Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/15/2019 9:42:43 AM

Kosova në mesin e shumë vendeve evropiane të cilat kanë dështuar të përmbushin standardet e cilësisë së ajrit

Shumë vende evropiane nuk po përmbushin standardet ndërkombëtare dhe evropiane për cilësinë e ajrit. Për më tepër, shumë qeveri kanë dështuar për të ndërmarrë veprime efektive për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe për rrjedhojë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të tyre. Këto janë dy nga gjetjet e një auditimi të përbashkët të kryer nga 14 Zyra të Auditimit Evropian, përfshirë Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Vetëm gjendja në Estoni ka treguar që është në përputhje me të gjitha standardet relevante të BE-së. Publikohet raporti i auditimit të përbashkët “Cilësia e Ajrit” i cili është kryer nga Zyrat Kombëtare të Auditimit të 14 vendeve nga Evropa dhe Regjioni, përfshirë Zyrën Kombëtare të Auditimit të Izraelit dhe Gjykatën Evropiane të Auditorëve. Qëllimi i këtij auditimi ishte të konstatojë nëse qeveritë e vendeve në fjalë po ndërmarrin veprime për të përmirësuar cilësinë e ajrit. Zyrat Kombëtare të Auditimit që morën pjesë në auditim janë: Bullgaria, Estonia, Hungaria, Holanda, Polonia, Rumania, Sllovakia, Maqedonia, Kosova, Moldavia, Zvicra, Izraeli dhe Gjykata Evropiane e Auditorëve. Auditimi i përbashkët zbuloi mospërputhje të mëdha ndërmjet 15 vendeve të mbuluara nga auditimi. Në njërën anë ishte Estonia, e cila u konstatua se ishte në përputhje me të gjitha standardet relevante. Në anën tjetër ishin vendet që Komisioni Evropian kohët e fundit i solli përpara Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për shkak të dështimit të tyre të vazhdueshëm për të përmbushur vlerat kufitare. Raporti i përbashkët i auditimit bazohet në auditimet kombëtare të kryera në të gjitha vendet pjesëmarrëse, plus një auditim të gjerë në BE. Në Kosovë, qëllimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit ishte vlerësimi i aktiviteteve të subjekteve përgjegjëse të nivelit qendror në vendosjen e kornizës ligjore si parakusht për përmirësimin e gjendjes së cilësisë së ajrit si dhe vendosjes së mekanizmave të përshtatshëm të monitorimit dhe raportimit, si dhe vlerësimi i aktiviteteve të nivelit lokal në miratimin e planeve lokale të veprimit për cilësi të ajrit si dhe përfshirjen e tyre në menaxhimin e gjendjes së cilësisë së ajrit në nivel lokal. Ekipi Kosovar i auditorëve ka gjetur se, sistemi i tillë i monitorimit dhe raportimit, që menaxhohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe mekanizmat e saj, nuk u ofron qytetarëve të Kosovës një pasqyrë reale të gjendjes së cilësisë së ajrit, e sidomos jo në kohë reale. Direktiva e BE-së Në vitin 2008, Bashkimi Evropian përcaktoi vlerat kufitare për një numër të madh të ndotësve të ajrit. Ndotësit kryesorë janë grimcat (të gjeneruara nga konsumi i energjisë dhe trafiku), oksidet e azotit (trafiku) dhe dioksidi i squfurit (djegia e qymyrit). Sipas kushteve të Direktivës në fjalë, shtetet anëtare ishin të detyruara të analizonin cilësinë e ajrit në vendet e tyre, t'i raportojnë rezultatet Agjencisë Evropiane të Mjedisit dhe të hartojnë plane për përmirësimin e cilësisë së ajrit në ato raste ku tejkalohen vlerat kufitare përkatëse. Komisioni Evropian është i autorizuar të ndërmarrë veprime nëse shtetet anëtare dështojnë të jenë në përputhje me Direktivën. Nëse gjithçka tjetër dështon, Komisioni ka të drejtë të fillojë procedurën në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Vdekjet e parakohshme Nga të gjitha llojet e ndotjes së mjedisit, ndotja e ajrit është rreziku i vetëm më i madh shëndetësor në botë. Në një raport të botuar në shtator 2018, Gjykata Evropiane e Auditorëve shkruante se ndotja e ajrit ishte shkaku i 400,000 vdekjeve të parakohshme në BE çdo vit dhe se masat e marra nga BE për të luftuar problemin nuk kishin pasur efektin e dëshiruar. Gjithashtu janë analizuar efektet mbarë botërorë të ndotjes së ajrit. Gjatë konferencës së parë ndërkombëtare mbi ndotjen e ajrit dhe shëndetin, të mbajtur në vjeshtën e vitit 2018, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se një në çdo nëntë vdekje në botë u shkaktua nga ndotja e ajrit. Ndikimi i raportit të cilësisë së ajrit të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit Në këtë raport të përbashkët, janë përmendur edhe reagimet e shumta në media dhe veprimet e ndërmarra nga Qeveria dhe palët përgjegjëse si rezultat i ndikimit të raportit të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit në Kosovë. Raporti është publikuar nga të gjitha institucionet supreme të auditimit pjesëmarrëse në auditim, Gjykata Evropiane e Auditorëve si dhe Agjencioni Evropian i Mjedisit. Ndërsa mund ta gjeni edhe në uebfaqen e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në këtë vegzë. Raporti do të publikohet vetëm në gjuhën angleze.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Zyra Kombëtare e Auditimit rrit portofolion me Auditimet e Teknologjisë së Informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit rrit portofolion me Auditimet e Teknologjisë së Informacionit

Teknologjia informative është bërë pjesë integrale e të gjitha sferave të jetës, duke qenë në qendër të vëmendjes së zhvillimit të saj. Aplikimi i kësaj teknologjie për kryerjen e shërbimeve dhe proceseve të përditshme, përfshirë edhe shërbimet në sektorin publik, ka ndikuar drejtpërsëdrejti në lehtësimin, avancimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ky zhvillim i teknologjisë së Informacionit, nxori në pah edhe domosdoshmërinë e Auditimit të TI-së. Auditimi i Teknologjisë së Informacionit është një ndër llojet më me interes të auditimeve që zhvillohet nga Institucionet Supreme të Auditimit në mbarë botën. Në këtë drejtim edhe ZKA është duke kryer auditime të sistemeve të TI-së, duke pasur parasysh parimet e përgjithshme të auditimit që rrjedhin nga Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit. Gjatë tri viteve të fundit, ZKA ka kryer pesë auditime të Teknologjisë së Informacionit përfshirë një Vlerësim të përgjithshëm të sistemeve të Teknologjisë Informative në të gjitha Institucionet e nivelit qendror dhe lokal të Republikës së Kosovës.  Në raportet e auditimit të TI-së të kryera nga ZKA, janë identifikuar mangësi të shumta në qeverisjen e teknologjisë informative, sigurisë së informacionit dhe kontrolle të dobëta në sistemet informative. Nga auditimet e kryera vërehet se përkundër investimeve në këto aplikacione, asnjëri nga to nuk e ka arritur objektivin e plotë për të cilin janë financuar. Edhe në planin Strategjik të ZKA-së 2018-2021 i është dhënë rëndësi e veçantë auditimeve të TI-së dhe është duke u punuar në ngritjen e kapaciteteve njerëzore e profesionale, zbatimin e standardeve profesionale si dhe shkëmbimit të përvojave me Institucionet Supreme të Auditimit në rajon dhe më gjerë. Bazuar në planin vjetor 2018-2019, ZKA ka të planifikuar të kryejë dy auditime të teknologjisë së Informacionit. Auditimi i TI-së nënkupton ekzaminimin e zbatimit të sistemeve të TI-së për të garantuar se ato përmbushin nevojat e subjektit, pa komprometuar sigurinë e të dhënave, privatësinë, koston dhe elemente të tjera kritike të veprimtarisë së subjektit të audituar. Raportet e TI-së të kryera nga Zyra Kombëtare e Auditimit mund t’i gjeni të publikuara në faqen tonë të internetit http://www.zka-rks.org/
Lexo më shumë
Ftesë për media

Ftesë për media

Të nderuara media, Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani do të presë në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë z. Philip S. Kosnett, me ç’rast do të fillojë edhe zyrtarisht punën Njësia për Luftimin e Mashtrimit, e cila do të veprojë në kuadër të Departamentit për Çështje Ligjore në Auditim të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Kjo ngjarje është paraparë të mbahet:

të martën, me 19 mars 2019

në ora 15:20

në lokalet e Zyres Kombëtare të Auditimit,

Rr Ahmet Krasniqi 210, Lagjja Arbëria

Prishtinë

ZKA ka marrë mbështetje të vazhdueshme nga USAID në rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale për trajtimin e mashtrimit të hasur gjatë procesit të auditimit si dhe për themelimin e Njësisë për Luftimin e Mashtrimit. Deri tani për këtë qëllim janë trajnuar rreth 60 auditorë. Ju mirëpresim, Zyra për Informim e ZKA
Lexo më shumë