Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/13/2024 2:33:00 PM

Auditorja e Përgjithshme: Kontabilistët dhe auditorët janë promotorë të transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën mori pjesë në konferencën “Transformimi Digjital në Fushën e Kontabilitetit dhe Auditimit”, organizuar nga Instituti AAB për Kontabilist dhe Auditor të Certifikuar me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Kontabilistëve dhe Auditorëve.

 

Znj. Spanca theksoi se zhvillimi i hovshëm i teknologjisë po ndikon në ridefinimin e profesionit të kontabilistit dhe auditorit. Ajo tha se është e rëndësishme që qytetarët të jenë në gjendje të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e tyre përmes kontabilisteve dhe auditorëve të cilën konsiderohen promotorë të transparencës dhe llogaridhënies në lidhje me menaxhimin e parasë publike. Ajo tregoi se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në vazhdimësi ndjek trendet e zhvillimit vendor dhe ndërkombëtar të transformimeve digjitale, duke qenë pjesë e shumë programeve ndërkombëtare të cilat avancojnë aftësitë, njohuritë dhe shkathtësitë e auditorëve, duke i bërë ata më konkurrues dhe kompetent në këtë fushë.  

 

Auditorja e Përgjithshme tha se ZKA-ja synon avancimin e auditimeve të TI-së dhe nxitjen e përdorimit të teknologjisë nga sektori publik për të përmirësuar standardet e sigurisë, efikasitetit dhe transparencës në sistemet e informacionit. Në këtë mënyrë ZKA-ja do të luajë një rol kyç në transformimin digjital të qeverisjes, duke ndikuar pozitivisht në përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja dhe KLSH-ja shkëmbejnë përvojat profesionale në fushën ligjore dhe kundër mashtrimeve

ZKA-ja dhe KLSH-ja shkëmbejnë përvojat profesionale në fushën ligjore dhe kundër mashtrimeve

Në kuadër të bashkëpunimit ndër institucional me datat 4  dhe 5 nëntor 2024 një delegacion i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, kryesuar nga Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimeve, Minire Begaj Balaj, qëndroi për vizitë zyrtare në Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë.

Përfaqësueset e ZKA-së u priten në takim nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, Arben Shehu, Drejtoresha e Përgjithshme, Marjola Llanaj dhe Drejtori i Drejtorisë Juridike, Bledar Mustafaraj, ku u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave si dhe angazhimi për rritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve ligjore.

Palët diskutuan për metodologjinë dhe procedurat e trajtimit të rasteve nga të dyja vendet duke përfshirë mënyrat e identifikimit dhe dokumentimit të rasteve që dalin nga gjetjet e auditimeve si dhe bashkëpunimin me organet e hetimit. Në këtë aspekt u përmend edhe Kodi i Etikës i cili përmban udhëzime të rëndësishme për ruajtjen e integritetit dhe transparencës në trajtimin e çështjeve ligjore. 

Përfaqësuesit e KLSH-së prezantuan procedurat për identifikimin dhe dokumentimin e rasteve nga auditimet, përgatitjen e kallëzimeve penale dhe sigurimin e provave për hetime. Ndërsa përfaqësueset e ZKA-së prezantuan ecurinë e procesit të identifikimit të rasteve me elemente potenciale të veprës penale nga raportet e auditimit dhe  dërgimin e tyre te Prokuroria e Shtetit duke përfshirë sigurimin e dëshmive të nevojshme.

Pjesë e takimit nga ZKA-ja ishin edhe Këshilltarja e Lartë Kundër Mashtrimit, Natyra Kasumaj Ahmeti dhe Këshilltarja e Lartë Juridike, Violeta Shatrolli Parduzi. Kurse nga KLSH-ja ishin edhe kryeaudituesja Romina Kruja si dhe auditueset Julian Hysomemaj dhe Vjola Kojani.

Lexo më shumë
Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në tryezën “Praktikat më të mira të raportimit për të rritur ndikimin” të mbajtur në Lubjanë

Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në tryezën “Praktikat më të mira të raportimit për të rritur ndikimin” të mbajtur në Lubjanë

Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj dhe auditorja Nora Rashiti  morën pjesë në tryezën “Praktikat më të mira të raportimit për të rritur ndikimin” të mbajtur me 7 dhe 8 nëntor në Lubjanë. Tryeza u organizua nga  SIGMA në bashkëpunim me  Qendrën për Ekselencë në Financa (CEF), në kuadër të Planit të aktiviteteve të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe Gjykatën Evropiane të Auditorëve.

 

Ky aktivitet pati për qëllim që pjesëmarrësit të ndajnë përvojat, të arriturat si dhe sfidat me të cilat përballen Institucionet Supreme të Auditimit (ISA) për të siguruar që raportet e auditimit të kuptohen lehtësisht nga lexuesit.   

 

Hapja e  punimeve u bë me nga një fjalë rasti nga Drejtoresha e CEF-it, Jana Repansek, Këshilltarja e Lartë  e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Isabelle Berglund si dhe Zëvendës Drejtuesja e SIGMA-s, Bianca Brétéché. 

 

Në pjesën e parë të punimeve Drejtoresha e CEF-it, Jana Repansek, prezantoi konceptin e  të nxënit të aplikuar nga vetë organizata, ndërsa Zyrtarja e Lartë nga Ekipi i Komunikimit në CEF, Tina Žagar prezantoi parimet dhe elementet për shkrimin efektiv. Ajo tha se një raport auditimi duhet të jetë i shkruar mirë për të dalluar në mënyrë efektive, për të kapur interesin dhe për të promovuar ndryshimin.

 

Punimet e tryezës vazhduan me diskutime  në panel, ku pjesë e panelit  ishin përfaqësuesit e ISA-ve nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia si dhe Kosova ku u prezantuan përpjekjet e vazhdueshme dhe të arriturat për përmirësimin e shkrimit të raporteve të tyre të auditimit  për të rritur ndikimin e punës së tyre.

 

Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj, foli për progresin që ka bërë Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës ndër vite në përmirësimin e praktikave të shkrimit të raporteve. Ajo bëri më dije se angazhimi i ZKA-së për të përmirësuar cilësinë e raporteve të auditimit ka qenë një prioritet afatgjatë duke vlerësuar se komunikimi efektiv është thelbësor për transparencën dhe llogaridhënien. “Kur krahasojmë raportet tona të auditimit të vetëm disa viteve më parë me ato që prodhojmë sot, është e qartë se kemi bërë përparime të mëdha në përmirësimin e cilësisë së shkrimit tonë. Fokusi ynë ka qenë që të sigurohemi që raportet tona të jenë të qarta, koncize dhe me ndikim”, deklaroi Mulaj. Ajo tregoi se tashmë të gjithë auditorët e ZKA-së kanë ndjekur trajnimet e nevojshme për përdorimin e kritereve të shkrimit të thjeshtë dhe se nga ky vit do të filloj pilotimi i përdorimit të listave kontrolluese për aplikimin e këtyre kritereve. Progresi i shënuar në këtë aspekt është rezultat i orientimit strategjik, por gjithashtu Mulaj u shpreh falënderuese ndaj Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë për mbështetjen në këtë aspekt në kuadër të bashkëpunimit bilateral.  

 

Ndërsa Drejtori i Auditimi të Performancës, Leif Svensson, foli për përpjekjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, duke thënë se udhëtimi për aplikimin e kritereve të gjuhës së thjeshtë filloi në vitin 2017 dhe u krijua si një projekt zhvillimi që synon të prodhojë raporte më miqësore për lexuesit me një gjuhë që është e pranueshme për të gjithë palët e interesuara.

 

Po ashtu pjesëmarrësit diskutuan edhe për sfidat e tyre, rreziqet dhe mundësitë në aplikimin e një stili të ndryshëm shkrimi për raportet e auditimit.

 

Ndërsa në ditën e dytë të punimeve të tryezës fokusi ishte te raportimi piramidal si një mjet thelbësor për krijimin e raporteve të qarta dhe logjike; praktikat e shkrimit më të mirë të raporteve në Gjykatën Evropiane të Auditorëve, si dhe të hapat konkretë që ISA-të dhe Rrjeti mund të ndërmarrin për të forcuar praktikat e mira të shkrimit të raporteve.

 

Lexo më shumë