Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/27/2020 6:46:11 PM

Ministrja Bajrami priti në takim Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, priti sot në takim Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani. Ministrja Bajrami e njoftoi z. Osmani me aktivitetet dhe projektet e MAShTI-t të cilat kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit në vendin tonë. Ajo foli për procesin e realizimit të mësimit në distancë në këtë periudhë pandemie, si dhe për projektet e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me përmirësimin e sistemit arsimor në përgjithësi. Ministrja nënvizoi rëndësinë e menaxhimit të mirë të financave publike dhe qeverisjes transparente duke shprehur zotimin e plotë për bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Kombëtare të Auditimit në arritjen e këtyre objektivave. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, foli për rëndësinë që ka aspekti i menaxhimit dhe kontrollit të financave publike në funksion të përmirësimit të qeverisjes. Ai theksoi se përmbushja e rekomandimeve të ZKA-së, kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e transparencës financiare dhe qeverisjes së mirë dhe falënderoi Ministren për gatishmërinë dhe angazhimin e saj në këtë drejtim.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Mungesa e organizimit dhe koordinimit mes institucioneve publike ka krijuar shpenzime të panevojshme në fushën e teknologjisë së informacionit

Mungesa e organizimit dhe koordinimit mes institucioneve publike ka krijuar shpenzime të panevojshme në fushën e teknologjisë së informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Organizimi dhe menaxhimi i investimeve të teknologjisë së informacionit në institucionet publike”. Raporti nxjerr përfundimin se mungesa e organizimit dhe koordinimit mes institucioneve publike ka mundësuar zhvillimin e projekteve paralele në fushën e teknologjisë së informacionit si dhe ka krijuar shpenzime të panevojshme. Në auditim janë përfshirë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, Ministria e Financave me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganën e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme me Agjencinë e Regjistrimit Civil, si dhe Komuna e Pejës dhe Komuna e Prizrenit. Institucionet e Kosovës, gjatë periudhës 2015-2018, kanë shpenzuar rreth 49 milion euro në teknologji të informacionit, mirëpo rezultatet e auditimit tregojnë se institucionet e audituara nuk kanë arritur të sigurojnë qeverisje të mirë në këtë fushë. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka arritur të miratoj Strategjinë e Qeverisjes Elektronike e cila është hartuar nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit. Në mungesë të saj,  Qeveria  nuk ka një plan të prioriteteve për investime në fushën e TI-së. Pasi që menaxhimi i shërbimeve të teknologjisë së informacionit në sektorin publik është i decentralizuar, në nivel të institucioneve apo departamenteve brenda institucionit, ka dyfishim të roleve si dhe këto njësi nuk kanë bashkëpunim mes  veti që ka rezultuar me  investime të panevojshme. Për më tepër, nuk ka regjistër të projekteve të TI-së, si në nivel shtetëror apo në nivel të organizatave buxhetore. Mungesa e regjistrit të plotë të shpenzimeve e pamundëson identifikimin e saktë të gjendjes ekzistuese. Në raport është konstatuar që institucionet publike të audituara kanë hyrë në investime pa bërë identifikimin e nevojave për projekte, pa analiza  të fizibilitetit për zhvillimin e projekteve si dhe pa bërë hulumtim të çmimeve të tregut. Po ashtu, ka mungesë të theksuar të bashkëpunimit ndërmjet ministrive për shfrytëzim më optimal të infrastrukturës së TI-së e cila ka rezultuar me shfrytëzim jo-optimal të pajisjeve të TI-së, menaxhim jo të mirë të shërbimeve, si dhe rritje të shpenzimeve financiare. Mangësi të ngjashme janë vërejtur edhe në komunat të cilat kanë qenë subjekt i auditimit, duke filluar nga planifikimi strategjik, politikat dhe procedurat e TI-së si dhe në menaxhimin e investimeve në fushën e TI-së. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, përmes një deklarimi publik ka theksuar që rezultatet e auditimit tregojnë nevojën e menjëhershme për përmirësime në organizimin dhe menaxhimin e investimeve në këtë fushë. Duke marrë parasysh rëndësinë që kanë në nivel vendi organizimi dhe investimet në teknologjinë e informacionit, kemi dhënë një rekomandim me prioritet për Qeverinë e Kosovës, që posaçërisht të adresoj çështjet rreth strategjisë elektronike të teknologjisë së informacionit si dhe të sigurohet koordinim i duhur ndërmjet Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e teknologjisë së informacionit. Me qëllim të adresimit të çështjeve të ngritura, Zyra Kombëtare e Auditimit, në këtë raport ka dhënë 17 rekomandime për  institucionet përgjegjëse. Ky auditim është realizuar për të vlerësuar zhvillimin e qeverisjes së teknologjisë së informacionit dhe menaxhimin e investimeve në këtë fushë. Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz.
Lexo më shumë
ZKA-ja i rikthehet punës audituese në teren me kapacitete të plota

ZKA-ja i rikthehet punës audituese në teren me kapacitete të plota

Pas lehtësimit të masave kundër përhapjes së virusit COVID-19, dhe në pajtim me udhëzimet e institucioneve relevante në vend, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është rikthyer në zbatimin e planit vjetor të punës me intensitet të plotë. Gjatë kësaj jave 39 ekipe të auditimit janë duke kryer auditime në teren për të vazhduar punën audituese në mënyrë që të përmbyllet me sukses vala e dytë e auditimeve. Me këtë rast, Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani, ka monitoruar për së afërmi punën e ekipeve në Komunën e Prishtinës, Shtimes e Graçanicës; në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, me të cilët ka biseduar në mënyrë të gjithanshme për sfidat e procesit dhe nevojën për angazhim shtesë që të sigurohet cilësia në auditim dhe të përfundohen projektet audituese të planifikuara. Auditori i Përgjithshëm tha se është inkurajuese vullneti dhe profesionalizmi i auditorëve tanë, që përkundër sfidave të shkaktuara nga pandemia vazhdojnë me vullnet e profesionalizëm veprimtarinë audituese. Ai vlerësoi lartë gatishmërinë e personelit që të promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien e institucioneve publike, rrisin besimin në shpenzimin e fondeve publike dhe luajnë një rol aktiv në sigurimin e interesit të taksapaguesve dhe të palëve të tjera të interesit për rritjen e përgjegjësisë së organizatave buxhetore, për menaxhim të mirë të fondeve publike. Në mënyrë të veçantë është vlerësuar sakrifica e personelit që përkundër mbylljes së çerdheve të fëmijëve kanë bërë zgjidhje alternative, në mënyrë që të dalin në punë dhe të vazhdojnë punën ekipore që e karakterizon punën në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Gjatë vizitave në teren është biseduar edhe me përfaqësuesit e entiteteve në auditim për të harmonizuar aspektet kohore të zbatimit të auditimit në mënyrë që Kuvendi i Republikës së Kosovës, krerët e institucioneve audituese dhe publiku të marrin sa më shpejt që është e mundur raportet finale të auditimit. Edhe në kohën e masave për zbatimin e lëvizjes së kufizuar të qytetarëve, Zyra Kombëtare e Auditimit përmes punës online ka arritur që t’i përfundojë dhjetëra raporte të auditimit të rregullsisë dhe performancës. Për këtë qëllim sot është realizuar edhe takimi me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje Financiare z. Bedri Hamza me ç’rast është konfirmuar kalendari i trajtimit të raporteve në komision për raportet e përfunduara dhe raportet tjera të cilat do të publikohen ditët në vijim. Paralelisht me zbatimin e planit të auditimit, me kujdes të shtuar do të trajtohen të gjitha udhëzimet e institucioneve shëndetësore dhe shëndeti i personelit do të mbetet në prioritet të trajtimit gjatë marrjes së vendimeve.
Lexo më shumë