Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/1/2024 6:17:00 PM

Sqarim për opinionin lidhur me një gabim në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2023

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij sqarimi njofton opinionin publik se në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2023 gjatë procesit të përgatitjes teknike është lëshuar një gabim, ku në faqen 42 të raportit përkatësisht te kategoria “Mallrat dhe Shërbimet” kanë mbetur të dhënat nga Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2022.  

 

Me qëllim të informimit të drejtë dhe të saktë, ZKA-ja sqaron se në faqen 42 përkatësisht te shënimi “Mallrat dhe Shërbimet” ku është bërë përshkrimi i zërave kryesorë që përbëjnë shpenzimet e kësaj kategorie, të dhënat e paraqitura nuk paraqesin gjendjen sipas të dhënave nga Raporti Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.  

 

Me vendim të Auditores së Përgjithshme është korrigjuar Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2023 në faqen 42, te paragrafi 2 janë bartur të dhënat e korrigjuara të cilat përkojnë me të dhënat e sakta me Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës 2023, përkatësisht, shënimi 28 “Mallrat dhe shërbimet” si në vijim: Zërat kryesor në këtë kategori të cilat përfshijnë pjesën më të madhe të shpenzimeve janë: shërbimet kontraktuese tjera me 70,927,000€, furnizimet mjekësore 61,714,000€, shpenzimet e karburantit dhe ngrohjes 27,910,000€, blerja e librave 514,000€, shpenzimet e qirasë 11,495,000€ etj.

 

Për hir të korrektësisë, njoftojmë opinionin publik se sipas metodologjisë së Zyrës Kombëtare të Auditimit në tri vitet e fundit shifra për shpenzimet e karburantit është e përmbledhur. Sipas dëshmive të auditorit, vlera e korrigjuar për 2023 për karburante përfshin shpenzimet për vetura në vlerën 10,471,000 €, naftën për ngrohje qendrore 7,590,000 €, mazutin 833, 000 €, derivatet për gjeneratorë 520,000 €, dru 8,288, 000 € si dhe vaj 208, 000 €.

 

Auditorja e Përgjithshme dhe Zyra Kombëtare e Auditimit sigurojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës, opinionin publik si dhe subjektin e audituar se ky gabim teknik nuk ka pasur ndikim për nga aspekti i auditimit në raport si dhe në opinionin e auditimit për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

 

Lidhur me këtë lëshim teknik, ZKA-ja ka njoftuar Kuvendin e Republikës së Kosovës, Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve si subjekt i audituar,  Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) dhe Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT) me të gjitha sqarimet e nevojshme.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Zyra Kombëtare e Auditimit planifikon kryerjen e 139 auditimeve për sezonin 2024/2025

Zyra Kombëtare e Auditimit planifikon kryerjen e 139 auditimeve për sezonin 2024/2025

 

Në përputhje me mandatin ligjor Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dorëzoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP), Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2024/2025.

 

Për sezonin auditues  2024/2025, ZKA-ja planifikon kryerjen e 139 auditimeve, prej tyre 88 auditime të detyrueshme të rregullsisë të përcaktuar me ligj, 12 auditime të ndërmarrjeve publike, 3 auditime me informata të klasifikuara, 13 auditime të performancës, 8 auditime të projekteve të financuara nga Banka Botërore dhe 4 auditime të performancës dhe pajtueshmërisë të sezonit të kaluar.

 

Gjithashtu, duke konsideruar rëndësinë e vlerësimit të pajtueshmërisë se aktiviteteve dhe proceseve me ligjet dhe aktet tjera rregullative të kryera nga institucionet publike, Zyra Kombëtare e Auditimit në këtë sezon auditimi ka planifikuar edhe kryerjen e 11 auditimeve të pajtueshmërisë, të cilat do të mbulojnë fusha me interes publik.

 

Ndërsa, auditimet e performancës do të trajtojnë tema të rëndësishme dhe mbulojnë fusha me interes si: shëndetësia, arsimi, ambienti, infrastruktura, siguria, energjetika, inovacioni,  prokurimi publik etj.  

 

Raportet individuale për auditimet e rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë) do të finalizohen deri më 30 qershor 2025, si dhe në përputhje me afatin ligjor, Raporti Vjetor i Auditimit për Buxhetin e Republikës së Kosovës do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës jo më vonë se 31 gusht 2025. Ndërsa Auditimet e performancës, pajtueshmërisë dhe të projekteve do të publikohen sipas kalendarit kohor të përcaktuar dhe aprovuar nga Auditorja e Përgjithshme.  

 

Planin Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2024/2025 e gjeni këtu.  

Lexo më shumë
Delegacioni nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës

Delegacioni nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca me bashkëpunëtorë të premten priti në takim delegacionin e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi dhe Kryetarja e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, Emilia Koliqi si dhe anëtarë të tjerë të komisionit dhe nenkomisionit. 

 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi lartë vizitën e këtij delegacioni si dhe foli për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe parlamenteve për të forcuar llogaridhënien dhe transparencën në shpenzimin e fondeve publike.

 

Znj. Spanca përgëzoi mysafirët për themelimin e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik si mekanizëm mbikëqyrës në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, i cili do t’i shërbejë rritjes së llogaridhënies dhe transparencës për shpenzimin e parasë publike.  “Institucionet Supreme të Auditimit kanë për mision që t’i ofrojnë Kuvendit dhe qytetarëve informacion objektiv dhe të pavarur për shpenzimin e parasë publike si dhe t’a ndihmojë Parlamentin për t’i mbajtur llogaridhënës ata që administrojnë paratë publike”, deklaroi znj. Spanca.

 

Ajo tha se auditimi i sektorit publik kontribuon në përmirësimin e standardeve të qeverisjes, menaxhimit dhe vendimmarrjes më të mirë dhe përdorimit më efektiv të parasë publike. “Për të arritur këtë ndikim bashkëpunimi me Kuvendin është më së i nevojshëm. Për funksionimin sa më të mirë të një Institucioni Suprem të Auditimit është jetike ruajtja e pavarësisë së tij”, theksoi znj. Spanca.  

 

Me tutje Auditorja e Përgjithshme foli për partneritetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit me Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere. Pavarësisht përpjekjeve dhe bashkëpunimit me Kuvendin, znj. Spanca tha se zbatimi i rekomandimeve të auditimit nuk është në nivelin e kënaqshëm meqë vetëm 46% e rekomandimeve janë zbatuar.   

 

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi, falënderoi Auditoren e Përgjithshme për mirëpritjen si dhe për gatishmërinë për t’i shkëmbyer përvojat e mira sa i përket bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës. Ai tha se ky bashkëpunim mund të shërbej si model edhe në Shqipëri. Sipas tij në këtë  aspekt Kosova dhe Shqipëria mund të mësojnë shumë nga njëra-tjetra.

 

Ai tha se ishte tejet i rëndësishëm avancimi i raporteve në mes të Parlamentit të Shqipërisë dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.  Z. Shalsi falënderoi edhe NDI në Shqipëri për punën dhe mbështetjen profesionale në themelimin e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik.

 

Edhe Kryetarja e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, Emilia Koliqi, tha se themelimi i nënkromisionit që drejton ka ardhur si rezultat i shkalles së ulët të zbatimit të rekomandimeve. Ajo tha se për punën e mëtutjeshme të Komisionit do të merret parasysh përvoja e Kosovës në këtë drejtim si dhe ekspertiza profesionale e NDI në Shqipëri përkatësisht Ish Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës Llage Bende Olofsson.  

 

Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Safet Berisha, prezantoi para të pranishmëve kornizën kushtetuese dhe ligjore, ndërsa Drejtoresha për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Komunikim, Qendresa Mulaj i njoftoi për bashkëpunimin e ZKA-së me Kuvendin përkatësisht Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

 

Pjesë e delegacionit nga Shqipëria ishin edhe: anëtari i komisionit dhe nenkomisionit Alban Xhelili, nënkryetarja e Komisionit dhe anëtare e nenkomisionit Sorina Koti, drejtoresha e NDI në Shqipëri Ana Kovacevic, zyrtarja e Programit në NDI në Shqipëri Sabina Babameto, këshilltari i Programit në NDI në Shqipëri Rinor Beka, Brunilda Zeneli dhe Kristina Pushi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, si dhe Nivini Lekaj, Besi Londo dhe Dea Dragoti nga stafi parlamentar.  

 

Ndërsa nga Kosova ishin: Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, Zukë Zuka, Emine Fazliu, Ramadan Gashi si dhe Shefja e Kabinetit Shqipe Çavdarbasha.   

 

 

 

 

 

 

Lexo më shumë