Një shumë e konsiderueshme nga buxheti i shtetit shpenzohet për ndërtimin e objekteve arsimore, kulturore dhe sportive, andaj është tejet e rëndësishme që Organizatat Buxhetore të bëjnë menaxhimin e kontratave për këto ndërtime në mënyrë të duhur dhe efikase. Mirëpo, auditimi i performancës i kryer nga Zyra Kombëtare e Auditimit lidhur me “Menaxhimin e kontratave publike të ndërtimit” ka identifikuar se Organizatat Buxhetore të audituara nuk kishin arritur të sigurojnë që objektet arsimore, kulturore dhe sportive të bëhen me kohë, brenda buxhetit të aprovuar dhe procesi i ndërtimit të objekteve të bëhet sipas marrëveshjeve kontraktuale. Sipas raportit të auditimit, shkaktarët kryesorë që projektet e audituara nuk janë përfunduar me kohë siç janë kontraktuar fillimisht janë; mos verifikimi i gjendjes faktike në vendin e ndërtimit, mos përgatitja e dokumenteve kyçe të ndërtimit në mënyrë të duhur dhe mungesa e vlerësimit të performancës së kontratave. Më tej në raport theksohet se Organizatat Buxhetore nuk kanë shfrytëzuar mjaftueshëm as mjetet juridike që do të ndihmonin në përfundimin e projekteve sipas planit dhe kontratave. Mangësitë e identifikuara në këtë aspekt ishin: siguria e ekzekutimit të kontratës më e ulët se avansi, koha e sigurisë nuk mbulonte kohëzgjatjen e kontratës dhe në 9 nga 11 kontratat e audituara nuk kishin paraparë fare mundësinë e penalizimit, ndërsa në dy rastet kur është paraparë nuk është aplikuar edhe pse ishte paraqitur nevoja për penalizim. Në këtë raport prezantohen edhe mangësi në përdorimin e tepërt të aneks kontratave. Edhe pse në Ligjin për Prokurim Publik parashihet që përdorimi i aneks kontratave lejohet në rastet kur punët nuk mund të parashihen në kontratën bazë, auditimi nxjerr në pah se janë nënshkruar kontrata për punë të cilat do të mund të përfshiheshin gjatë dizajnimit të projektit fillestar. Si pasojë e kësaj, OB-të kanë paguar më shumë se që kanë planifikuar dhe fondet e ndara për projektet tjera janë përdorë për të mbuluar shpenzimet për aneks kontrata. Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani lidhur me këtë raport ka deklaruar se “Mungesa e monitorimit të performancës gjatë menaxhimit të kontratave, ka shkaktuar që projektet të mos mund të realizohen siç është pritur dhe objektet mos të vihen në dispozicion të shfrytëzuesve të synuar me kohë. Përmirësimi i disa proceseve gjatë menaxhimit të kontratave mund të sigurojë se projektet po arrijnë qëllimin për çka janë ndërtuar dhe po e sigurojnë vlerën për paranë e investuar në to”. Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Ministria e Administratës Publike, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministra e Kulturës Rinisë dhe Sportit, shtojnë përpjekjet e tyre për të përmirësuar menaxhimin e kontratave duke siguruar se projektet po përfundohen në kohën e pritur, në përputhje me kushtet e kontraktuara, janë përdorur mjetet juridike që i mbrojnë interesat e organizatave buxhetore dhe se është zvogëluar përdorimi i aneks kontratave. Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegzë.