Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/24/2019 3:33:48 PM

Zyra Kombëtare e Auditimit prezantoi raportin e performancës ‘Siguria në trafikun rrugor’

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) sot bëri prezantimin publik të raportit të performancës “Siguria në trafikun rrugor” ku morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, Policia e Kosovës, Komuna e Prishtinës, nga shoqëria civile si dhe profesorë e ekspertë të fushës. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, tha se realizimi i këtij raporti nga Zyra Kombëtare e Auditimit është në dobi të qytetarëve sepse trajton një prej problemeve kryesore të shoqërisë sonë. Osmani theksoi se raporti “Siguria në trafikun rrugor” synon t’i ndihmojë institucionet që janë përgjegjëse për të përmirësuar situatën në trafik. “Ajo që ka qenë shqetësuese nga të gjeturat e raportit është se kemi koordinimi të pamjaftueshëm të akterëve të cilët do të mundësonin një qasje të mirë organizuar dhe të orientuar në rezultate. Raporti përmban rekomandimet se çka është e rëndësishme të përmirësohet në mënyrë që të minimizohet numri i jetëve të humbura që shkaktohen nga situata kaotike në trafik”, tha Osmani. Ndërkohë, Ndihmës-Auditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca, duke prezantuar konkluzionet kryesore të këtij raporti tha se auditimi ka nxjerrë në pah se institucionet përgjegjëse nuk janë efektive dhe nuk po bëjnë sa duhet për të rritur sigurinë në trafik. “Gjetjet e raportit tregojnë se kontrollet policore në trafikun rrugor në rajonin e Prishtinës kanë qenë të mangëta. Nuk ka orientim të kontrolleve policore sipas nevojave dhe rreziqeve, si dhe Sistemi Informativ i Policisë së Kosovës karakterizohet me të dhëna jo të plota dhe jo të sakta. Këto kanë bërë që policia të mos jetë efektive sa i përket rritjes së sigurisë në trafik”, u shpreh Spanca. Po ashtu, Spanca tha se edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk ka arritur të implementojë kriteret e rëndësishme të sigurisë rrugore dhe të funksionalizojë Këshillin për Sigurinë në Trafikun Rrugor deri në fund të vitit 2018. Spanca shtoi se edhe Komuna e Prishtinës nuk ka arritur që të sigurojë mirëmbajtje të duhur dhe permanente për të gjitha rrugët, për të cilat është përgjegjëse përfshirë edhe sinjalizimin. Udhëheqësi i Departamentit të Auditimit të Performancës dhe Teknologjisë Informative, Samir Zymberi, tregoi se periudha e auditimit ka përfshirë vitin 2016, 2017 dhe 2018. Zymberi tha se objektivë e këtij auditimit ka qenë që institucionet përgjegjëse, Ministria e Infrastrukturës, Policia e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës të bëjnë përpjekjet e duhura për të ofruar siguri në trafikun rrugor. “Rezultatet e auditimit tregojnë se siguria në trafikun rrugor mbetet ende një sfidë për institucionet relevante dhe kërkon veprime të menjëhershme. Bazuar në këtë, ZKA-ja ka dhënë 24 rekomandime për institucionet e audituara me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik. Tetë prej këtyre rekomandimeve janë për Policinë e Kosovës, 10 janë për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit dhe gjashtë rekomandime janë për Komunën e Prishtinës”, u shpreh Zymberi. Ndërkaq, Udhëheqësi i ekipit, Labinot Sadiku, prezantoi para të pranishmëve në detaje të gjeturat e raportit të performancës “Siguria në trafikun rrugo”. Përfaqësuesit e institucioneve të audituara u pajtuan me të gjeturat e raportit të auditimit të performancës “Siguria në trafikun rrugor”, si dhe kanë shprehur gatishmërinë për t’i zbatuar rekomandimet e dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Ftesë për media

Ftesë për media

Të nderuar përfaqësues të mediave,   Ju ftojmë të ndiqni tryezën e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit për prezantimin e raportit të auditimit të performancës “Siguria e Ushqimit, rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit” Tryeza do të mbahet:

Të enjten me datën 26 dhjetor 2019 në ora 10:00,

në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit,

Lagjja Arbëria, Rr. Ahmet Krasniqi, 210

Prishtinë

  Në tryezë janë të ftuar përfaqësues nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Komuna e Vushtrrisë dhe Gjilanit, shoqëria civile, mediat e organizatat ndërkombëtare. Tryeza është e hapur për publikun dhe ka karakter informues lidhur me përmbajtjen, gjetjet dhe rekomandimet e auditimit. Debati do të jetë i hapur për të gjithë pjesëmarrësit. Duke vlerësuar rolin tuaj në këtë tryezë, pjesëmarrja juaj është e mirëpritur.
Lexo më shumë
Zyra Kombëtare e Auditimit prezantoi raportin e performancës ‘Siguria e Ushqimit, rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit’

Zyra Kombëtare e Auditimit prezantoi raportin e performancës ‘Siguria e Ushqimit, rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit’

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) sot bëri prezantimin publik të raportit të performancës “Siguria e Ushqimit, rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit”, ku morën pjesë përfaqësues nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Komuna e Gjilanit, shoqëria civile dhe mediat. Me këtë rast Zëvendës-Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu, tha se qëllimi i këtij auditimi ka qenë  identifikimi i sfidave në sistemin e sigurisë në tërë zinxhirin ushqimor, si dhe dhënia e rekomandimeve për të përmirësuar sigurinë në ushqim. Salihu tha se mungesa e koordinimit adekuat në mes të institucioneve qendrore dhe lokale po krijon vështirësi në kryerjen e punëve si duhet. Sipas Salihut, një problem tjetër vazhdon të mbetet edhe mostransferimi i inspektorëve nga komunat te Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Ndihmës-Auditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca, prezantoi konkluzionet kryesore të këtij raporti, me ç’rast tha se auditimi ka nxjerrë në pah se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ende nuk e ka plotësisht funksional sistemin e sigurisë në tërë zinxhirin ushqimor.  Ajo theksoi se po ashtu AUV-i ende nuk ka një regjistër të plotë të kompanive që merren me tregun e produkteve me prejardhje bimore e shtazore dhe kjo e rritë rrezikun që Agjencia të mos ketë shtrirje të kontrollit të saj në tërë tregun për produkte bimore dhe shtazore. “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë si organ përgjegjës për të ofruar siguri në ushqim ka hartuar rregullore dhe procedura standarde të operimit dhe listat kontrolluese, të cilat i shfrytëzon për sigurinë e ushqimit. Megjithatë, auditimi ka nxjerrë në pah se këto procedura nuk mbulojnë tërë procesin e sigurisë së ushqimit në treg dhe ato nuk janë duke u zbatuar mjaftueshëm për të siguruar se ushqimi është i kontrolluar si duhet dhe ka siguri për konsumatorin. Listat kontrolluese, të cilat i përdor AUV-i nuk adresojnë të gjitha kërkesat për ushqim si dhe parimet Analizës se Rrezikut dhe Pikave të Kontrollit Kritik i njohur si HACCP”, u shpreh Spanca. Më tutje, Spanca deklaroi se inspektorët komunalë nuk janë transferuar në AUV, si dhe nuk ka koordinim të mirë të kontrolleve në mes nivelit qendror dhe atij lokal. Ndërkohë, Udhëheqësi i Departamentit të Auditimit të Performancës dhe Teknologjisë Informative, Samir Zymberi, tregoi se auditimi ka mbuluar periudhën e vitit 2018 dhe gjashtëmujorin e parë të viti 2019. Zymberi tha se objektivë e këtij auditimi ka qenë që të vlerësohet nëse në institucionet përgjegjëse është vendosur një sistem adekuat për të ofruar siguri në ushqim. “Rezultatet e auditimit tregojnë se përkundër përpjekjeve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë siguria në ushqim mbetet ende një sfidë e cila kërkon veprime të mëtutjeshme përmirësuese në këtë proces”, theksoi Zymberi.  Ai tregoi se me qëllim të përmirësimit dhe rritjes së sigurisë së ushqimit Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 15 rekomandime për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë. Kurse, Udhëheqësja e ekipit, Fexhrie Thaqi, prezantoi para të pranishmëve në detaje të gjeturat e raportit “Siguria e Ushqimit, rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit”. Përfaqësuesit e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe të Komunës së Gjilanit janë pajtuar me të gjeturat e raportit të auditimit të performancës “Siguria e Ushqimit, rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit” si dhe kanë shprehur gatishmërinë për t’i zbatuar rekomandimet e dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Lexo më shumë