Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/5/2019 11:21:31 AM

Auditori i Përgjithshëm dhe Avokati i Popullit, kërkojnë mobilizimin e institucioneve për të siguruar mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për qytetarët

Në Ditën Botërore të Mjedisit, Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit në Kosovë organizuan tryezë të përbashkët me temën “Mjedisi i sigurt dhe i shëndetshëm – e drejtë e njeriut dhe përgjegjësi Kushtetuese”. Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, në fjalën e tij,  tha se qëllimi i organizimit të kësaj tryeze është që te dy institucionet kushtetuese të ndërtojmë një aleancë, për më shumë ndikim për çështjet e rëndësishme për qytetarët e vendit bazuar në mandatin tonë: - njëra për të mbrojtur të drejtat e njeriut e tjetra për të treguar se si përdoren burimet publike nga shfrytëzuesit e fondeve publike. Kështu, ne synojmë të rrisim vetëdijen e publikut rreth çështjeve të rëndësishme dhe të tërheqim vëmendjen e politik-bërësve, si dhe të nxisim veprime konkrete në këtë drejtim. “Të kemi tokë, ujë e ajër të shëndetshëm duhet të sigurohemi që të gjitha organizatat publike dhe jo publike që kanë ndikim dhe  përgjegjësi po e kryejnë punën e vet mirë” theksoi Osmani. Tutje, z Osmani shtoi se Zyra Kombëtare e Auditimit, përmes auditimeve i është qasur këtij problemi në dy perspektiva: duke bërë auditime të rregullta financiare kemi shtuar komponentën e qeverisjes së mirë, përmes së cilës, kemi mundësi të japim rekomandime të vlefshme se si puna e institucioneve mund të bëhet më efikase e me këtë edhe shërbimet kundrejt qytetarëve; si dhe duke bërë auditimeve të veçanta në tema të rëndësishme, të nxjerrim në sipërfaqe situatën reale dhe po japim rekomandime konkrete si kjo mund të përmirësohet. Megjithatë, në Kosovë, ne kemi dështuar që t’i sjellim para përgjegjësisë publike apo drejtësisë, ndotësitë e ajrit e ujit, dëmtuesit e natyrës siç kemi dështuar të sjellim qeverisje efektive për zbatimin e politikave dhe strategjive që vet i kemi adaptuar, përfundoi ai. Avokati i Popullit, z.Hilmi Jashari, është shprehur se ndien kënaqësi të veçantë meqenëse rrallë herë ndodh që në Kosovë dy Insitucione të Pavarura, Avokati i Popullit dhe Auditori i Përgjithshëm, kanë dhënë kontribut lidhur me vlerësimin e gjendjes mjedisore në vend dhe për më tepër kane dalë me rekomandime konkrete drejtuar autoriteteve publike lidhur me veprimet që ata duhet të ndërmarrin për të përmirësuar dhe për të jetësuar garancinë kushtetuese, që vendi jonë i ka jetësuar në dispozitën 52 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Po ashtu, ai theksoi se zhvillimi ekonomik në Kosovë, nuk duhet të kushtëzohet dhe të shkoj në dëm të të drejtave të njeriut. Përfaqësuesja nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Znj. Annette Fath Lihic, pasi ka folur për rëndësinë e mjedisit në jetën dhe shëndetin e popullsisë, ka ngritur çështjet e dala nga Raporti i Progresit për vendin, e që lidhen me çështjet e mjedisit. Ajo tha që sipas këtij raporti, Kosova ende është në fazat e hershme dhe asnjë progres nuk është arritur lidhur me këtë çështje. Problemet mjedisore në Kosovë dhe mungesa e vullnetit politik të institucioneve në ndërmarrjen e masave adekuate për mbrojtjen e mjedisit kanë ndikuar në mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve. Në këtë tryezë u diskutua edhe lidhur me rolin e  Kuvendit në drejtim të përmirësimit të gjendjes së mjedisit në vend, me ç’rast deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherit anëtar i Komisionit të Kuvendit të Kosovës, për Bujqësi, Pylltari dhe Planifikim Hapësinor, z.Sali Zyba, ngriti shqetësimin e mosfunksionimit të te gjitha hallkave në zinxhirin e institucioneve. Tema të tjera të diskutuara ishin: roli i shoqërisë civile në mbrojtjen e mjedisit, roli i prokurorisë në parandalimin e problemeve mjedisore, roli i Policisë së Kosovës në parandalimin e degradimit të mjedisit. Gjithashtu, edhe nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë u paraqiten veprimet e ndërmarra nga kjo ministri në drejtim të ushtrimit të kompetencave ligjore. Kjo tryezë u organizuar në Ditën Botërore të Mjedisit. Qëllimi i kësaj tryeze ishte që të  vihet në pah rëndësia dhe bashkëpunimit i institucioneve  në zbatimin e rekomandimeve adresuar institucioneve të nivelit qendror dhe nivelit lokal me qëllim të përmirësimit të gjendjes së mjedisit në vend. Në tryezë morën pjesë dhe shprehën opinionet e tyre, përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, të Zyrës së BE-së në Kosovë, të organeve të drejtësisë, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, institucioneve tjera të nivelit qendror dhe lokal, të Organizatave Ndërkombëtare në vend si dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Të gjithë të pranishmit, u pajtuan që për të pasur një mjedis më të shëndetshëm, nevojitet një mobilizim, bashkëpunim dhe koordinim i mirëfilltë i të gjithë dikasterëve institucional, shoqërisë civile dhe qytetareve.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Ftesë për media

Ftesë për media

Të nderuara media, Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Zyra Kombëtare e Auditimit do të organizojnë tryezë me temën “ Mjedisi i sigurt dhe i shëndetshëm – e drejtë e njeriut dhe përgjegjësi kushtetuese”. Tryeza  do të mbahet:

të mërkuren, me 05 Qershor 2019

në ora 10:00

në Hotel Emerald,

Prishtinë

  Tryeza ka për qëllim të vë në pah rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve publike me Avokatin e Popullit dhe Auditorin e Përgjithshëm në zbatimin e rekomandimeve adresuar institucioneve të nivelit qendror dhe nivelit lokal me qëllim të përmirësimit të gjendjes së mjedisit në vend. Në këtë tryezë Avokati i Popullit, Auditori i Përgjithshëm, përfaqësues të legjislativit, ekzekutivit dhe të shoqërisë civile, do të diskutojnë për gjendjen, veprimet dhe sfidat në drejtim të mbrojtjes së mjedisit në vend. Diskutimi do të jetë i hapur për të gjithë pjesëmarrësit. Ju mirëpresim, Zyra për Informim e ZKA
Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm, ka informuar Kryetarin e Kuvendit të Kosovës për rezultatet e auditimit për vitin 2018

Auditori i Përgjithshëm, ka informuar Kryetarin e Kuvendit të Kosovës për rezultatet e auditimit për vitin 2018

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka pritur në një takim të veçantë Auditorin e Përgjithshëm z. Besnik Osmanin. Me këtë rast, z. Osmani ka njoftuar z. Veselin, që të gjitha raportet e auditimit do të përfundojnë sipas afatit ligjor dhe ka prezantuar çështjet kryesore lidhur me pasqyrat vjetore financiare të organizatave buxhetore dhe ndërmarrjeve publike dhe dobësitë e evidentuara nga këto raporte. Në mënyrë të veçantë është biseduar për auditimet e ndërmarra me kërkesë të Kuvendit si ndërmarrjet publike: Telekomi dhe Posta e Kosovës, Grantet dhe Subvencionet në sektorin e bujqësisë, si dhe për procesin e auditimit të Radio Televizionit të Kosovës. Auditori i Përgjithshëm ka ritheksuar për përkushtimin e tij për të përmbushur mandatin kushtetues e ligjor të Zyrës Kombëtare të Auditimit, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të qeverisjes e të llogaridhënies në menaxhimin e fondeve publike dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Gjatë bashkëbisedimit vëmendje i është kushtuar nivelit jo të kënaqshëm të zbatimit të rekomandimeve dhe mungesës së një angazhimi sistematik nga subjektet e audituara për adresimin e tyre. Kryetari Veseli ka nënvizuar nevojën që të gjitha institucionet publike kanë obligim menaxhimin efikas të parasë publike dhe të fuqizojnë qeverisjen e mirë. Ai nënvizoj se transparenca dhe llogaridhënia nuk janë vetëm parime kushtetuese sa i përket shpenzimit të parasë publike, por janë detyrime ligjore që çdo institucion duhet t’i ndjek me përpikëri. Ai  ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që t’i shikojë me vëmendje të gjeturat e raporteve të auditimit dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme. Në relacion me Zyrën Kombëtare të auditimit,  Kryetari Veseli, ka deklaruar mbështetjen e plotë të Kuvendit të Kosovës dhe nevojën që të forcohet edhe më tej pavarësia dhe integriteti i saj, sikurse edhe t’i jepen resurset e nevojshme financiare për kryerjen e detyrave.
Lexo më shumë