Përcaktimi i tarifave për shërbimet publike nuk është bërë në plotësi sipas kritereve të matshme dhe në përshtatje me kostot reale dhe relevante
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) bëri publik raportin e performancës për projektin “Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit”.
Raporti konstaton se pavarësisht progresit të arritur nga rregullatorët në procesin e përcaktimit të tarifave, ka disa mangësi që ndikojnë në saktësinë e tarifave të aprovuara dhe të cilat rrezikojnë që tarifat të mos jenë drejtë të përcaktuara.
Po ashtu gjatë procesit të përcaktimit të tarifave, Rregullatorët nuk kanë arritur të sigurojnë transparencë të mjaftueshme si dhe vendosje plotësisht të drejtë dhe të saktë të tarifave.
Raporti thekson se Rregullatorët dhe ofruesit e shërbimeve publike nuk kanë zhvilluar një proces të identifikimit të sasisë së konsumuar të shërbimeve nga konsumatorët të cilët janë të liruar nga pagesa e shërbimeve publike për t’u kompensuar nga autoritetet përkatëse.
Edhe përcaktimi i kostove operative, kostove kapitale dhe koeficienteve tjerë të rëndësishëm financiarë nuk aprovohet plotësisht bazuar në analiza përkatëse dhe të dokumentuara me sqarime të mjaftueshme dhe të qarta.
Parakushtet procedurale dhe teknike gjatë procesit për përcaktimin e tarifave nuk sigurojnë një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve dhe shoqërisë civile në aktivitetet e konsultimeve publike, qasje e cila ka rezultuar në një situatë ku konsultimet publike - pjesëmarrja e publikut në përcaktimin e tarifave në përgjithësi, është shumë e kufizuar.
Ky auditim kishte për qëllim vlerësimin se sa efektiv është sistemi i përcaktimit të tarifave të shërbimeve publike dhe njëkohësisht të identifikojë boshllëqet dhe vlerësojë nëse procesi i përcaktimit të tarifave për shërbimet publike është bërë sipas kritereve të matshme dhe në përputhje me shpenzimet reale dhe relevante.
Zyra Kombëtare e Auditimit i rekomandon autoritetet përgjegjëse që të zhvillojnë tutje dhe të implementojnë drejtë dhe me saktësi metodologjinë për përcaktimin e tarifave duke siguruar se konsumatorët e shërbimeve publike paguajnë tarifa të shërbimeve publike të vendosura saktë dhe drejtë.
Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz.
Lexo më shumë

Ndërkohë drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës dhe Teknologjisë Informative, Samir Zymberi, tregoi se raporti i auditimit ka mbuluar periudhën e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2018-2020 me fokus viti 2018.
Ai tregoi se procesi i auditimit është zhvilluar në Zyrën e Kryeministrit përkatësisht Zyrën për Planifikim Strategjik, në Ministrinë e Financave, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit si dhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
“Objektivë kryesore e këtij auditimi ishte që të vlerësojmë nëse Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2018-2020 reflekton objektivat strategjike dhe nëse ka shërbyer si dokument kryesore për hartimin e buxhetit vjetor. Ndërsa me qëllim të përmirësimit të hartimit të KASH-it vijues ZKA-ja ka dhënë 1 rekomandim për Kuvendin e Kosovës dhe 10 rekomandime për palët e audituara. Prej tyre, 2 rekomandime janë për Zyrën e Kryeministrit, 4 për Ministrinë e Financave dhe 4 rekomandime për Ministrinë e Infrastrukturës dhe për Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë”, tha Zymberi.
Kurse udhëheqës i ekipit, Labinot Sadiku, në detaje prezantoi gjetjet e këtij auditimi, me ç’rast theksoi se objektivat strategjike në sektorin e arsimit dhe infrastrukturës janë përcjellë më disa mangësi. Ai fillimisht tha se KASH 2018-2020 është aprovuar për sektor dhe jo në nivel ministror dhe sipas Sadikut, kjo e bënë të vështirë ndërlidhjen, vlerësimin dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve për organizata.
Tutje Sadiku theksoi se Zyra për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për të monitoruar adresimin e objektivave strategjike. Kurse Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit kërkesat buxhetore nuk i ka hartuar plotësisht sipas udhëzimeve për përgatitjen e KASH.
Për më tepër ai shpalosi dobësitë e gjetura në projektet individuale në MIT. Ndërkaq tri projekte që i takojnë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Sadiku tha se janë vendosur në programin e investimeve publike pa dokumente mbështetëse.
Ndërsa anëtarja e ekipit, Arlinda Mustafa-Selmani, tha se planifikimi i buxhetit për objektiva strategjike në MAShT dhe aktivitete të tjera nuk është bërë mbi bazën e analizave të mirëfillta.
Ajo tregoi se MAShT-i, ka pasur vonesa në tekstet shkollore, si dhe për hartimin e këtyre teksteve janë shpenzuar 1.9 milionë euro më shumë se sa vlera e planifikuar.
Mustafa-Selmani theksoi se si përfundim kjo tregon për një planifikim të paqëndrueshëm për këtë projekt.
Nga ana tjetër përfaqësuesit e institucioneve të audituara, kanë shprehur gatishmërinë për t’i zbatuar rekomandimet e dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit.