Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI)
“Kjo është një arritje kulminante, meqenëse anëtarësimi në INTOSAI na bënë partnerë të barabartë dhe vendimmarrës në rrafshin ndërkombëtar” tha Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani në konferencën për media të mbajtur sot.
Në gusht 2019, Bordi drejtues i INTOSAI-it ka miratuar me shumicë votash anëtarësimin me të drejta të plota të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës në këtë organizatë, në mënyrë efektive nga data 1 janar 2020.
INTOSAI është një organizatë e pavarur, profesionale dhe jopolitike e themeluar si një institucion i përhershëm. Vepron si një organizatë ombrellë për komunitetin e auditimit të sektorit publik dhe ka status të posaçëm konsultativ me Këshillin Ekonomik dhe Social (ECOSOC) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës, ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë të rëndësishme me 8 maj 2018. Pas një procesi të verifikimit dhe angazhimit intensiv është rikonfirmuar nga instancat relevante ndërkombëtare se ZKA-ja i plotëson të gjitha kriteret ligjore dhe administrative të përcaktuara me Statutin e INTOSAI-t, për të qenë anëtarë me të drejta të plota në këtë institucion.
Ky rezultat është kurorëzim i punës së jashtëzakonshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit, institucioneve të Kosovës dhe përkrahjes së partnerëve të ZKA-së.
Pjesëmarrja e Zyrës Kombëtare të Auditimit në strukturat e INTOSAI-t promovon përveç tjerash qeverisjen e mirë, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe ngritjen e kompetencës profesionale.
Zyra Kombëtare e Auditimit, është institucion i pavarur, që ushtron mandatin e saj të përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj, në pajtueshmëri me standardet profesionale të auditimit dhe kodit të brendshëm të etikës e sjelljes profesionale.
Në baza vjetore kryen auditimin e detyrueshëm të rregullsisë për Buxhetin e Qeverisë së Kosovës të të gjitha organizatave buxhetore, të cilat pranojnë buxhet përmes ligjit vjetor të buxhetit, si dhe të Ndërmarrjeve publike. Po ashtu, ZKA-ja bënë auditime të performancës, si dhe ka të drejtën që në çfarëdo kohe të kryejë auditime tjera, të ndryshme nga auditimet e rregullsisë për fondet e dhëna nga buxheti për një institucion apo organizatë, si; fondet publike për partneritet publiko-privat; huatë dhe kreditë e detyrimet e garantuara nga entitetet e sektorit publik.
Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit promovojnë drejtpërdrejt llogaridhënien dhe ofrojnë bazë të qëndrueshme për t’iu kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore.

Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani hapi punimet e konferencës, duke falënderuar përzemërsisht pjesëmarrësit dhe veçanërisht falënderoj Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë (SNAO) dhe OSBE që mundësuan organizimin e konferencës.
“Këtë konferencë e nis me ri-konfirmimin e zotimit tonë që si anëtare me të drejta të plota në organizatën më të rëndësishme të komunitetit të auditorëve të sektorit publik INTOSAI, ne mbetemi të fokusuar në parimet fundamentale të saj: pavarësisë, transparencës, integritetit e profesionalizmit në mënyrë që përmes auditimeve cilësore të fuqizojmë llogaridhënien në administratën publike për përdorimin efektiv, efikas dhe ekonomik të burimeve kombëtare” tha Osmani.
Puna jonë bazohet në modelin e qeverisjes së mirë dhe themeli ynë është Plani Strategjik, 2018 – 2021, theksoi Osmani, ku më pas shpalosi punën dhe të arriturat për dy vitet e fundit. Gjatë kësaj periudhe është rritur në 20% numri i auditimeve të rregullsisë, janë trefishuar auditimet e performancës ndërsa auditimi i ndërmarrjeve publike i themeluar si portofolio në 2016 po rezulton mirë me rritje të katër auditimeve të reja për çdo vit. Poashtu, kanë filluar angazhimet për auditimet e projekteve të përkrahura nga Banka Botërore dhe donatorët tjerë, ku aktualisht kryhen 9 auditime të këtyre projekteve në vit.
Tutje z.Osmani shtoi se me qëllim te përditësimit të qasjes tonë të auditimit, në vazhdimësi kemi rishikuar në mënyrë kritike dokumentet tona të punës dhe kemi avancuar me zhvillimin e metodologjisë. Gjatë kësaj periudhe është zhvilluar metodologjia e auditimit të Ndërmarrjeve Publike që ka rezultuar me përgatitjen e doracakut të auditimit dhe të letrave të punës. Është aplikuar për herë të parë auditimi i Pajtueshmërisë, si rezultat i bashkëpunimit me SNAO-n, ku janë pilotuar tre entitete të ndryshme, si është bërë përditësimi i disa komponentëve të Auditimit Financiar. Gjithashtu, janë zhvilluar dhe aplikuar: ”Udhëzime praktike për menaxhimin e procesit të auditimit” si dhe “Rregullore e Punës për Zbatimin e Auditimit dhe Planeve të Veprimit”.
Osmani theksoi se tashmë Njësia Kundër Mashtrim është funksionalizuar dhe bashkëpunimi me sektorin ë e drejtësisë është strukturuar. Shkëmbimi i informatave tani bëhet në rrugë zyrtare dhe në mënyrë efektive.
Konferenca Vjetore ka vazhduar punimet me diskutimin e temave në dy panele dhe dy punëtori.
Në panelin e parë u trajtua tema “Rritja e ndikimit të auditimit në përmirësimin e qeverisjes në sektorin publik”. Diskutimet e këtij paleni i hapi Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, për të vazhduar me panelistët, z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së; z. Dag Levin Sparr, Këshilltar i Lartë dhe Zyrtar Ndërlidhës për BE-në , Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë dhe z. Haci Ömer Köse, Drejtor i Departamentit të Auditimit në Gjykatën Turke e Llogarive, të cilët sollën përvojat e Institucioneve Supreme të Auditimit përkatëse lidhur me këtë tematikë. Ky panel u moderua nga znj. Isabelle Berglund nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë.
Ndërsa, Paneli i dytë u përqendrua në temën “Sfidat në zbatimin e rekomandimeve të auditimit dhe rëndësia e komunikimit efektiv me palët e interesit” dhe fjala kryesore u mbajtën nga z. Peter Welling, Shef i Sektorit të Qeverisjes dhe Demokratizimit në OSBE-së; z. Ilir Salihu, Zëvendës auditor i Përgjithshëm i ZKA-së; z.Visar Prebreza nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN; z. Ahmet Ismaili, Drejtor i Thesarit të Republikës së Kosovës; znj. Rozafa Ukimeraj, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe znj. Safete Hadergjonaj, ish-nënkryetare, Komisioni për Buxhet dhe Financa. Paneli i dytë u moderua nga znj. Greta Rask, konsulente organizative dhe trajnere ekzekutive.
Të dy këto panele u ndoqën me interes nga pjesëmarrësit dhe në fund të secilin panel pati pyetje dhe diskutime.
Konferenca ka vazhduar punimet edhe me dy punëtori me personelin e ZKA-së, “Menaxhimi i cilësisë në auditim dhe proceseve në ZKA” dhe “Menaxhimi i ndryshimit organizativ”.
Konferenca është një aktivitet i rregullt vjetor, tashmë me traditë për ZKA-në, ku së bashku së bashku me partnerët kyç diskutohet për rezultatet dhe sfidat.
Në anën tjetër përfaqësuesit nga Institucionet Supreme të Auditimit nga Suedia, Polonia, Turqia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, theksuan se është nderë dhe privilegj të jenë në këtë Konferencë. Duke uruar ZKA-në për anëtarësimin në INTOSAI ata theksuan se kjo ngjarje pa dyshim që përbën një sukses të madh për Kosovën dhe auditimin e jashtëm.
Më tej z. Osmani falënderoj punonjësit për përkushtimin dhe punën. ”Sot jam krenar të konfirmoj me bindje të plotë, se falë përkushtimit dhe angazhimit të punonjësve tonë, kemi realizuar plotësisht çdo detyrë që i kemi caktuar vetes” theksoj ai.
Në këtë ceremoni janë ndarë mirënjohje për punonjësit e ZKA-së, që kanë kontribuar 10 vite në këtë Institucion.
