Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/28/2020 3:31:18 PM

Projektet e financuara nga grantet e DEMOS-it kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës publike në komuna

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Projekti DEMOS – Decentralizimi dhe Përkrahja e Komunave kanë marrëveshje për auditimin e fondeve të dedikuara për këtë projekt. Në kuadër të kësaj është kryer edhe  auditimi i performancës “Projektet e financuara nga grantet e DEMOS-it”, raporti i të cilit u prezantua online me kërkesën e DEMOSIT- Decentralizimi dhe Përkrahja e komunave. Në prezantim morën pjesë përfaqësues nga DEMOS-i, Ambasada e Zvicrës, Ambasada e Norvegjisë si dhe nga Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal. Me këtë rast, drejtori i projektit DEMOS, Nobert Pijls, vlerësoi lartë punën e kryer nga Zyra Kombëtare e Auditimit duke thënë se po shqyrtohen mundësitë për bashkëpunim edhe në projekte të tjera në të ardhmen. Pijls deklaroi se objektivë e përgjithshme e këtij auditmi të veçantë,  të realizuar në kuadër të marrëveshjes me ZKA-në, ishte vlerësimi nëse procesi i prokurimit për projektet kapitale është në pajtim me kërkesat ligjore që nga planifikimi deri te realizimi i kontratës. Ndërsa Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca, theksoi se një nga pritjet fundamentale të përcaktuara nga Standardet Ndërkombëtare të Auditimit është që Institucionet Supreme të Auditimit duhet të kryejnë auditime që janë të rëndësishme për qytetarët, Parlamentin dhe palët e interesit. Në këtë aspekt, Spanca tha se marrë parasysh që grantet bazuar në performancë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës publike në komuna, ZKA-ja ka pranuar kërkesën nga DEMOS për të audituar këto grante. “Shfrytëzoi këtë mundësi për të falënderuar DEMOS që i besuan ZKA-së për të audituar fondet e tyre. Sigurisht që ky besim nuk është vetëm një privilegj, por është përgjegjësi e madhe meqë kërkohet nga ZKA-ja të kryejë auditime me cilësi të lartë”, tha Spanca. Ndërkohë Drejtoresha e Departamentit të Auditimit, Fatlinda Ramosaj, prezantoi objektiven, metodologjinë dhe fushëveprimin e auditimit. Ramosaj bëri me dije se auditimi ka pasur dy objektiva, përveç se është vlerësuar procesi i prokurimit nëse është në përputhje me kërkesat ligjore,  objektivë tjetër e auditimit ishte të vlerësohet nëse projektet e realizuara nga granti i DEMOS-it kanë arritur qëllimin e synuar e që nënkupton nëse me anë të këtyre investimeve komunat kanë përmirësuar ofrimin e  shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Ramosaj shpjegoi se pjesë e këtij auditimi kanë qenë Komuna e Pejës, Prizrenit, Podujevës, Mamushës dhe Graçanicës. “Përzgjedhjen e komunave dhe projekteve për auditim e kemi bërë bazuar në shpenzimet më të larta edhe ato më të ulëta, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të saktë për të gjitha llojet e projekteve. Periudha kohore ka përfshirë grantin e dhënë për vitin 2018”, tha Ramosaj. Kurse udhëheqësja e ekipit, Donjetë Dreshaj, prezantoi në detaje gjetjet e raportit të performancës. Dreshaj tha se gjetjet e auditimit kishin të bëjnë kryesisht me planifikimin e projekteve; zhvillimin e procedurës së prokurimit, menaxhimin e kontratave, kohën e zbatimit të projektit, konsultimin me qytetarët gjatë vendimmarrjes për investime, pjesëmarrjen e grupeve të margjinalizuara etj. Dreshaj falënderoi DEMOS-in dhe entitetet e audituara për bashkëpunimin korrekt të treguar gjatë gjithë procesit të auditmit. Për të përmirësuar më tej zbatimin e projekteve të financuara nga DEMOS-i, ZKA-ja  në këtë raport të auditimit ka dhënë disa rekomandime. Të gjitha komunat e audituara janë pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet, mirëpo ende nuk kanë dorëzuar planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja i rikthehet punës audituese në teren me kapacitete të plota

ZKA-ja i rikthehet punës audituese në teren me kapacitete të plota

Pas lehtësimit të masave kundër përhapjes së virusit COVID-19, dhe në pajtim me udhëzimet e institucioneve relevante në vend, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është rikthyer në zbatimin e planit vjetor të punës me intensitet të plotë. Gjatë kësaj jave 39 ekipe të auditimit janë duke kryer auditime në teren për të vazhduar punën audituese në mënyrë që të përmbyllet me sukses vala e dytë e auditimeve. Me këtë rast, Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani, ka monitoruar për së afërmi punën e ekipeve në Komunën e Prishtinës, Shtimes e Graçanicës; në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, me të cilët ka biseduar në mënyrë të gjithanshme për sfidat e procesit dhe nevojën për angazhim shtesë që të sigurohet cilësia në auditim dhe të përfundohen projektet audituese të planifikuara. Auditori i Përgjithshëm tha se është inkurajuese vullneti dhe profesionalizmi i auditorëve tanë, që përkundër sfidave të shkaktuara nga pandemia vazhdojnë me vullnet e profesionalizëm veprimtarinë audituese. Ai vlerësoi lartë gatishmërinë e personelit që të promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien e institucioneve publike, rrisin besimin në shpenzimin e fondeve publike dhe luajnë një rol aktiv në sigurimin e interesit të taksapaguesve dhe të palëve të tjera të interesit për rritjen e përgjegjësisë së organizatave buxhetore, për menaxhim të mirë të fondeve publike. Në mënyrë të veçantë është vlerësuar sakrifica e personelit që përkundër mbylljes së çerdheve të fëmijëve kanë bërë zgjidhje alternative, në mënyrë që të dalin në punë dhe të vazhdojnë punën ekipore që e karakterizon punën në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Gjatë vizitave në teren është biseduar edhe me përfaqësuesit e entiteteve në auditim për të harmonizuar aspektet kohore të zbatimit të auditimit në mënyrë që Kuvendi i Republikës së Kosovës, krerët e institucioneve audituese dhe publiku të marrin sa më shpejt që është e mundur raportet finale të auditimit. Edhe në kohën e masave për zbatimin e lëvizjes së kufizuar të qytetarëve, Zyra Kombëtare e Auditimit përmes punës online ka arritur që t’i përfundojë dhjetëra raporte të auditimit të rregullsisë dhe performancës. Për këtë qëllim sot është realizuar edhe takimi me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje Financiare z. Bedri Hamza me ç’rast është konfirmuar kalendari i trajtimit të raporteve në komision për raportet e përfunduara dhe raportet tjera të cilat do të publikohen ditët në vijim. Paralelisht me zbatimin e planit të auditimit, me kujdes të shtuar do të trajtohen të gjitha udhëzimet e institucioneve shëndetësore dhe shëndeti i personelit do të mbetet në prioritet të trajtimit gjatë marrjes së vendimeve.
Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani prezantoi para deputetëve Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2019

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani prezantoi para deputetëve Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2019

Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka shqyrtuar dhe miratuar në mbledhjen e sotme Raportin Vjetor të Performancës të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019. Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, anëtarë të këtij komisioni, Auditori i Përgjithshëm ka prezantuar në mënyrë të detajuar aktivitetin, të arriturat dhe sfidat e ZKA-së gjatë vitit 2019, si dhe u është përgjigjur deputetëve në të gjitha çështjet e parashtruara me interes për ta. Z. Osmani tha se të gjitha aktivitetet audituese të ZKA-së gjatë vitit 2019, janë realizuar në tërësi siç edhe ishin planifikuar me Planin Vjetor të Punës për sezonin auditues 2018 – 2019. “Kemi përfunduar dhe publikuar 128 raporte të auditimit, prej të cilave, 115 raporte janë të auditimit të rregullsisë dhe 13 raporte të auditimit të performancës. Numri i auditimeve të rregullsisë është rritur për 4 në raport me sezonin e kaluar, kurse auditimet e performancës kanë pasur rritje të dukshme nga viti 2016 dhe përbëjnë rreth 11% të auditimeve të ZKA-së. Auditimi i Ndërmarrjeve Publike (NP) ka filluar në sezonin auditues 2016/17, me vetëm 4 sosh dhe tani kemi arritur në 14 NP të audituara këtë sezon. Përfshirë këtu edhe auditimin e Ndërmarrjeve Publike në fushën e telekomunikacionit në zbatim të Rezolutës së Kuvendit. Sa i përket cilësisë së raporteve të auditimit është konstatuar njëzëri  që është e një niveli të lartë, sepse në vazhdimësi është arritur  të sigurohet  mbështetje e vazhdueshme profesionale dhe trajnime specifike mbi metodologjitë dhe standardet e fundit audituese. Po ashtu, ka një  rritje të dukshme të numrit të certifikimeve profesionale të auditorëve dhe  shtrirje më të madhe të bashkëpunimit edhe me Institucione Supreme të Auditimit nga vendet e Evropës dhe më gjerë, për të përfituar njohuri nga programe të veçanta edukimi dhe përvoja e gjatë e tyre”, tha Osmani. Me qëllim të përmbushjes së vizionit dhe misionit tonë, ne kemi zhvilluar Planin Strategjik 2018-2021, në kuadër të të cilit kemi përcaktuar qartë qëllimet dhe objektivat institucionale për tri vjet. Z. Osmani, theksoi se një ndër të arriturat e rëndësishme, që e ka karakterizuar performancën e Zyrës Kombëtare të Auditimit gjatë vitit 2019, është anëtarësimi me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), i cili ishte edhe një prej qëllimeve kryesore strategjike. Ai vlerësoi se ky anëtarësim përbën arritjen më të madhe në historinë e auditimit të jashtëm, të sektorit publik të Republikës së Kosovës. Auditori i Përgjithshëm, ka siguruar anëtarët e Komisionit se Zyra Kombëtare e Auditimit do të përmbush mandatin e vet kushtetues dhe ligjor dhe do t’i ofroj Kuvendit të Republikës së Kosovës auditime cilësore dhe profesionale me qëllim të mbajtjes përgjegjëse dhe përmirësimit të performancës së institucioneve publike,  rritjes së transparencës dhe kontrollit në menaxhimin e parasë publike. Osmani deklaroi se me angazhim serioz të të gjitha palëve, rezultatet e auditimit kanë vetëm një qëllim dhe ato do të shndërrohen në shërbime më të mira për qytetarët. Nga ana tjetër Kryetari i Komisionit, z. Bedri Hamza dhe anëtarët e Komisionit, kanë vlerësuar pozitivisht punën dhe kanë shprehur  mbështetje të pa rezervë në sigurimin e pavarësisë funksionale dhe financiare për Zyrën Kombëtare të Auditimit.
Lexo më shumë