Të dhënat hyrëse nuk janë të sakta dhe shpeshherë nuk janë të përditësuara. Disa prona nuk janë të regjistruara, disa janë regjistruar shumë herë si dhe cilësia e ndërtimit si bazë për tatim injorohet në disa komuna. Ekziston një zbritje në të gjitha pronat e banimit, ndërsa zbritja duhet të jetë vetëm për banim primar por jo edhe për atë sekondar. Për shkak të zhvillimeve të vazhdueshme në sistem, shërbimet e ndryshme si ai i modulit financiar nuk e ka realizuar qëllimin e tij në tërësi. Ky modul është përcjellë me shumë mangësi. Shpesh herë janë paraqitur paqartësi në të dhëna, vonesa në regjistrimin dhe shpërndarjen e  pagesave, vështirësi në përpilimin e raporteve  e deri te ndërprerja e këtij shërbimi. Kjo ka ndikuar në performancën dhe shfrytëzimin jo efektiv të sistemit nga shfrytëzuesit. Mangësi më të mëdha janë identifikuar në modulin e faljes së borxheve ku ka raste kur tatimpaguesit nuk kanë përfituar nga falja për 0.02€. Sistemi nuk ofron siguri të mjaftueshme. Të drejtat e tepruara apo qasje të pa autorizuara mund  të mos zbulohen, mungesa e gjurmueshmërisë së plotë të veprimeve rrezikon realizimin e paautorizuar të tyre dhe keqpërdorimit të të dhënave. Ndërsa, mungesa e kontrollit të dhënies së privilegjeve në pajisjet e shfrytëzuara për qasje në sistem nga komunat, rrezikon keqpërdorimet në sistem. Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës ka thënë: “Tatimi në pronë është burimi kryesor i të hyrave për komunat. Vjelja e tyre është thelbësore për qëndrueshmërinë e tyre financiare. Pagesa e tatimit në pronë nga qytetarët është investim në mirëqenien e tyre. Është thelbësore që ne të kemi një sistem të drejtë dhe efektiv, të cilin për momentin nuk e kemi”. Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Ministria e Financave dhe Komunat, përmirësojnë qasjen e tyre në raport me zbatimin dhe mbarëvajtjen e këtij sistemi. Përmirësimi i mangësive të identifikuara, dukshëm mund të ndihmoj në qëndrueshmërinë e sistemit.   Raportin e plotë mund ta lexoni në http://zka-rks.org/ Për informata shtesë na kontaktoni  në 038 60 60 04 ext. 10 12    

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Zyra Kombëtare e Auditimit intensifikon bashkëpunimin ndërkombëtar

Zyra Kombëtare e Auditimit intensifikon bashkëpunimin ndërkombëtar

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, z. Besnik Osmani, ka pritur për vizitë zyrtare dy ditore z. Seyit Ahmet Bas, President i Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI) dhe Institucionit Suprem të Auditimit të Turqisë, me bashkëpunëtorë. Gjatë takimit bilateral është biseduar për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve supreme të auditimit që u formalizua me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit nga krerët e dy institucioneve. Me këtë rast z. Osmani theksoi se objektivat kryesore të bashkëpunimit janë zbatimi i plotë i standardeve ndërkombëtare të auditimit në sektorin publik dhe praktikave të mira ndërkombëtare dhe shkëmbimi i përvojave në ngritjen e kapaciteteve institucionale, avancimin e metodologjisë dhe procedurave të auditimit të jashtëm. Nga ana e tij z. Ahmet Bas, ka siguruar Auditorin e Përgjithshëm për përkrahjen profesionale, në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përkrahjen për Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës në integrimin në organizmat rajonale dhe ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit.  
Lexo më shumë
Rreth një milion euro investim i Qeverisë për një aplikacion softuerik i cili nuk menaxhohet e shfrytëzohet si duhet!

Rreth një milion euro investim i Qeverisë për një aplikacion softuerik i cili nuk menaxhohet e shfrytëzohet si duhet!

Qeveria e Kosovës ka shpenzuar gati një milion euro për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e një aplikacioni softuerik për menaxhimin e pasurive publike, i cili nuk kryen funksionin e vet dhe nuk përdoret nga shumë departamente dhe organizata. Raporti më i fundit i auditimit të performancës i cili është publikuar sot, shfaq se aplikacioni softuerik e-Pasuria nuk ka arritur qëllimin e tij kryesor, për të krijuar një bazë qendrore të unifikuar për menaxhimin efektiv të pasurisë publike. Këto pasuri publike janë me vlerë më të vogël se 1000 euro, si  mobilie, kompjuterë,  telefona celularë, etj. Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani, konsideron se: “Institucionet Publike janë përgjegjëse  për pasurinë publike për ruajtjen dhe përdorimin e saj në mënyrë të duhur. Ato duhet të menaxhohen mirë dhe të dihet se ku janë. Paraja publike e shpenzuar për ndërtimin e softuereve të tilla duhet të jetë në funskion të shërbimeve më efikase ndaj qytetarëve të Kosovës. Pavarësisht faktit se janë shpenzuar gati një milion euro për zhvillimin e softuerit, ai nuk menaxhohet dhe përdoret si duhet.” Si rezultat i mungesës së bashkëpunimit midis Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Administratës Publike, softueri shpeshherë nuk përdoret nga organizatat dhe në disa raste madje janë shpenzuar para shtesë për softuerë paralel të cilët kryejnë të njëjtin funksion. Gjashtë Organizata Buxhetore të cilat do të duhej ta përdornin softuerin për të menaxhuar në mënyrë efektive pasurinë e tyre, kanë qenë subjekt i këtij auditimi. Dogana e Kosovës nuk e përdor fare aplikacionin softuerik e-Pasuria. Ministria e  Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe Komuna  e Ferizajt kanë përdorim të kufizuar të këtij aplikacioni, ndërsa Ministria e Punëve Brendshme, Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Komuna e Lipjanit, e përdorin në mënyrë më efektive. Gjithashtu, pozitat kyçe që vlerësojnë regjistrimin e pasurisë brenda organizatës nuk e përdorin këtë aplikacion softuerik. Auditimi ka gjetur se më shumë se 800 përdorues ishin të pa identifikueshëm, të cilët përdornin emra ndryshe prej atyre të autorizuar. Diku 2000 përdorues kishin më tepër se një llogari. Ministria e Administratës Publike (MAP), përkatësisht Agjencia e Shoqërisë së Informacionit nuk ka hartuar politika dhe procedura për kontrollin e mirëfilltë të aplikacionit e-Pasuria. Prandaj, mungojnë fillimisht njohuritë për nevojën e përcaktimit të përgjegjësive, por edhe rrjedhës se veprimeve që duhet të ndërmarrën për të mundësuar përdorimin e duhur të aplikacionit softuerik, por edhe progresin e tij. Po ashtu mungojnë edhe procedurat për monitorimin dhe kontrollimin e këtij sistemi. Zyra Kombëtare e Auditimit rekomandon që Ministria e Financave dhe Ministrinë e Administratës Publike të ndërtojnë një komunikim të rregullt në mënyrë që të sigurohet shfrytëzueshmëria e plotë e këtij aplikacioni, i cili ka për qëllim regjistrimin e plotë të pasurisë shtetërore me vlerë nen një mijë euro. Po ashtu, Ministria e Administratës Publike përmes Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit duhet të sigurojë funksionim të aplikacionit softuerik, në mënyrë që përdorimi i tij të jetë i lehtë. Organizatat Buxhetore rekomandohen që ta përdorin aplikacionin ne pajtim me obligimet që dalin nga Rregullorja për Pasuri jo-Financiare. Raportin e plotë mund ta lexoni në www.zka-rks.org Për informata mund të na kontaktoni në 038 60 60 04 ext. 10 12
Lexo më shumë