Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/20/2019 3:03:35 PM

Projektet e financuara nga grantet e DEMOS-it janë finalizuar dhe vënë në shërbim të qytetarëve

Zyra Kombëtare e Auditimit bëri publik raportin e auditimit të performancës “Projektet e financuara nga grantet e DEMOS-it”. Në raport është konkluduar se të gjitha projektet e audituara në të cilat është investuar nga granti i performancës, kanë arritur të funksionalizohen dhe të lëshohen në përdorim për qytetarët brenda kohës së dakorduar me donatorin. Më tutje, në raport theksohet se të gjitha komunat e audituara (Graçanicë, Mamushë, Pejë, Podujevë dhe Prizren) i kanë përfshirë projektet në planin e prokurimit. Pos kësaj, procesi i emërimit të menaxherëve është zhvilluar sipas kërkesave ligjore në fuqi, si dhe fondet e ndara janë shpenzuar vetëm për projektet kapitale dhe vetëm për qëllimin e kontraktuar. Megjithatë, zhvillimi i procedurave të prokurimit kërkon vëmendje në disa faza për të gjitha komunat që ishin pjesë e këtij auditimi. Përkundër realizimit të projekteve për qëllimet e përcaktuara, auditimi ka nxjerrë në pah disa të meta që duhen të eliminohen në mënyrë që procesi të përmirësohet. Dobësitë e identifikuara nga ky auditim janë: vonesa në dërgimin e mallit, mungesa e vëmendjes në mbikëqyrjen e projekteve nga menaxherët e kontratave, si dhe mospërdorimi i duhur i fjalorit të përbashkët të prokurimit gjatë vlerësimit të tenderëve. Pos kësaj, në raport theksohet se mangësi e përbashkët e identifikuar në të gjitha komunat e audituara është fakti se komunat nuk kanë arritur të dokumentojnë mënyrën e prioritizimit të investimeve në projektet përkatëse. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, lidhur me këtë raport deklaroi se  komunat e audituara duhet të shtojnë vëmendjen në fuqizimin e më tejmë të procedurave të prokurimit. “Projektet në të cilat është investuar nga grantet e DEMOS-it janë funksionalizuar dhe janë vëne në shërbim të qytetarëve, mirëpo komunat e audituara duhet të shtojnë vëmendjen në fuqizimin e mëtejmë të procedurave të prokurimit dhe përfshirjes së kërkesave të qytetarëve në vendimmarrje”, tha ai. Pasur për bazë faktin se projektet kanë për qëllim përmirësimin e shërbimeve publike të qytetarëve, Zyra Kombëtare e Auditimit i rekomandon komunave që të përfshijnë qytetarët në vendimmarrje në këto procese dhe t`i dokumentojnë rezultatet nga këto takime. Auditim është realizuar në bazë të marrëveshjes në mes Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpuni, (përmes Decentralizimit dhe Përkrahjes Komunale). Ky auditim kishte për qëllim që të vlerësojë nëse procedurat e prokurimit janë kryer në pajtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe nëse investimet janë realizuar dhe funksionalizuar me kohë për përdorim nga qytetarët. Raporti përfshinë grantin e dhënë për vitin 2018. Raportin e plotë mund ta gjeni në këtë vegëz.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

30

30

S’ka siguri se ushqimi në treg është mjaftueshëm i kontrolluar dhe i sigurt
Lexo më shumë
30

30

Ftesë për publikun
Lexo më shumë