Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/8/2024 4:13:00 PM

ZKA-ja dhe KLSH-ja shkëmbejnë përvojat profesionale në fushën ligjore dhe kundër mashtrimeve

Në kuadër të bashkëpunimit ndër institucional me datat 4  dhe 5 nëntor 2024 një delegacion i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, kryesuar nga Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimeve, Minire Begaj Balaj, qëndroi për vizitë zyrtare në Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë.

Përfaqësueset e ZKA-së u priten në takim nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, Arben Shehu, Drejtoresha e Përgjithshme, Marjola Llanaj dhe Drejtori i Drejtorisë Juridike, Bledar Mustafaraj, ku u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave si dhe angazhimi për rritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve ligjore.

Palët diskutuan për metodologjinë dhe procedurat e trajtimit të rasteve nga të dyja vendet duke përfshirë mënyrat e identifikimit dhe dokumentimit të rasteve që dalin nga gjetjet e auditimeve si dhe bashkëpunimin me organet e hetimit. Në këtë aspekt u përmend edhe Kodi i Etikës i cili përmban udhëzime të rëndësishme për ruajtjen e integritetit dhe transparencës në trajtimin e çështjeve ligjore. 

Përfaqësuesit e KLSH-së prezantuan procedurat për identifikimin dhe dokumentimin e rasteve nga auditimet, përgatitjen e kallëzimeve penale dhe sigurimin e provave për hetime. Ndërsa përfaqësueset e ZKA-së prezantuan ecurinë e procesit të identifikimit të rasteve me elemente potenciale të veprës penale nga raportet e auditimit dhe  dërgimin e tyre te Prokuroria e Shtetit duke përfshirë sigurimin e dëshmive të nevojshme.

Pjesë e takimit nga ZKA-ja ishin edhe Këshilltarja e Lartë Kundër Mashtrimit, Natyra Kasumaj Ahmeti dhe Këshilltarja e Lartë Juridike, Violeta Shatrolli Parduzi. Kurse nga KLSH-ja ishin edhe kryeaudituesja Romina Kruja si dhe auditueset Julian Hysomemaj dhe Vjola Kojani.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Përmirësimi i proceseve për menaxhimin e aseteve publike në fokus të takimit të përfaqësuesve të  ZKA-së dhe Bankës Botërore

Përmirësimi i proceseve për menaxhimin e aseteve publike në fokus të takimit të përfaqësuesve të ZKA-së dhe Bankës Botërore

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, me bashkëpunëtorë priti në takim Misionin e Bankës Botërore të kryesuar nga Kris Kauffmann me të cilin diskutuan për sfidat në menaxhimin e aseteve në sektorin publik dhe rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në përmirësimin e kësaj fushe, veçanërisht sfidat që lidhen me identifikimin, kontrollin dhe administrimin e aseteve publike.

 

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm dhe bashkëpunëtorët e tij folën për rolin e ZKA-së si institucion i pavarur në vlerësimin dhe monitorimin e zbatimit të politikave publike në menaxhimin e aseteve, duke theksuar rëndësinë e auditimeve financiare, pajtueshmërisë dhe të performancës respektivisht rekomandimeve të dhëna për përmirësime të vazhdueshme të cilat janë më të dukshme viteve të fundit.

 

Përfaqësuesit e Bankës Botërore ndanë përvojat globale dhe ofruan sugjerime për përforcimin e proceseve të menaxhimit të aseteve duke përmendur kontributin e tyre potencial në këtë fushë.

 

Palët vlerësuan se ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të politikave dhe proceseve për menaxhimin e qëndrueshëm të aseteve publike me qëllim rritjen e efikasitetit dhe mbrojtjen e interesit publik.

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme: Kontabilistët dhe auditorët janë promotorë të transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike

Auditorja e Përgjithshme: Kontabilistët dhe auditorët janë promotorë të transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën mori pjesë në konferencën “Transformimi Digjital në Fushën e Kontabilitetit dhe Auditimit”, organizuar nga Instituti AAB për Kontabilist dhe Auditor të Certifikuar me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Kontabilistëve dhe Auditorëve.

 

Znj. Spanca theksoi se zhvillimi i hovshëm i teknologjisë po ndikon në ridefinimin e profesionit të kontabilistit dhe auditorit. Ajo tha se është e rëndësishme që qytetarët të jenë në gjendje të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e tyre përmes kontabilisteve dhe auditorëve të cilën konsiderohen promotorë të transparencës dhe llogaridhënies në lidhje me menaxhimin e parasë publike. Ajo tregoi se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në vazhdimësi ndjek trendet e zhvillimit vendor dhe ndërkombëtar të transformimeve digjitale, duke qenë pjesë e shumë programeve ndërkombëtare të cilat avancojnë aftësitë, njohuritë dhe shkathtësitë e auditorëve, duke i bërë ata më konkurrues dhe kompetent në këtë fushë.  

 

Auditorja e Përgjithshme tha se ZKA-ja synon avancimin e auditimeve të TI-së dhe nxitjen e përdorimit të teknologjisë nga sektori publik për të përmirësuar standardet e sigurisë, efikasitetit dhe transparencës në sistemet e informacionit. Në këtë mënyrë ZKA-ja do të luajë një rol kyç në transformimin digjital të qeverisjes, duke ndikuar pozitivisht në përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve.

 

Lexo më shumë