Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/11/2024 1:59:00 PM

Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në tryezën “Praktikat më të mira të raportimit për të rritur ndikimin” të mbajtur në Lubjanë

Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj dhe auditorja Nora Rashiti  morën pjesë në tryezën “Praktikat më të mira të raportimit për të rritur ndikimin” të mbajtur me 7 dhe 8 nëntor në Lubjanë. Tryeza u organizua nga  SIGMA në bashkëpunim me  Qendrën për Ekselencë në Financa (CEF), në kuadër të Planit të aktiviteteve të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe Gjykatën Evropiane të Auditorëve.

 

Ky aktivitet pati për qëllim që pjesëmarrësit të ndajnë përvojat, të arriturat si dhe sfidat me të cilat përballen Institucionet Supreme të Auditimit (ISA) për të siguruar që raportet e auditimit të kuptohen lehtësisht nga lexuesit.   

 

Hapja e  punimeve u bë me nga një fjalë rasti nga Drejtoresha e CEF-it, Jana Repansek, Këshilltarja e Lartë  e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Isabelle Berglund si dhe Zëvendës Drejtuesja e SIGMA-s, Bianca Brétéché. 

 

Në pjesën e parë të punimeve Drejtoresha e CEF-it, Jana Repansek, prezantoi konceptin e  të nxënit të aplikuar nga vetë organizata, ndërsa Zyrtarja e Lartë nga Ekipi i Komunikimit në CEF, Tina Žagar prezantoi parimet dhe elementet për shkrimin efektiv. Ajo tha se një raport auditimi duhet të jetë i shkruar mirë për të dalluar në mënyrë efektive, për të kapur interesin dhe për të promovuar ndryshimin.

 

Punimet e tryezës vazhduan me diskutime  në panel, ku pjesë e panelit  ishin përfaqësuesit e ISA-ve nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia si dhe Kosova ku u prezantuan përpjekjet e vazhdueshme dhe të arriturat për përmirësimin e shkrimit të raporteve të tyre të auditimit  për të rritur ndikimin e punës së tyre.

 

Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj, foli për progresin që ka bërë Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës ndër vite në përmirësimin e praktikave të shkrimit të raporteve. Ajo bëri më dije se angazhimi i ZKA-së për të përmirësuar cilësinë e raporteve të auditimit ka qenë një prioritet afatgjatë duke vlerësuar se komunikimi efektiv është thelbësor për transparencën dhe llogaridhënien. “Kur krahasojmë raportet tona të auditimit të vetëm disa viteve më parë me ato që prodhojmë sot, është e qartë se kemi bërë përparime të mëdha në përmirësimin e cilësisë së shkrimit tonë. Fokusi ynë ka qenë që të sigurohemi që raportet tona të jenë të qarta, koncize dhe me ndikim”, deklaroi Mulaj. Ajo tregoi se tashmë të gjithë auditorët e ZKA-së kanë ndjekur trajnimet e nevojshme për përdorimin e kritereve të shkrimit të thjeshtë dhe se nga ky vit do të filloj pilotimi i përdorimit të listave kontrolluese për aplikimin e këtyre kritereve. Progresi i shënuar në këtë aspekt është rezultat i orientimit strategjik, por gjithashtu Mulaj u shpreh falënderuese ndaj Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë për mbështetjen në këtë aspekt në kuadër të bashkëpunimit bilateral.  

 

Ndërsa Drejtori i Auditimi të Performancës, Leif Svensson, foli për përpjekjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, duke thënë se udhëtimi për aplikimin e kritereve të gjuhës së thjeshtë filloi në vitin 2017 dhe u krijua si një projekt zhvillimi që synon të prodhojë raporte më miqësore për lexuesit me një gjuhë që është e pranueshme për të gjithë palët e interesuara.

 

Po ashtu pjesëmarrësit diskutuan edhe për sfidat e tyre, rreziqet dhe mundësitë në aplikimin e një stili të ndryshëm shkrimi për raportet e auditimit.

 

Ndërsa në ditën e dytë të punimeve të tryezës fokusi ishte te raportimi piramidal si një mjet thelbësor për krijimin e raporteve të qarta dhe logjike; praktikat e shkrimit më të mirë të raporteve në Gjykatën Evropiane të Auditorëve, si dhe të hapat konkretë që ISA-të dhe Rrjeti mund të ndërmarrin për të forcuar praktikat e mira të shkrimit të raporteve.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme: Kontabilistët dhe auditorët janë promotorë të transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike

Auditorja e Përgjithshme: Kontabilistët dhe auditorët janë promotorë të transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën mori pjesë në konferencën “Transformimi Digjital në Fushën e Kontabilitetit dhe Auditimit”, organizuar nga Instituti AAB për Kontabilist dhe Auditor të Certifikuar me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Kontabilistëve dhe Auditorëve.

 

Znj. Spanca theksoi se zhvillimi i hovshëm i teknologjisë po ndikon në ridefinimin e profesionit të kontabilistit dhe auditorit. Ajo tha se është e rëndësishme që qytetarët të jenë në gjendje të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e tyre përmes kontabilisteve dhe auditorëve të cilën konsiderohen promotorë të transparencës dhe llogaridhënies në lidhje me menaxhimin e parasë publike. Ajo tregoi se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në vazhdimësi ndjek trendet e zhvillimit vendor dhe ndërkombëtar të transformimeve digjitale, duke qenë pjesë e shumë programeve ndërkombëtare të cilat avancojnë aftësitë, njohuritë dhe shkathtësitë e auditorëve, duke i bërë ata më konkurrues dhe kompetent në këtë fushë.  

 

Auditorja e Përgjithshme tha se ZKA-ja synon avancimin e auditimeve të TI-së dhe nxitjen e përdorimit të teknologjisë nga sektori publik për të përmirësuar standardet e sigurisë, efikasitetit dhe transparencës në sistemet e informacionit. Në këtë mënyrë ZKA-ja do të luajë një rol kyç në transformimin digjital të qeverisjes, duke ndikuar pozitivisht në përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve.

 

Lexo më shumë
 Auditorja e Përgjithshme qëndroi për vizitë bilaterale në Zyrën Shtetërore të Auditimit të Kroacisë

Auditorja e Përgjithshme qëndroi për vizitë bilaterale në Zyrën Shtetërore të Auditimit të Kroacisë

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Agron Fetiu dhe Drejtori i Përgjithshëm Safet Berisha me 20 nëntor 2024 u pritën në takim bilateral nga Auditori i Përgjithshëm i Kroacisë, Ivan Klešić me të cilin biseduan për rolin, përgjegjësitë dhe praktikat e avancuara të dy Institucioneve Supreme të Auditimit  me theks të veçantë për auditimet e performancës. Znj. Spanca dhe z. Klesic biseduan edhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me qëllim të shkëmbimit të përvojave më të mira për rritjen e cilësisë dhe ndikimit të auditimit.

 

Auditorja  e Përgjithshme Vlora Spanca e  falënderoi homologun për mikpritjen duke shprehur përkushtimin e saj dhe të ZKA-së për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. 

 

Znj. Spanca uroi Zyrën Shtetërore të Auditimit të Kroacisë dhe z. Klešić për shënimin e 30-vjetorit të institucionit duke thënë se kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe  dëshmi e përkushtimit të palëkundur për transparencë, llogaridhënie dhe qeverisje të mirë. “Tridhjetë vjet shërbim i përkushtuar ndaj interesit publik nuk është diçka e vogël dhe suksesi i qëndrueshëm i institucionit tuaj shërben si shembull për të gjithë ne në fushën e auditimit publik. Megjithëse angazhimi ynë dypalësh këtu sot mund të jetë i shkurtër, ai shënon fillimin e asaj që shpresojmë të jetë një bashkëpunim i gjatë dhe i frytshëm mes dy institucioneve tona. Së bashku, ne mund të arrijmë gjëra të mëdha në dobi të popullit tonë”, deklaroi ajo.

 

Auditorja  e Përgjithshme shtoi se bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Kroacisë në fushën e auditimit publik i kontribuon përmirësimit të qeverisjes, rritjes së llogaridhënies dhe menaxhimit më të mirë të parasë publike.

 

Tutje znj. Spanca foli për progresin e shënuar ndër vite të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, bashkëpunimin me Kuvendin, shoqërinë civile, mediat, qytetarët si dhe bashkëpunimin bilateral dhe atë në kuadër të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t. Ajo bëri me dije se për sezonin auditues 2024/2025 parashihet kryerja e 139 auditimeve të rregullsisë, duke përfshirë auditimet financiare, të pajtueshmërisë dhe performancës.  “Kjo agjendë ambicioze është reflektim i përkushtimit tonë të vazhdueshëm ndaj standardeve më të larta të auditimit dhe vendosmërisë sonë për të kontribuar në përmirësimin e administratës publike në Kosovë”, tha znj. Spanca.  

 

 

Lexo më shumë