Teknologjia informative është bërë pjesë integrale e të gjitha sferave të jetës, duke qenë në qendër të vëmendjes së zhvillimit të saj. Aplikimi i kësaj teknologjie për kryerjen e shërbimeve dhe proceseve të përditshme, përfshirë edhe shërbimet në sektorin publik, ka ndikuar drejtpërsëdrejti në lehtësimin, avancimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ky zhvillim i teknologjisë së Informacionit, nxori në pah edhe domosdoshmërinë e Auditimit të TI-së. Auditimi i Teknologjisë së Informacionit është një ndër llojet më me interes të auditimeve që zhvillohet nga Institucionet Supreme të Auditimit në mbarë botën. Në këtë drejtim edhe ZKA është duke kryer auditime të sistemeve të TI-së, duke pasur parasysh parimet e përgjithshme të auditimit që rrjedhin nga Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit. Gjatë tri viteve të fundit, ZKA ka kryer pesë auditime të Teknologjisë së Informacionit përfshirë një Vlerësim të përgjithshëm të sistemeve të Teknologjisë Informative në të gjitha Institucionet e nivelit qendror dhe lokal të Republikës së Kosovës. Në raportet e auditimit të TI-së të kryera nga ZKA, janë identifikuar mangësi të shumta në qeverisjen e teknologjisë informative, sigurisë së informacionit dhe kontrolle të dobëta në sistemet informative. Nga auditimet e kryera vërehet se përkundër investimeve në këto aplikacione, asnjëri nga to nuk e ka arritur objektivin e plotë për të cilin janë financuar. Edhe në planin Strategjik të ZKA-së 2018-2021 i është dhënë rëndësi e veçantë auditimeve të TI-së dhe është duke u punuar në ngritjen e kapaciteteve njerëzore e profesionale, zbatimin e standardeve profesionale si dhe shkëmbimit të përvojave me Institucionet Supreme të Auditimit në rajon dhe më gjerë. Bazuar në planin vjetor 2018-2019, ZKA ka të planifikuar të kryejë dy auditime të teknologjisë së Informacionit. Auditimi i TI-së nënkupton ekzaminimin e zbatimit të sistemeve të TI-së për të garantuar se ato përmbushin nevojat e subjektit, pa komprometuar sigurinë e të dhënave, privatësinë, koston dhe elemente të tjera kritike të veprimtarisë së subjektit të audituar. Raportet e TI-së të kryera nga Zyra Kombëtare e Auditimit mund t’i gjeni të publikuara në faqen tonë të internetit http://www.zka-rks.org/