Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/31/2019 1:20:32 PM

Rritja e ndikimit të auditimit të jashtëm në Komuna

Me qëllim të rritjes së ndikimit të auditimit të jashtëm, Zyra Kombëtare e Auditimit në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, kanë organizuar tri punëtori ndër regjionale në komunat e Kosovës. Me datat 25, 28 dhe 30 tetor janë mbajtur punëtori ndër regjionale me komunat: Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Prizren dhe Pejë. Temë qendrore e këtyre punëtorive ishte përmirësimi i adresimit të rekomandimeve të cilat do të ndikojnë në rritjen e llogaridhënies dhe përmirësimin e performancës komunale, në veçanti në fushën e menaxhimit të parasë publike. Pjesëmarrës në këto punëtori ishin përfaqësues të Kuvendeve Komunale, Zyrtarë të Financave, Auditor të Brendshëm nga të gjitha komunat e Kosovës si dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Ndërsa, përfaqësues nga Zyra Kombëtare e Auditimit, ishin Naser Arllati, Ndihmës Auditor i Përgjithshëm dhe Astrit Bllaca, Bujar Bajraktari, Shkëlqim Xhema, udhëheqës të departamenteve të auditimit. Në këto punëtori, përfaqësuesit nga ZKA kanë diskutuar lidhur me çështjet kyçe të dala nga raportet e auditimit të Komunave në vitin 2018 si: të gjeturat kryesore nga raportet e auditimit, rekomandimet e dhëna dhe niveli i zbatimit të rekomandimeve, si dhe sfidat e mundshme që ndikojnë në nivelin e ulët të zbatimit të rekomandimeve. Po ashtu në këto punëtori është diskutuar edhe për sfidat dhe pengesat me të cilat ballafaqohen zyrtarët komunal gjatë zbatimit të rekomandimeve.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Mirëmbajtja e objekteve shkollore kërkon përmirësim urgjent

Mirëmbajtja e objekteve shkollore kërkon përmirësim urgjent

Raporti i auditimit të performancës “Menaxhimi i mirëmbajtjes në Institucionet Publike Arsimore”  ka gjetur se në përgjithësi gjendja e shkollave nuk është e mirë. Nuk ka mirëmbajtje të vazhdueshme për të mundësuar zhvillimin e mësimit në një ambient të shëndetshëm dhe me kushte themelore mësimore. Nga 18 objektet shkollore që janë vlerësuar, vetëm shtatë (7) prej tyre janë në nivel të pranueshëm për zhvillimin e aktiviteteve mësimore. Përderisa, në objektet tjera shkollore mangësi të theksuara kishte në furnizimin me materiale dhe pajisje higjienike, gëlqerosjen vjetore të mureve dhe dezinfektimin e tyre, gjendjen e inventarit shkollor, nyjeve sanitare, ajrosjen e objektit dhe ventilimin e tualeteve. Raporti thekson se institucionet qendrore dhe lokale nuk kanë arritur që të koordinojnë, mbikëqyrin dhe delegojnë detyrat rreth inspektimeve që duhet kryer në nivele të ndryshme dhe nuk kanë hartuar infrastrukturë të plotë ligjore. Gjithashtu, nuk janë realizuar aktivitetet e duhura brenda institucioneve shkollore për sigurimin e kushteve dhe shërbimeve të mirëmbajtjes. Menaxhimi i mirëmbajtjes ka qenë sfidues për shumicën e shkollave në aspektin e planifikimit të  aktiviteteve dhe ndërmarrjes së  masave për të siguruar shërbime më të mira të mirëmbajtjes. Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, lidhur me raportin është shprehur se “Sistemi aktual për menaxhimin e mirëmbajtjes nga Institucionet Publike Arsimore nuk ka arritur të sigurojë mirëmbajtje në nivelin e duhur të objekteve arsimore. Për pasojë, ato nuk ofrojnë kushtet e duhura për zhvillimin e procesit mësimor” Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandime konkrete për kryesuesit e Institucioneve Publike Arsimore të nivelit qendror dhe lokal, të cilat kanë synim përmirësimin e kushteve elementare dhe mirëmbajtjes në objektet shkollore, me qëllim që nxënësve t’ju sigurojnë ambient të shëndetshëm për zhvillimin e procesit mësimor. Raportin e plotë mund ta lexoni në  vegzë.
Lexo më shumë
Përmirësimi i procesit të menaxhimit të kontratave publike të ndërtimit është i domosdoshëm

Përmirësimi i procesit të menaxhimit të kontratave publike të ndërtimit është i domosdoshëm

Një shumë e konsiderueshme nga buxheti i shtetit shpenzohet për ndërtimin e objekteve arsimore, kulturore dhe sportive, andaj është tejet e rëndësishme që Organizatat Buxhetore të bëjnë menaxhimin e kontratave për këto ndërtime në mënyrë të duhur dhe efikase. Mirëpo, auditimi i performancës i kryer nga Zyra Kombëtare e Auditimit lidhur me  “Menaxhimin e kontratave publike të ndërtimit” ka identifikuar se Organizatat Buxhetore të audituara nuk kishin arritur të sigurojnë që objektet arsimore, kulturore dhe sportive të bëhen me kohë, brenda buxhetit të aprovuar dhe procesi i ndërtimit të objekteve të bëhet sipas marrëveshjeve kontraktuale. Sipas raportit të auditimit, shkaktarët kryesorë që projektet e audituara nuk janë përfunduar me kohë siç janë kontraktuar fillimisht janë; mos verifikimi i gjendjes faktike në vendin e ndërtimit, mos përgatitja e dokumenteve kyçe të ndërtimit në mënyrë të duhur dhe mungesa e  vlerësimit të  performancës së kontratave. Më tej në raport theksohet se Organizatat Buxhetore nuk kanë shfrytëzuar mjaftueshëm as mjetet juridike që do të ndihmonin në përfundimin e projekteve sipas planit dhe kontratave. Mangësitë e identifikuara në këtë aspekt ishin: siguria e ekzekutimit të kontratës më e ulët se avansi, koha e sigurisë nuk mbulonte kohëzgjatjen e kontratës dhe në 9 nga 11 kontratat e audituara nuk kishin paraparë fare mundësinë e penalizimit, ndërsa në dy rastet kur është paraparë nuk është aplikuar edhe pse ishte paraqitur nevoja për penalizim. Në këtë raport prezantohen  edhe mangësi në përdorimin e tepërt të aneks kontratave. Edhe pse në Ligjin për Prokurim Publik parashihet që përdorimi i aneks kontratave lejohet në rastet kur punët nuk mund të parashihen në kontratën bazë, auditimi nxjerr në pah se janë nënshkruar kontrata për punë të cilat do të mund të përfshiheshin gjatë dizajnimit të projektit fillestar. Si pasojë e kësaj, OB-të kanë paguar më shumë se që kanë planifikuar dhe fondet e ndara për projektet tjera janë përdorë për të mbuluar shpenzimet për aneks kontrata. Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani lidhur me këtë raport ka deklaruar se “Mungesa e monitorimit të performancës gjatë menaxhimit të kontratave, ka shkaktuar që projektet të mos mund të realizohen siç është pritur dhe objektet mos të vihen në dispozicion të shfrytëzuesve të synuar me kohë. Përmirësimi i disa proceseve gjatë menaxhimit të kontratave mund të sigurojë se projektet po arrijnë qëllimin për çka janë  ndërtuar dhe po e sigurojnë vlerën për paranë e investuar në to”. Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Ministria e Administratës Publike, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministra e Kulturës Rinisë dhe Sportit, shtojnë përpjekjet e tyre për të përmirësuar menaxhimin e kontratave duke siguruar se projektet po përfundohen në kohën e pritur, në përputhje me kushtet e kontraktuara, janë përdorur mjetet juridike që i mbrojnë interesat e organizatave buxhetore dhe se është zvogëluar përdorimi i aneks kontratave. Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegzë.  
Lexo më shumë