Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/27/2020 10:03:05 AM

Zyra Kombëtare e Auditimit nisë publikimin e raporteve të auditimit, të Pasqyrave Financiare 2019

Nga kjo javë, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) do të fillojë publikimin e raporteve të auditimit të rregullsisë për Pasqyrat Financiare Vjetore 2019. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, përmes një deklarimi publik, njofton opinionin e gjerë  se: “Zyra Kombëtare e Auditimit, pavarësisht vështirësive,  për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID – 19, nga  kjo javë fillon publikimin e raporteve të auditimit të rregullsisë për organizatat buxhetore. Për auditimin e entiteteve për të cilat do të publikohen raportet në ditët në vijim, ekipet audituese kanë poseduar të gjitha informatat dhe dëshmitë që ofrojnë siguri të mjaftueshme për dhënien e opinionit të auditimit dhe rekomandimeve, siç kërkohet me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA). Që nga shfaqja e pandemisë COVID – 19 në vendin tonë, kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura, duke punuar me stafin esencial në zyre dhe pjesën tjetër me punë nga distanca për të realizuar auditimet e parapara për këtë fazë, me Planin Vjetor të Auditimit. Shpresojmë që me lehtësimin e masave kundër përhapjes së virusit, do të vazhdojmë aktivitetin auditues me intensitet të plotë, në mënyrë që të jemi në gjendje të përmbushim mandatin institucional e ligjor. Gjithashtu, jemi duke përcjellë me vëmendje të gjitha veprimet financiare dhe të menaxhimit të sistemeve shtetërore në këto rrethana të pazakonshme të ballafaqimit me pandeminë COVID-19. Lidhur me këtë, po punojmë në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) që edhe në Kosovë të ndërmerren veprimet e ngjashme dhe me të njëjtat standarde, siç po aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të institucioneve publike që vendimet e marra t’i mbështesin në parimet e përgjegjësisë, menaxhimit të shëndoshë financiar, si dhe në ligje dhe rregullore”. Në fazën e parë, do të publikohen njëzetetre (23) raporte, prej të cilave: njëmbëdhjetë (11) i përkasin institucioneve të nivelit qendror; një (1) institucioneve të pavarura, si dhe njëmbëdhjetë (11) institucioneve të nivelit lokal (komunave). Përkatësisht, do të publikohet raporti i auditimit për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK); Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS); Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL);  Ministrinë e Drejtësisë (MD); Ministrinë  e Mjedisit dhe Planifikimin Hapësinor (MMPH); Ministrinë e Mbrojtjes (MM); Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS); Ministrinë e Integrimit (MI); Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS); Doganën e Kosovës; Zyrën e Kryeministrit (ZKM); Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ); Komunën e Mamushës; Komunën e Klinës; Komunën e Deçanit; Komunën e Prishtinës; Komunën e Mitrovicës së Jugut; Komunën e Leposaviqit; Komunën e Vushtrrisë; Komunën e  Rahovecit; Komunën e  Ferizajt; Komunën e Podujevës dhe për Komunën e Shtërpcës. Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien e institucioneve publike, rrisin besimin në shpenzimin e fondeve publike dhe luajnë një rol aktiv në sigurimin e interesit të taksapaguesve dhe të palëve të tjera të interesit për rritjen e përgjegjësisë së organizatave buxhetore, për menaxhim të mirë të fondeve publike. Të gjitha raportet e auditimit publikohen në ueb faqen zyrtare të Zyrës Kombëtare të Auditimit (http://www.zka-rks.org/), ku kanë qasje të plotë të gjithë qytetarët e Kosovës.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Sqarim për Media

Sqarim për Media

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes kësaj komunikate njofton të gjitha mediat dhe opinionin publik se nuk ka kryer asnjë auditim të financave të partive politike sepse kjo nuk është në mandatin tonë siç është publikuar sot në disa media tona. Sipas Ligjit bazik për Financimin e Subjekteve Politike, 03/L- 174 dhe ndryshimeve të fundit të këtij ligji në vitin 2013 me Ligjin nr 04/L-212, me nenin 19 kompetenca për përzgjedhjen e një Auditori të Jashtëm për auditimin e pasqyrave financiare të partive politike i takon Kuvendit të Republikës së Kosovës, respektivisht Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike. Prandaj referencat se raportet e auditimit për financat e partive politike janë bërë nga Zyra Kombëtare e Auditimit janë të pasakta.  Të gjitha raportet tona janë në web –faqen zyrtare dhe mund të verifikohen në çdo kohë. Mirëpresim përmirsimin e gabimit në rastet kur kjo është publikuar gabim me qëllim të informimit të drejtë për qytetarët dhe mbesim të hapur për t’i dhënë të gjitha sqarimet shtesë të nevojshme.   DEPARTAMENTI PËR KOMUNIKIM DHE EDUKIM ZYRA KOMBËTARE E AUDITIMIT 
Lexo më shumë
Vazhdon zbatimi i projektit të binjakëzimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe të Polonisë përmes komunikimit online

Vazhdon zbatimi i projektit të binjakëzimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe të Polonisë përmes komunikimit online

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, takimi i radhës për zbatimin e projektit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës” në mes të zyrtarëve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe atyre të Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë u mbajt përmes një video-konference. Në takimin virtual me ekspertë nga Varshava dhe Lisbona u diskutua draft-raporti i auditimit të teknologjisë informative i cili i dedikohet menaxhimit të sistemeve IT-së në njërin prej institucioneve qendrore të Kosovës. Ky takim u mbajt në kuadër të komponentës së tretë të projektit “Përditësimi i doracakëve të auditimit dhe të letrave të punës, në përputhje me legjislacionin dhe Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit”. Në kuadër të kësaj komponente veç të tjerash janë duke u pilotuar edhe dy auditime të teknologjisë informative, të cilat do të realizohen nga auditorët e teknologjisë informative të ZKA-së, me ndihmën e kolegëve të tyre polakë dhe portugezë. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për mënyrën e paraqitjes së konkluzioneve dhe rekomandimeve të auditimit në mënyrë efektive, që ato të jenë më të kuptueshme dhe të zbatueshme. Auditimi i Teknologjisë së Informacionit është një ndër llojet më me interes të auditimeve që zhvillohet nga Institucionet Supreme të Auditimit në mbarë botën. Në këtë drejtim edhe ZKA-ja është duke kryer auditime të sistemeve të TI-së, duke pasur parasysh parimet e përgjithshme të auditimit që rrjedhin nga Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit. Auditimi i TI-së nënkupton ekzaminimin e zbatimit të sistemeve të TI-së për të garantuar se ato përmbushin nevojat e subjektit, pa komprometuar sigurinë e të dhënave, privatësinë, koston dhe elemente të tjera kritike të veprimtarisë së subjektit të audituar.
Lexo më shumë