Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/15/2019 9:03:52 AM

Auditori i Përgjithshëm në shenjë falënderimi ndan mirënjohje për përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Audimit dhe punonjësit

Në vigjilje të Konferencës së 11 Vjetore të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani në shenjë falënderimi ka ndarë mirënjohje për përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit dhe për punonjësit të cilët kanë mbushur 10 vite në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Në fjalën e tij përshëndetëse, Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani falënderoj Institucionet Supreme të Auditimit, për përkrahjen e vazhdueshme dhe shkëmbimin e përvojave në interes të avancimit të mëtejmë të auditimit të jashtëm dhe përmirësimit të menaxhimit të parasë publike. “Ky aktivitet vjen menjëherë pas anëtarësimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit si anëtare me të drejta të plota në INTOSAI, prandaj nuk mund të lë pa shprehur mirënjohjen time të thellë për kontributin e këtyre Institucioneve Supreme të Auditimit, secila në kapacitet dhe mënyrën e vet” theksoi Osmani. Në anën tjetër përfaqësuesit nga Institucionet Supreme të Auditimit nga Suedia, Polonia, Turqia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, theksuan se është nderë dhe privilegj të jenë në këtë Konferencë. Duke uruar ZKA-në  për anëtarësimin në INTOSAI ata theksuan se kjo ngjarje pa dyshim që përbën një sukses të madh për Kosovën dhe auditimin e jashtëm. Më tej z. Osmani falënderoj punonjësit për përkushtimin dhe punën. ”Sot jam krenar të konfirmoj me bindje të plotë, se falë përkushtimit dhe angazhimit të punonjësve tonë, kemi realizuar plotësisht çdo detyrë që i kemi caktuar vetes” theksoj ai. Në këtë ceremoni janë ndarë mirënjohje për punonjësit e ZKA-së, që kanë kontribuar 10 vite në këtë Institucion.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Rritja e ndikimit të auditimit në përmirësimin e qeverisjes në sektorin publik

Rritja e ndikimit të auditimit në përmirësimin e qeverisjes në sektorin publik

Zyra Kombëtare e Auditimit ka mbajtur Konferencën e 11-të Vjetore me temë qendrore ”Rritja e ndikimit të auditimit në përmirësimin e qeverisjes në sektorin publik”. Konferenca u mbajt në Strugë dhe u organizua në bashkëpunim profesional dhe me përkrahjen financiare të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues nga Institucionet Supreme të Auditimit nga Suedia, Polonia, Turqia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, dhe Mali i Zi. Poashtu, pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të OSBE-së, Institucioneve Publike, ish- anëtare të komisioneve parlamentare, shoqërisë civile dhe mediave. Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani hapi punimet e konferencës, duke falënderuar përzemërsisht pjesëmarrësit dhe veçanërisht falënderoj Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë (SNAO) dhe OSBE që mundësuan organizimin e konferencës. “Këtë konferencë e nis me ri-konfirmimin e zotimit tonë që si anëtare me të drejta të plota në organizatën më të rëndësishme të komunitetit të auditorëve të sektorit publik INTOSAI, ne mbetemi të fokusuar në parimet fundamentale të saj: pavarësisë, transparencës, integritetit e profesionalizmit në mënyrë që përmes auditimeve cilësore të fuqizojmë llogaridhënien në administratën publike për përdorimin efektiv, efikas dhe ekonomik të burimeve kombëtare” tha Osmani. Puna jonë bazohet në modelin e qeverisjes së mirë dhe themeli ynë është Plani Strategjik, 2018 – 2021, theksoi Osmani, ku më pas shpalosi punën dhe të arriturat për dy vitet e fundit. Gjatë kësaj periudhe është rritur në 20% numri i auditimeve të rregullsisë, janë trefishuar auditimet e performancës ndërsa auditimi i ndërmarrjeve publike i themeluar si portofolio në 2016 po rezulton mirë me rritje të katër auditimeve të reja për çdo vit. Poashtu, kanë filluar angazhimet për auditimet e projekteve të përkrahura nga Banka Botërore dhe donatorët tjerë, ku aktualisht kryhen 9 auditime të këtyre projekteve në vit. Tutje z.Osmani shtoi se me qëllim te përditësimit të qasjes tonë të auditimit,  në vazhdimësi kemi rishikuar në mënyrë kritike dokumentet tona të punës dhe kemi avancuar me zhvillimin e metodologjisë. Gjatë kësaj periudhe është zhvilluar metodologjia e auditimit të Ndërmarrjeve Publike që ka rezultuar me përgatitjen e doracakut të auditimit dhe të letrave të punës. Është aplikuar për herë të parë auditimi i Pajtueshmërisë, si rezultat i bashkëpunimit me SNAO-n, ku janë pilotuar tre entitete të ndryshme, si është bërë përditësimi i disa komponentëve të Auditimit Financiar.  Gjithashtu, janë zhvilluar dhe aplikuar: ”Udhëzime praktike për menaxhimin e procesit të auditimit” si dhe “Rregullore e Punës për Zbatimin e Auditimit dhe Planeve të Veprimit”. Osmani theksoi se tashmë Njësia Kundër Mashtrim është funksionalizuar dhe bashkëpunimi me sektorin ë e drejtësisë është strukturuar. Shkëmbimi i informatave tani bëhet në rrugë zyrtare dhe në mënyrë efektive. Konferenca Vjetore ka vazhduar punimet me diskutimin e temave në dy panele dhe dy punëtori. Në panelin e parë u trajtua tema “Rritja e ndikimit të auditimit në përmirësimin e qeverisjes në sektorin publik”. Diskutimet e këtij paleni i hapi Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, për të vazhduar me panelistët, z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së; z. Dag Levin Sparr, Këshilltar i Lartë dhe Zyrtar Ndërlidhës për BE-në , Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë dhe z. Haci Ömer Köse, Drejtor i Departamentit të Auditimit në Gjykatën Turke e Llogarive, të cilët sollën përvojat e Institucioneve Supreme të Auditimit përkatëse lidhur me këtë tematikë. Ky panel u moderua nga znj. Isabelle Berglund nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë. Ndërsa, Paneli i dytë u përqendrua në temën “Sfidat në zbatimin e rekomandimeve të auditimit dhe rëndësia e komunikimit efektiv me palët e interesit” dhe fjala kryesore u mbajtën nga z. Peter Welling, Shef i Sektorit të Qeverisjes dhe Demokratizimit në OSBE-së; z. Ilir Salihu, Zëvendës auditor i Përgjithshëm i  ZKA-së; z.Visar Prebreza nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN; z. Ahmet Ismaili, Drejtor i Thesarit të Republikës së Kosovës; znj. Rozafa Ukimeraj, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe znj. Safete Hadergjonaj, ish-nënkryetare, Komisioni për Buxhet dhe Financa.  Paneli i dytë u moderua nga znj. Greta Rask, konsulente organizative dhe trajnere ekzekutive. Të dy këto panele u ndoqën me interes nga pjesëmarrësit dhe në fund të secilin panel pati pyetje dhe diskutime. Konferenca ka vazhduar punimet edhe me dy punëtori me personelin e ZKA-së, “Menaxhimi i cilësisë në auditim dhe proceseve në ZKA” dhe “Menaxhimi i ndryshimit organizativ”. Konferenca është një aktivitet i rregullt vjetor, tashmë me traditë për ZKA-në, ku së bashku së bashku me partnerët kyç  diskutohet për rezultatet dhe sfidat.
Lexo më shumë
Menaxhimi i cilësisë në auditim dhe proceseve në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Menaxhimi i cilësisë në auditim dhe proceseve në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Në kuadër të Konferencës së 11-të Vjetore të Zyrës Kombëtare të Auditimit janë mbajtur dy punëtori me punonjësit e ZKA-së,  me dy tema kryesore “Menaxhimi i cilësisë në auditim dhe proceseve në ZKA” dhe “Menaxhimi i ndryshimit organizativ”.  Me qëllim të sigurimit të përfshirjes sa më të gjerë në diskutimet për këto tema, punonjësit e ZKA-së  në këto punëtori janë ndarë në disa grupe, ku secili pjesëmarrës ka dhënë inputet e tyre, të cilat u konsoliduan dhe u prezantuan më pas në konferencë. Punëtoria e parë me temën ”Menaxhimi i cilësisë në auditim dhe proceseve në ZKA” kishte për objektivë identifikimin e çështjeve të cilat janë të nevojshme të adresohen në mënyrë që të rritet cilësia e auditimit, efikasiteti operacional i proceseve, etj.  Pas identifikimit të çështjeve janë përcaktuar shkaqet dhe efektet e mundshme nga mos adresimi i tyre. Në fund të punëtorisë grupet kanë prezantuar rekomandimet për adresimin e shkaqeve dhe përmirësimin e gjendjes. Ndërsa në punëtorinë e dytë me temën “Menaxhimi i ndryshimit organizativ”, punonjësit kanë identifikuar ndikimin e faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm për ndryshim. Pasi janë identifikuar faktorët e jashtëm për ndryshim siç janë ata politik, ekonomik sociologjik, teknologjik, juridik, mjedisor etj. Këto grupe kanë analizuar secilin faktor dhe ndikimin që mund të kenë faktorët në proceset e ZKA-së. Gjithashtu, janë analizuar edhe faktorët e brendshëm e që janë qeverisja dhe strategjia, menaxhimi i burimeve, menaxhimi i marrëdhënieve me palët e interesit, menaxhimi i shërbimeve mbështetëse (menaxhimi financiar,  prokurimit, TI). Identifikimi dhe analizimi i këtyre faktorëve i ndihmon organizatës në  drejtimin strategjik dhe prioritete e përcaktuara, matjen e performancës operative dhe strategjike dhe rreziqet e ndërlidhura duke përfshirë edhe mundësitë për ndryshim. Konkluzionet dhe rekomandimet të dala nga këto punëtori do të shërbejnë si një input i rëndësishëm për Auditorin e Përgjithshëm në procesin e vendimmarrjes strategjike dhe adresimin e sfidave me të cilat do të ballafaqohet ZKA gjatë zbatimit të planit të saj strategjik.
Lexo më shumë