Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
7/22/2020 10:00:37 AM

Sistemi aktual i arsimit dhe aftësimit profesional nuk i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të tregut të punës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”. Auditimi është kryer në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe komunat: Prishtinë, Prizren dhe Ferizaj si dhe ka pasur për qëllim të vlerësojë efektivitetin e masave të ndërmarra nga institucionet publike për zhvillimin e njohurive dhe aftësive profesionale dhe ndërlidhjen e tyre me nevojat e vazhdueshme të tregut të punës. Pavarësisht përpjekjeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe të akterëve relevant për të rishikuar kurrikulat e profileve të arsimit dhe aftësimit profesional dhe për t’i bazuar ato në zhvillimin e standardeve të profesionit, ky qëllim nuk është arritur. Kjo për faktin se, një pjesë e konsiderueshme e kurrikulave nuk janë rishikuar ende dhe një numër shumë i kufizuar i institucioneve të arsimit dhe aftësimit profesional janë duke zbatuar kurrikulat e rishikuara. Po ashtu, mësimi praktik në punëtoritë e Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe praktika profesionale në biznese janë realizuar me vështirësi dhe ngecje të mëdha. Institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të ofrojnë mundësi efektive për përvetësimin dhe zhvillimin e aftësive dhe shkathtësive dhe nuk kanë siguruar se janë krijuar kushtet e nevojshme për zbatimin e formave duale të arsimit, kushte këto që mundësojnë realizimin e mësimit praktik në ambientet e shkollës dhe praktikës profesionale në biznese. Kjo është pamundësuar për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme në shkolla, mungesës së kabineteve apo punëtorive, problemeve me pajisjet aktuale, mungesës së materialit shpenzues, etj. Me qëllim të adresimit të shpejtë të çështjeve për të ndërlidhur arsimin dhe aftësimin profesional me kërkesat dhe nevojat e tregut të punës, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 16 rekomandime për institucionet përkatëse. Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Disa punonjës të Zyrës Kombëtare të Auditimit janë prekur me virusin Covid-19

Disa punonjës të Zyrës Kombëtare të Auditimit janë prekur me virusin Covid-19

Pavarësisht masave të ndërmarra dhe kujdesit të shtuar, tetë punonjës të Zyrës Kombëtare të Auditimit kanë rezultuar pozitiv me virusin Covid-19, ndërsa 30 të tjerë gjenden në vet-izolim. Të gjitha këto raste janë duke u trajtuar në shtëpi me kujdesin dhe udhëzimet e mjekëve dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Po ashtu grupet e rrezikuara siç janë personat mbi 60 vjeç, shtatzënat dhe kronikët po punojnë nga distanca. Të gjitha ekipet e auditimit që për shkak të natyrës së punës audituese kanë qenë të detyruara të kryejnë edhe punë në terren, në vazhdimësi janë monitoruar për gjendjen shëndetësore dhe kanë raportuar në baza ditore kontaktet e mundshme me raste të testuara pozitiv me Covid-19. Përkundër që i kemi dhënë përparësi ruajtjes së shëndetit të stafit është arritur që të përfundohen dhe publikohen në uebfaqe më shumë se 60 raporte të auditimit dhe jemi në fazën finale të përfundimit të raporteve tjera të parapara me planin vjetor të punës. Janë marrë me kohë të gjitha masat mbrojtëse sipas rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse shëndetësore dhe Manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19. ZKA-ja shpreh mirënjohjen e thellë për bashkëpunimin e krerëve dhe zyrtarëve nëpër institucionet e audituara që kanë punuar bashkë me ekipet në këto kushte të vështirësuara të punës si pasojë e pandemisë. Në mënyrë të veçantë falënderojmë personelin nga Instituti dhe Klinika Infektive që vazhdimisht kanë dhënë udhëzimet specifike dhe ndihmën për shëndetin e personelit tanë. Në këtë rast bëjmë thirrje për respektimin e masave të vendosura në mënyrë që të ruajmë vetën, familjen dhe shtetin.
Lexo më shumë
Përvoja e ZKA-së në përballjen me Covid-19, publikohet në gazetën e INTOSA-it

Përvoja e ZKA-së në përballjen me Covid-19, publikohet në gazetën e INTOSA-it

Organizata  Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ka publikuar edicionin e verës të gazetës së saj, ku trajtohen tema të ndryshme lidhur me procesin e auditimit gjatë kësaj periudhe si dhe praktikat e Institucioneve Supreme të Auditimit në ballafaqimin me pandeminë Covid-19. Pjesë e këtij edicioni të gazetës së INTOSA-it përkatësisht në rubrikën për liderët e rinj është edhe Zyra Kombëtare e Auditimit përmes opinionit të punonjës së saj, Qëndresa Mulaj - Udhëheqëse e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Në paraqitjen e saj, Mulaj ka shpalosur përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës gjatë përballjes me virusin Covid-19. Ndër të tjera Mulaj ka thënë se papritur po përballemi me një krizë globale që po kërcënon grupet e ndjeshme si dhe më të dashurit tanë, dhe rrethanat e reja kanë ndikuar drejtpërdrejt tek ne profesionalisht dhe personalisht. “Organizatat, përfshirë Institucionet Supreme të Auditimit, duhet të përshtaten me normën e re dhe të gjejnë mënyra alternative për të vepruar. Është shumë e rëndësishme që udhëheqësit të kenë një përqendrim të fortë te njerëzit dhe marrëdhëniet ndërsa adresojnë proceset, detyrat dhe rezultatet për të përmbushur objektivat dhe afatet kohore”, ka theksuar ajo. Nga përvoja e Zyrës Kombëtare të Auditimit në përballjen me Covid-19, Mulaj ka thënë se është e rëndësishme të ketë komunikim, besim, ndjeshmëri dhe bashkëpunim të mirë. “Mbajtja e ekipit të përqendruar dhe të angazhuar, gjë që mund të ndikojë në arritjen e rezultateve të planifikuara, ka qenë shumë e vështirë gjatë operimit gjatë pandemisë. Situata është akoma shumë e paparashikueshme, kështu që unë komunikoj shpesh, dërgoj mesazhe të qarta, vendos përparësi dhe marr vendime me bindje. Si ekip, ne ndjehemi të fuqizuar dhe pronarë të objektivave tona me qëllim që të kemi sukses”, është shprehur Mulaj. Gazetën mund ta lexoni në këtë link  
Lexo më shumë