Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/21/2019 11:14:00 AM

Mangësi serioze në sistemin e kontrollit dhe monitorimit të derivateve të naftës

Raporti i Auditimit të Performancës “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës” ka gjetur se mangësitë e identifikuara në këtë sistem, që në import menaxhohet nga Dogana e Kosovës dhe në tregun e brendshëm nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e vejnë në pikëpyetje kompetencën dhe besueshmërinë e marrjes së mostrave dhe testimit të tyre, prandaj si i tillë ky sistem nuk është në gjendje të sigurojë cilësi të derivateve të naftës për qytetarët e Kosovës. Mangësitë në import përfshijnë mungesën e raporteve të testimit laboratorik dhe informatave të plota për Trupat Inspektuese në sistem, pamundësinë e identifikimit të Trupave Inspektuese në raste të caktuara, mungesën e akreditimit të Laboratorit të Doganës, si dhe numrin e ulët të parametrave të testuar. Tregu i brendshëm është karakterizuar nga mangësi që kanë të bëjnë me monitorimin jo adekuat të procesit të akreditimit, shkelje të kërkesave të autorizimit nga Laboratorët dhe funksionime pa autorizim të Trupave Inspektuese në periudha të caktuara (si rezultat i mungesës së monitorimit të autorizimeve), mos përcaktim të kontrolleve në bazë të analizës së riskut, mungesë të testimeve për rezultate krahasuese, mungesë  të testimit të një numri të konsiderueshëm të parametrave, etj. Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm, lidhur me këtë raport është shprehur se: “Cilësia e derivateve të naftës është e pasigurte si pasojë e mangësive të shumta në sistemin e kontrollit dhe monitorimit.  Shqetësues është fakti që në import dhe në tregun e brendshëm aktualisht testohet një numër tejet i vogël i parametrave të cilësisë si dhe mungesa e ndërmarrjes së masave në treg të brendshëm ndaj derivateve që rezultojnë jo konforme për ti larguar ato nga pikat e shitjes.” Cilësia e dobët e derivateve të naftës përveç që kontribuon në ndotjen e ajrit, ka ndikim edhe në performancën e automjeteve. Kontrollet adekuate janë të rëndësishme për të siguruar që derivatet e naftës përmbushin të gjitha specifikimet dhe standardet e kërkuara. Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Dogana e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, të shtojnë përpjekjet e tyre për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për të siguruar cilësinë e derivateve të naftës në import dhe në treg të brendshëm. Përmirësimi i mangësive të identifikuara, do të ndihmoj në identifikimin e masave konkrete që duhet të ndërmirren  për të përmirësuar cilësinë e derivateve të naftës në vend. Raportin e plotë mund ta lexoni këtë vegzë.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Menaxhimi i cilësisë në auditim dhe proceseve në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Menaxhimi i cilësisë në auditim dhe proceseve në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Në kuadër të Konferencës së 11-të Vjetore të Zyrës Kombëtare të Auditimit janë mbajtur dy punëtori me punonjësit e ZKA-së,  me dy tema kryesore “Menaxhimi i cilësisë në auditim dhe proceseve në ZKA” dhe “Menaxhimi i ndryshimit organizativ”.  Me qëllim të sigurimit të përfshirjes sa më të gjerë në diskutimet për këto tema, punonjësit e ZKA-së  në këto punëtori janë ndarë në disa grupe, ku secili pjesëmarrës ka dhënë inputet e tyre, të cilat u konsoliduan dhe u prezantuan më pas në konferencë. Punëtoria e parë me temën ”Menaxhimi i cilësisë në auditim dhe proceseve në ZKA” kishte për objektivë identifikimin e çështjeve të cilat janë të nevojshme të adresohen në mënyrë që të rritet cilësia e auditimit, efikasiteti operacional i proceseve, etj.  Pas identifikimit të çështjeve janë përcaktuar shkaqet dhe efektet e mundshme nga mos adresimi i tyre. Në fund të punëtorisë grupet kanë prezantuar rekomandimet për adresimin e shkaqeve dhe përmirësimin e gjendjes. Ndërsa në punëtorinë e dytë me temën “Menaxhimi i ndryshimit organizativ”, punonjësit kanë identifikuar ndikimin e faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm për ndryshim. Pasi janë identifikuar faktorët e jashtëm për ndryshim siç janë ata politik, ekonomik sociologjik, teknologjik, juridik, mjedisor etj. Këto grupe kanë analizuar secilin faktor dhe ndikimin që mund të kenë faktorët në proceset e ZKA-së. Gjithashtu, janë analizuar edhe faktorët e brendshëm e që janë qeverisja dhe strategjia, menaxhimi i burimeve, menaxhimi i marrëdhënieve me palët e interesit, menaxhimi i shërbimeve mbështetëse (menaxhimi financiar,  prokurimit, TI). Identifikimi dhe analizimi i këtyre faktorëve i ndihmon organizatës në  drejtimin strategjik dhe prioritete e përcaktuara, matjen e performancës operative dhe strategjike dhe rreziqet e ndërlidhura duke përfshirë edhe mundësitë për ndryshim. Konkluzionet dhe rekomandimet të dala nga këto punëtori do të shërbejnë si një input i rëndësishëm për Auditorin e Përgjithshëm në procesin e vendimmarrjes strategjike dhe adresimin e sfidave me të cilat do të ballafaqohet ZKA gjatë zbatimit të planit të saj strategjik.
Lexo më shumë
Studentët përfitojnë punë praktike në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Studentët përfitojnë punë praktike në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë filluar punën praktike grupi i parë i studentëve. Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani më rastin e ndarjes së certifikatave për mbajtjen e praktikës, u shpreh se ai dhe stafi i tij janë të angazhuar të përkrahin gjeneratat e reja në edukim dhe zhvillim profesional. z. Osmani i ka inkurajuar studentët që të angazhohen në avancimin  e tyre profesional duke shfrytëzuar burime të besueshme informacioni për mësim efektiv dhe të qëndrueshëm. Në anën tjetër studentët shprehën falënderimin e tyre lidhur me mundësinë e dhënë dhe mirëpritjen e  stafit të ZKA-së.  Mundësia për të zhvilluar përvojën duke u përfshirë në punën praktike i bën studentët më të aftë dhe më konkurrentë në tregun e punës. Studentët gjatë kohës së mbajtjes së praktikës përveç që kanë arritur të avancojmë njohuritë teorike në punë praktike, po ashtu janë njohur për së afërmi me rolin dhe punë e ZKA-së. Marrëveshja e Bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka për qëllim bashkëpunimin ndër institucional në shkëmbimet e ndihmës profesionale dhe akademike si dhe të angazhimit në punë praktike të studentëve. Nga kjo marrëveshje, punë praktike një mujore do të përfitojnë studentët e nivelit master në fushat që ndërlidhen me aktivitetet e ZKA-së, siç janë drejtimi i financave, kontabilitetit, auditimit dhe çështjeve ligjore. Procesi i përzgjedhjes bëhet nga Universiteti i Prishtinës. Me qëllim të njohjes së detyrave, obligimeve dhe ruajtjen e sigurisë se informacionit, studenten e përzgjedhur kanë nënshkruar marrëveshje sipas legjislacionit në fuqi si dhe janë njoftuar me Kodin e Etikës së ZKA-së dhe aktete e tjera të brendshme.
Lexo më shumë