Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/14/2020 6:43:36 PM

Sqarim i Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhur me publikimin e paautorizuar të dokumenteve të saj

Gjatë dy ditëve të fundit, në disa media të Kosovës janë publikuar informata që i referohen disa dokumenteve të hartuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). Me këtë rast, dëshirojmë ta njoftojmë publikun dhe redaksitë e mediave, se informatat e publikuara gjatë dy ditëve të fundit lidhur me procesin dhe rezultatet e auditimit të jashtëm për organizatat buxhetore, nuk janë të autorizuara nga Zyra Kombëtare të Auditimit dhe si të tilla nuk mund të konsiderohen si plotësisht të sakta. Procesi i auditimit të rregullsisë është ende në vijim dhe informatat e publikuara janë bazuar në dokumente të papërfunduara. Për hir të korrektësisë, dëshirojmë të sqarojmë opinionin që pas përfundimit të punës në terren, në pajtim me procedurat e auditimit, një përmbledhje e raportit të auditimit u dërgohet subjekteve të audituara dhe këto të fundit, gëzojnë të drejtën ligjore (sipas Ligjit të ZKA-së, neni 22.2) që në një afat prej 15 ditësh pas pranimit të draft raportit të auditimit, të bëjnë komentet e nevojshme dhe të ofrojnë dëshmi lidhur me përmbajtjen e dokumentit. Varësisht nga ky proces, që bazohet në standardet ndërkombëtare të auditimit, draft raportet mund të pësojnë ndryshime deri në versionin përfundimtar, si rezultat edhe i rishikimit të cilësisë nga funksioni i sigurimit të cilësisë në auditim. Së këndejmi, informata të autorizuara në lidhje me institucionet e audituara, duhet të trajtohen vetëm ato të cilat burojnë nga raportet e auditimit të aprovuara nga Auditori i Përgjithshëm dhe të publikuara në uebfaqen zyrtare të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Dokumentet tjera që hartohen gjatë procesit të auditimit (memot e auditimit apo draft raportet) zakonisht mbajnë shenjën për mos-publikim deri në versionin përfundimtar. Prandaj, presim që mediat dhe përdoruesit tjerë të produkteve të auditimit, ta respektojnë këtë kërkesë ligjore dhe t’i presin rezultatet finale të punës profesionale e të pavarur të auditorëve. Respektimi i këtyre procedurave do të ndihmoj Zyrën Kombëtare të Auditimit për të punuar në pajtim të plotë me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit dhe kërkesat ligjore si dhe do të shmangte çdo keqinformim eventual të publikut në lidhje me rezultatet e auditimit të jashtëm të institucioneve publike. Ne sigurojmë mediat dhe publikun që të gjitha raportet finale të auditimit, ashtu sikur deri më tani, do të jenë të qasshme në ueb faqen zyrtare të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Gazetarët e rinj përfitojnë njohuri rreth ZKA-së dhe raporteve të auditimit

Gazetarët e rinj përfitojnë njohuri rreth ZKA-së dhe raporteve të auditimit

Në kuadër të projektit “Përmirësimi i performancës në raportimin dhe monitorimin e Raporteve të Auditorit”, i organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), u mbajt kursi i parë i trajnimit të gazetarëve të rinj, me qëllim që të përfitojnë njohuri për trajtimin e raporteve të auditimit, të cilat janë produkt i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Kursi u zhvillua në tri seanca përmes platformës “online”. Në seancën e parë, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, mbajti një ligjëratë gjithëpërfshirëse, duke e shpjeguar rolin, misionin, mënyrën se si funksionon Zyra Kombëtare e Auditimit, si dhe detaje të tjera rreth procesit të përpilimit të raporteve të auditimit. Trajnimi ishte interaktiv, ku gazetarët e rinj patën mundësinë që përmes pyetjeve t`i zhvillojnë edhe më tutje njohuritë  rreth fushës së auditimit. Seanca e dytë u administrua nga Visar Prebreza, redaktor në KALLXO.com, ndërsa e treta u drejtua nga Labinot Leposhtica, koordinatori i zyrave ligjore në BIRN Kosovë. Ky projekt përmban edhe kurse të tjera trajnuese, të cilat janë në proces të realizimit. Projekti është i përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Prishtinë dhe ka për qëllim që të përmirësojë aftësitë e gazetarëve dhe monitoruesve në mënyrë që ata të mund të identifikojnë më mirë shkeljet në alokimin e parave publike. Këto seanca trajnimi, gjithashtu duhet të inkurajojnë gazetarët e rinj që të ndërmarrin gazetari hulumtuese.  
Lexo më shumë
Auditorët e ZKA-së ndjekin trajnimin “Prokurimi sipas rregullave të Bankës Botërore”

Auditorët e ZKA-së ndjekin trajnimin “Prokurimi sipas rregullave të Bankës Botërore”

Dhjetëra auditorë të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) kanë ndjekur trajnimin “online” për prokurim të organizuar nga Banka Botërore në Kosovë. Trajnimi “Prokurimi sipas rregullave të Bankës Botërore” ka pasur për qëllim dhënien e informacioneve të mjaftueshme dhe të qarta sa i përket rregullave dhe mënyrës se si duhet të auditohen projektet e Bankës Botërore. Në kuadër të këtij trajnimi katër ditor (4-7 maj) janë diskutuar tema të ndryshme si: “Parimet dhe metodat e prokurimit”; “Roli i Bankës dhe Huamarrësit”; “Prokurimi i punëve dhe mallrave, duke filluar nga dokumentet e ofertave, raportet e vlerësimit të ofertave dhe raste studimore si dhe përzgjedhja e këshilltarit/eksperti”; si dhe “Seksione për buxhetin”. Pas vlerësimit që u është bërë auditorëve pjesëmarrës dhe pas përfundimit të këtij trajnimi, Banka Botërore ka shprehur gatishmëri që t’i trajnojë edhe disa auditorë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për trajner, me qëllim që në të ardhmen trajnimet e tilla të kryhen nga auditorët e ZKA-së. Sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit, Zyra Kombëtare e Auditimit do të auditojë shtatë projekte të financuara nga Banka Botërore (BB).    
Lexo më shumë