Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/27/2020 11:09:11 PM

ZKA-ja i rikthehet punës audituese në teren me kapacitete të plota

Pas lehtësimit të masave kundër përhapjes së virusit COVID-19, dhe në pajtim me udhëzimet e institucioneve relevante në vend, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është rikthyer në zbatimin e planit vjetor të punës me intensitet të plotë. Gjatë kësaj jave 39 ekipe të auditimit janë duke kryer auditime në teren për të vazhduar punën audituese në mënyrë që të përmbyllet me sukses vala e dytë e auditimeve. Me këtë rast, Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani, ka monitoruar për së afërmi punën e ekipeve në Komunën e Prishtinës, Shtimes e Graçanicës; në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, me të cilët ka biseduar në mënyrë të gjithanshme për sfidat e procesit dhe nevojën për angazhim shtesë që të sigurohet cilësia në auditim dhe të përfundohen projektet audituese të planifikuara. Auditori i Përgjithshëm tha se është inkurajuese vullneti dhe profesionalizmi i auditorëve tanë, që përkundër sfidave të shkaktuara nga pandemia vazhdojnë me vullnet e profesionalizëm veprimtarinë audituese. Ai vlerësoi lartë gatishmërinë e personelit që të promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien e institucioneve publike, rrisin besimin në shpenzimin e fondeve publike dhe luajnë një rol aktiv në sigurimin e interesit të taksapaguesve dhe të palëve të tjera të interesit për rritjen e përgjegjësisë së organizatave buxhetore, për menaxhim të mirë të fondeve publike. Në mënyrë të veçantë është vlerësuar sakrifica e personelit që përkundër mbylljes së çerdheve të fëmijëve kanë bërë zgjidhje alternative, në mënyrë që të dalin në punë dhe të vazhdojnë punën ekipore që e karakterizon punën në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Gjatë vizitave në teren është biseduar edhe me përfaqësuesit e entiteteve në auditim për të harmonizuar aspektet kohore të zbatimit të auditimit në mënyrë që Kuvendi i Republikës së Kosovës, krerët e institucioneve audituese dhe publiku të marrin sa më shpejt që është e mundur raportet finale të auditimit. Edhe në kohën e masave për zbatimin e lëvizjes së kufizuar të qytetarëve, Zyra Kombëtare e Auditimit përmes punës online ka arritur që t’i përfundojë dhjetëra raporte të auditimit të rregullsisë dhe performancës. Për këtë qëllim sot është realizuar edhe takimi me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje Financiare z. Bedri Hamza me ç’rast është konfirmuar kalendari i trajtimit të raporteve në komision për raportet e përfunduara dhe raportet tjera të cilat do të publikohen ditët në vijim. Paralelisht me zbatimin e planit të auditimit, me kujdes të shtuar do të trajtohen të gjitha udhëzimet e institucioneve shëndetësore dhe shëndeti i personelit do të mbetet në prioritet të trajtimit gjatë marrjes së vendimeve.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Ministrja Bajrami priti në takim Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani

Ministrja Bajrami priti në takim Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, priti sot në takim Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani. Ministrja Bajrami e njoftoi z. Osmani me aktivitetet dhe projektet e MAShTI-t të cilat kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit në vendin tonë. Ajo foli për procesin e realizimit të mësimit në distancë në këtë periudhë pandemie, si dhe për projektet e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me përmirësimin e sistemit arsimor në përgjithësi. Ministrja nënvizoi rëndësinë e menaxhimit të mirë të financave publike dhe qeverisjes transparente duke shprehur zotimin e plotë për bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Kombëtare të Auditimit në arritjen e këtyre objektivave. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, foli për rëndësinë që ka aspekti i menaxhimit dhe kontrollit të financave publike në funksion të përmirësimit të qeverisjes. Ai theksoi se përmbushja e rekomandimeve të ZKA-së, kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e transparencës financiare dhe qeverisjes së mirë dhe falënderoi Ministren për gatishmërinë dhe angazhimin e saj në këtë drejtim.
Lexo më shumë
Projektet e financuara nga grantet e DEMOS-it kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës publike në komuna

Projektet e financuara nga grantet e DEMOS-it kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës publike në komuna

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Projekti DEMOS – Decentralizimi dhe Përkrahja e Komunave kanë marrëveshje për auditimin e fondeve të dedikuara për këtë projekt. Në kuadër të kësaj është kryer edhe  auditimi i performancës “Projektet e financuara nga grantet e DEMOS-it”, raporti i të cilit u prezantua online me kërkesën e DEMOSIT- Decentralizimi dhe Përkrahja e komunave. Në prezantim morën pjesë përfaqësues nga DEMOS-i, Ambasada e Zvicrës, Ambasada e Norvegjisë si dhe nga Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal. Me këtë rast, drejtori i projektit DEMOS, Nobert Pijls, vlerësoi lartë punën e kryer nga Zyra Kombëtare e Auditimit duke thënë se po shqyrtohen mundësitë për bashkëpunim edhe në projekte të tjera në të ardhmen. Pijls deklaroi se objektivë e përgjithshme e këtij auditmi të veçantë,  të realizuar në kuadër të marrëveshjes me ZKA-në, ishte vlerësimi nëse procesi i prokurimit për projektet kapitale është në pajtim me kërkesat ligjore që nga planifikimi deri te realizimi i kontratës. Ndërsa Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca, theksoi se një nga pritjet fundamentale të përcaktuara nga Standardet Ndërkombëtare të Auditimit është që Institucionet Supreme të Auditimit duhet të kryejnë auditime që janë të rëndësishme për qytetarët, Parlamentin dhe palët e interesit. Në këtë aspekt, Spanca tha se marrë parasysh që grantet bazuar në performancë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës publike në komuna, ZKA-ja ka pranuar kërkesën nga DEMOS për të audituar këto grante. “Shfrytëzoi këtë mundësi për të falënderuar DEMOS që i besuan ZKA-së për të audituar fondet e tyre. Sigurisht që ky besim nuk është vetëm një privilegj, por është përgjegjësi e madhe meqë kërkohet nga ZKA-ja të kryejë auditime me cilësi të lartë”, tha Spanca. Ndërkohë Drejtoresha e Departamentit të Auditimit, Fatlinda Ramosaj, prezantoi objektiven, metodologjinë dhe fushëveprimin e auditimit. Ramosaj bëri me dije se auditimi ka pasur dy objektiva, përveç se është vlerësuar procesi i prokurimit nëse është në përputhje me kërkesat ligjore,  objektivë tjetër e auditimit ishte të vlerësohet nëse projektet e realizuara nga granti i DEMOS-it kanë arritur qëllimin e synuar e që nënkupton nëse me anë të këtyre investimeve komunat kanë përmirësuar ofrimin e  shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Ramosaj shpjegoi se pjesë e këtij auditimi kanë qenë Komuna e Pejës, Prizrenit, Podujevës, Mamushës dhe Graçanicës. “Përzgjedhjen e komunave dhe projekteve për auditim e kemi bërë bazuar në shpenzimet më të larta edhe ato më të ulëta, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të saktë për të gjitha llojet e projekteve. Periudha kohore ka përfshirë grantin e dhënë për vitin 2018”, tha Ramosaj. Kurse udhëheqësja e ekipit, Donjetë Dreshaj, prezantoi në detaje gjetjet e raportit të performancës. Dreshaj tha se gjetjet e auditimit kishin të bëjnë kryesisht me planifikimin e projekteve; zhvillimin e procedurës së prokurimit, menaxhimin e kontratave, kohën e zbatimit të projektit, konsultimin me qytetarët gjatë vendimmarrjes për investime, pjesëmarrjen e grupeve të margjinalizuara etj. Dreshaj falënderoi DEMOS-in dhe entitetet e audituara për bashkëpunimin korrekt të treguar gjatë gjithë procesit të auditmit. Për të përmirësuar më tej zbatimin e projekteve të financuara nga DEMOS-i, ZKA-ja  në këtë raport të auditimit ka dhënë disa rekomandime. Të gjitha komunat e audituara janë pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet, mirëpo ende nuk kanë dorëzuar planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve.
Lexo më shumë