Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca me bashkëpunëtorë të premten priti në takim delegacionin e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi dhe Kryetarja e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, Emilia Koliqi si dhe anëtarë të tjerë të komisionit dhe nenkomisionit.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi lartë vizitën e këtij delegacioni si dhe foli për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe parlamenteve për të forcuar llogaridhënien dhe transparencën në shpenzimin e fondeve publike.
Znj. Spanca përgëzoi mysafirët për themelimin e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik si mekanizëm mbikëqyrës në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, i cili do t’i shërbejë rritjes së llogaridhënies dhe transparencës për shpenzimin e parasë publike. “Institucionet Supreme të Auditimit kanë për mision që t’i ofrojnë Kuvendit dhe qytetarëve informacion objektiv dhe të pavarur për shpenzimin e parasë publike si dhe t’a ndihmojë Parlamentin për t’i mbajtur llogaridhënës ata që administrojnë paratë publike”, deklaroi znj. Spanca.
Ajo tha se auditimi i sektorit publik kontribuon në përmirësimin e standardeve të qeverisjes, menaxhimit dhe vendimmarrjes më të mirë dhe përdorimit më efektiv të parasë publike. “Për të arritur këtë ndikim bashkëpunimi me Kuvendin është më së i nevojshëm. Për funksionimin sa më të mirë të një Institucioni Suprem të Auditimit është jetike ruajtja e pavarësisë së tij”, theksoi znj. Spanca.
Me tutje Auditorja e Përgjithshme foli për partneritetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit me Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere. Pavarësisht përpjekjeve dhe bashkëpunimit me Kuvendin, znj. Spanca tha se zbatimi i rekomandimeve të auditimit nuk është në nivelin e kënaqshëm meqë vetëm 46% e rekomandimeve janë zbatuar.
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi, falënderoi Auditoren e Përgjithshme për mirëpritjen si dhe për gatishmërinë për t’i shkëmbyer përvojat e mira sa i përket bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës. Ai tha se ky bashkëpunim mund të shërbej si model edhe në Shqipëri. Sipas tij në këtë aspekt Kosova dhe Shqipëria mund të mësojnë shumë nga njëra-tjetra.
Ai tha se ishte tejet i rëndësishëm avancimi i raporteve në mes të Parlamentit të Shqipërisë dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. Z. Shalsi falënderoi edhe NDI në Shqipëri për punën dhe mbështetjen profesionale në themelimin e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik.
Edhe Kryetarja e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, Emilia Koliqi, tha se themelimi i nënkromisionit që drejton ka ardhur si rezultat i shkalles së ulët të zbatimit të rekomandimeve. Ajo tha se për punën e mëtutjeshme të Komisionit do të merret parasysh përvoja e Kosovës në këtë drejtim si dhe ekspertiza profesionale e NDI në Shqipëri përkatësisht Ish Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës Llage Bende Olofsson.
Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Safet Berisha, prezantoi para të pranishmëve kornizën kushtetuese dhe ligjore, ndërsa Drejtoresha për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Komunikim, Qendresa Mulaj i njoftoi për bashkëpunimin e ZKA-së me Kuvendin përkatësisht Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Pjesë e delegacionit nga Shqipëria ishin edhe: anëtari i komisionit dhe nenkomisionit Alban Xhelili, nënkryetarja e Komisionit dhe anëtare e nenkomisionit Sorina Koti, drejtoresha e NDI në Shqipëri Ana Kovacevic, zyrtarja e Programit në NDI në Shqipëri Sabina Babameto, këshilltari i Programit në NDI në Shqipëri Rinor Beka, Brunilda Zeneli dhe Kristina Pushi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, si dhe Nivini Lekaj, Besi Londo dhe Dea Dragoti nga stafi parlamentar.
Ndërsa nga Kosova ishin: Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, Zukë Zuka, Emine Fazliu, Ramadan Gashi si dhe Shefja e Kabinetit Shqipe Çavdarbasha.