Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/19/2018 3:28:45 PM

Zyra Kombëtare e Auditimit intensifikon bashkëpunimin ndërkombëtar

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, z. Besnik Osmani, ka pritur për vizitë zyrtare dy ditore z. Seyit Ahmet Bas, President i Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI) dhe Institucionit Suprem të Auditimit të Turqisë, me bashkëpunëtorë. Gjatë takimit bilateral është biseduar për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve supreme të auditimit që u formalizua me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit nga krerët e dy institucioneve. Me këtë rast z. Osmani theksoi se objektivat kryesore të bashkëpunimit janë zbatimi i plotë i standardeve ndërkombëtare të auditimit në sektorin publik dhe praktikave të mira ndërkombëtare dhe shkëmbimi i përvojave në ngritjen e kapaciteteve institucionale, avancimin e metodologjisë dhe procedurave të auditimit të jashtëm. Nga ana e tij z. Ahmet Bas, ka siguruar Auditorin e Përgjithshëm për përkrahjen profesionale, në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përkrahjen për Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës në integrimin në organizmat rajonale dhe ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Sqarim nga Zyra Kombëtare e Auditimit

Sqarim nga Zyra Kombëtare e Auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit dëshiron të sqarojë për opinionin e gjerë se lidhur me informacionin e publikuar në portalin lajmi.net, me datë 18 prill 2018, në artikullin “Ekskluzive: Kallëzim penal për rastin e diplomatëve kosovarë që iu ka skaduar mandati (Emrat)”, nuk ka bërë asnjë kallëzim penal sikurse thuhet në artikull. Zyra Kombëtare e Auditimit është në fazën finale të auditimit për vitin financiar 2017 për të gjitha organizatat buxhetore, përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme. Asnjë informatë lidhur me këtë auditim nuk është shpalosur ende. Sipas standardeve ndërkombëtare për auditim në sektorin publik, Zyra Kombëtare e Auditimit nuk do të jap asnjë koment para se raportet e auditimit të jenë finale dhe të publikohen në uebfaqen tonë. Zyra Kombëtare e Auditimit shpreh konsideratën e saj për bashkëpunimin korrekt të mediave dhe për hapësirën mediale që ato ndajnë për prezantimin e punës së ZKA-së. Në interes të informimit sa më të saktë dhe të drejtë të publikut, jemi gjithmonë të gatshëm të sqarojmë çështjet që lidhen me punën audituese dhe aktivitetin e institucionit tonë.
Lexo më shumë
Sistemi Informativ i Tatimit në Pronë nuk funksionon në mënyrë efektive

Sistemi Informativ i Tatimit në Pronë nuk funksionon në mënyrë efektive

Raporti i fundit i auditimit të performancës, i publikuar sot tregon se sistemi informativ i tatimit në pronë (SITP) nuk është efektiv në mbledhjen e të hyrave nga tatimi në pronë. Sistemi është zhvilluar me ndihmën e Agjencisë Suedeze të Tatimeve dhe financim të Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, por Ministria e Financave ka dështuar në plotësimin e kushteve të dakorduara të marrëveshjes. Tatimi në pronë është e hyrë kryesore komunale dhe përbënë rreth 30% të hyrave vetanake. Për mbledhjen sa më efektive të tatimit në pronë është thelbësore që shkëmbimi i informatave, përditësimi i të dhënave, dhe qasja në to të funksionojë përmes një sistemi informativ të tatimit në pronë, të mirë organizuar, i cili do t’i siguroj qasje të gjithë palëve dhe institucioneve pjesëmarrëse të përfshira në këtë proces. Ky sistem  i  ofron qytetarëve marrjen e informatave  për obligimet e tyre për tatimin në pronë, pavarësisht nga cila komunë kërkohet shërbimi, si dhe i mundëson qasje në formë elektronike përmes  e-faturës në bazë të cilës mund të bëhet edhe pagesa e këtij tatimi. Në mos efektivitetin e këtij sistemi kanë ndikuar mangësitë në qeverisjen dhe menaxhimin e mirëfilltë të teknologjisë informative. Ministria e Financave ka dështuar në hartimin e strategjisë, politikave dhe procedurave të TI-së, duke rrezikuar adresimin e burimeve të nevojshme për mbështetjen e veprimtarisë së sistemit. Edhe mbarëvajtja e sistemit nuk është duke u realizuar sipas praktikave të mira. Ministria e Financave  nuk ka arritur të ofroj përkrahjen e duhur për shfrytëzuesit. Gjithashtu, nuk është bërë matja efektive e sistemit, duke pamundësuar planifikimin e kapaciteteve të nevojshme për operimin e duhur në të ardhmen. Të dhënat hyrëse nuk janë të sakta dhe shpeshherë nuk janë të përditësuara. Disa prona nuk janë të regjistruara, disa janë regjistruar shumë herë si dhe cilësia e ndërtimit si bazë për tatim injorohet në disa komuna. Ekziston një zbritje në të gjitha pronat e banimit, ndërsa zbritja duhet të jetë vetëm për banim primar por jo edhe për atë sekondar. Për shkak të zhvillimeve të vazhdueshme në sistem, shërbimet e ndryshme si ai i modulit financiar nuk e ka realizuar qëllimin e tij në tërësi. Ky modul është përcjellë me shumë mangësi. Shpesh herë janë paraqitur paqartësi në të dhëna, vonesa në regjistrimin dhe shpërndarjen e  pagesave, vështirësi në përpilimin e raporteve  e deri te ndërprerja e këtij shërbimi. Kjo ka ndikuar në performancën dhe shfrytëzimin jo efektiv të sistemit nga shfrytëzuesit. Mangësi më të mëdha janë identifikuar në modulin e faljes së borxheve ku ka raste kur tatimpaguesit nuk kanë përfituar nga falja për 0.02€. Sistemi nuk ofron siguri të mjaftueshme. Të drejtat e tepruara apo qasje të pa autorizuara mund  të mos zbulohen, mungesa e gjurmueshmërisë së plotë të veprimeve rrezikon realizimin e paautorizuar të tyre dhe keqpërdorimit të të dhënave. Ndërsa, mungesa e kontrollit të dhënies së privilegjeve në pajisjet e shfrytëzuara për qasje në sistem nga komunat, rrezikon keqpërdorimet në sistem. Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës ka thënë: “Tatimi në pronë është burimi kryesor i të hyrave për komunat. Vjelja e tyre është thelbësore për qëndrueshmërinë e tyre financiare. Pagesa e tatimit në pronë nga qytetarët është investim në mirëqenien e tyre. Është thelbësore që ne të kemi një sistem të drejtë dhe efektiv, të cilin për momentin nuk e kemi”. Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Ministria e Financave dhe Komunat, përmirësojnë qasjen e tyre në raport me zbatimin dhe mbarëvajtjen e këtij sistemi. Përmirësimi i mangësive të identifikuara, dukshëm mund të ndihmoj në qëndrueshmërinë e sistemit.   Raportin e plotë mund ta lexoni në http://zka-rks.org/ Për informata shtesë na kontaktoni  në 038 60 60 04 ext. 10 12    
Lexo më shumë