Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
2/7/2020 2:56:25 PM

Zyra Kombëtare e Auditimit prezantoi raportin e performancës ‘Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2018–2020 në sektorin e arsimit dhe të infrastrukturës’

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) sot bëri prezantimin publik të raportit të performancës  “Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2018–2020 në sektorin e arsimit dhe të infrastrukturës”, ku morën pjesë përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Zyrës për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Kuvendit të Kosovës, shoqërisë civile dhe mediave. Ndihmës-Auditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca, tha se ky raport i auditimit do t’iu shërbejë institucioneve përkatëse që të rrisin llogaridhënien, transparencën, efikasitetin dhe efektivitetin në arritjen e objektivave strategjike përmes një planifikimi të mirëfilltë të aktiviteteve dhe buxhetit. Më tutje Spanca tha se rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se procesi i hartimit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) dhe shfrytëzimi i saj është karakterizuar me disa mangësi  të cilat mund të pengojnë arritjen e objektivave dhe prioriteteve strategjike të vendit. “Mangësitë janë që nga planifikimi i projekteve jashtë objektivave strategjike, planifikimi i aktiviteteve jashtë kompetencës dhe përgjegjësisë të ministrive, planifikimi i projekteve duke mos u bazuar në analiza të mirëfillta financiare dhe për pasojë të gjitha këto kanë ndikuar në mosefikasitetin e kryerjes së projekteve të cilat janë me rëndësi për qytetarët”, tha Spanca. Ndërkohë drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës dhe Teknologjisë Informative, Samir Zymberi, tregoi se raporti i auditimit ka mbuluar periudhën e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2018-2020 me fokus viti 2018. Ai tregoi se procesi i auditimit është zhvilluar në Zyrën e  Kryeministrit përkatësisht Zyrën për Planifikim Strategjik, në Ministrinë e Financave, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit si dhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. “Objektivë kryesore e këtij auditimi ishte që të vlerësojmë nëse Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2018-2020 reflekton objektivat strategjike dhe nëse ka shërbyer si dokument kryesore për hartimin e buxhetit vjetor. Ndërsa me qëllim të përmirësimit të hartimit të KASH-it vijues ZKA-ja ka dhënë 1 rekomandim për Kuvendin e Kosovës dhe 10 rekomandime për palët e audituara. Prej tyre, 2  rekomandime janë për Zyrën e Kryeministrit, 4 për Ministrinë e Financave dhe 4  rekomandime për Ministrinë e Infrastrukturës dhe për Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë”, tha Zymberi. Kurse udhëheqës i ekipit, Labinot Sadiku, në detaje prezantoi gjetjet e këtij auditimi, me ç’rast theksoi se objektivat strategjike në sektorin e arsimit dhe infrastrukturës janë përcjellë më disa mangësi. Ai fillimisht tha se KASH 2018-2020 është aprovuar për sektor dhe jo në nivel ministror dhe sipas Sadikut, kjo e bënë të vështirë ndërlidhjen, vlerësimin dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve për organizata. Tutje Sadiku theksoi se Zyra për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për të monitoruar adresimin e objektivave strategjike.  Kurse Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit kërkesat buxhetore nuk i ka hartuar plotësisht sipas udhëzimeve për përgatitjen e KASH. Për më tepër ai shpalosi dobësitë e gjetura në projektet individuale në MIT.  Ndërkaq tri projekte që i takojnë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Sadiku tha se janë vendosur në programin e investimeve publike pa dokumente mbështetëse. Ndërsa anëtarja e ekipit, Arlinda Mustafa-Selmani, tha se planifikimi i buxhetit për objektiva strategjike në MAShT dhe aktivitete të tjera nuk është bërë mbi bazën e analizave të mirëfillta. Ajo tregoi se MAShT-i, ka pasur vonesa në tekstet shkollore, si dhe për hartimin e këtyre teksteve janë shpenzuar 1.9 milionë euro më shumë se sa vlera e planifikuar. Mustafa-Selmani theksoi se si përfundim kjo tregon për një planifikim të paqëndrueshëm për këtë projekt. Nga ana tjetër përfaqësuesit e institucioneve të audituara, kanë shprehur gatishmërinë për t’i zbatuar rekomandimet e dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Ftesë për publikun

Ftesë për publikun

Ju ftojmë të ndiqni tryezën e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ku do të prezantohet raporti i auditimit të performancës “Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2018 – 2020 në sektorin e arsimit dhe të infrastrukturës”.   Tryeza do të mbahet:

Të premten me datën  07 shkurt  2020 në ora 10:00,

në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit,

Lagjja Arbëria, Rr. Ahmet Krasniqi, 210

Prishtinë

  Në tryezë janë të ftuar përfaqësues nga Ministria e Financave, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, Zyra për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, institucionet e arsimit të lartë,  shoqëria civile, mediat e organizatat ndërkombëtare.   Jeni të mirëseardhur.  
Lexo më shumë
ZKA-ja dhe Insitucioni Suprem i Auditimit të Emirateve të Bashkuara Arabe diskutojnë për shkëmbimin e përvojave

ZKA-ja dhe Insitucioni Suprem i Auditimit të Emirateve të Bashkuara Arabe diskutojnë për shkëmbimin e përvojave

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, të martën priti në takim bilateral presidentin e Institucionit Shtetëror të Auditimit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Dr. Harib Saeed Al Amimi. Osmani dhe Dr. Harib Saeed Al Amimi diskutuan për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral me qëllim të shkëmbimit të informatave dhe përvojave, në interes të avancimit të mëtejmë të auditimit të jashtëm dhe përmirësimit të menaxhimit të parasë publike. Me këtë rast, Osmani e njoftoi homologun arab për punën dhe rezultatet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, si dhe për ndikimin e rekomandimeve për të rritur llogaridhënien dhe qeverisjen e mirë të institucioneve. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, falënderoi presidentin e Institucionit Shtetëror të Auditimit i Emirateve të Bashkuara Arabe, Dr. Harib Saeed Al Amimi, i cili në vazhdimësi e ka përkrahur Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe për kontributin e dhënë në procesin e anëtarësimit të ZKA-së në INTOSAI. Në anën tjetër, presidenti i Institucionit Shtetëror të Auditimit i Emirateve të Bashkuara Arabe, Dr. Harib Saeed Al Amimi tregoi se e përcjellë në vazhdimësi punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, me ç’rast përgëzoi Osmanin për arritjet e deritanishme.  Ai tha se me anëtarësimin në INTOSAI, ZKA-së do t’i mundësohet shkëmbimi i njohurive dhe përvojave me Institucionet Supreme të Auditimit simotra. Institucioni Suprem i Auditimit i Emirateve të Bashkuara Arabe ka një përvoje të madhe në organizimet dhe projektet ndërkombëtare në fushën e auditimit, duke qenë se për tri vjet (2016-2019) ka drejtuar INTOSAI-n. Ky takim u realizua në kuadër të vizitës së Dr. Harib Saeed Al Amimi në Kosovë për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Domethënia dhe rëndësia e anëtarësimit në INTOSAI: ndikimi dhe përfitimet për Institucionet Supreme të Auditimit”. Kjo konferencë do të mbahet me rastin e anëtarësimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Gjatë qëndrimit në Prishtinë, delegacioni nga Emiratet e Bashkuara Arabe do të takohet me përfaqësues të Kuvendit, Qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile.
Lexo më shumë