Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Agron Fetiu dhe Drejtori i Përgjithshëm Safet Berisha me 20 nëntor 2024 u pritën në takim bilateral nga Auditori i Përgjithshëm i Kroacisë, Ivan Klešić me të cilin biseduan për rolin, përgjegjësitë dhe praktikat e avancuara të dy Institucioneve Supreme të Auditimit me theks të veçantë për auditimet e performancës. Znj. Spanca dhe z. Klesic biseduan edhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me qëllim të shkëmbimit të përvojave më të mira për rritjen e cilësisë dhe ndikimit të auditimit.
Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca e falënderoi homologun për mikpritjen duke shprehur përkushtimin e saj dhe të ZKA-së për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Znj. Spanca uroi Zyrën Shtetërore të Auditimit të Kroacisë dhe z. Klešić për shënimin e 30-vjetorit të institucionit duke thënë se kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe dëshmi e përkushtimit të palëkundur për transparencë, llogaridhënie dhe qeverisje të mirë. “Tridhjetë vjet shërbim i përkushtuar ndaj interesit publik nuk është diçka e vogël dhe suksesi i qëndrueshëm i institucionit tuaj shërben si shembull për të gjithë ne në fushën e auditimit publik. Megjithëse angazhimi ynë dypalësh këtu sot mund të jetë i shkurtër, ai shënon fillimin e asaj që shpresojmë të jetë një bashkëpunim i gjatë dhe i frytshëm mes dy institucioneve tona. Së bashku, ne mund të arrijmë gjëra të mëdha në dobi të popullit tonë”, deklaroi ajo.
Auditorja e Përgjithshme shtoi se bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Kroacisë në fushën e auditimit publik i kontribuon përmirësimit të qeverisjes, rritjes së llogaridhënies dhe menaxhimit më të mirë të parasë publike.
Tutje znj. Spanca foli për progresin e shënuar ndër vite të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, bashkëpunimin me Kuvendin, shoqërinë civile, mediat, qytetarët si dhe bashkëpunimin bilateral dhe atë në kuadër të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t. Ajo bëri me dije se për sezonin auditues 2024/2025 parashihet kryerja e 139 auditimeve të rregullsisë, duke përfshirë auditimet financiare, të pajtueshmërisë dhe performancës. “Kjo agjendë ambicioze është reflektim i përkushtimit tonë të vazhdueshëm ndaj standardeve më të larta të auditimit dhe vendosmërisë sonë për të kontribuar në përmirësimin e administratës publike në Kosovë”, tha znj. Spanca.